TË FUNDIT

Trump paralajmëroi rikthimin në çështjen Kosovë-Serbi, reagime pozitive nga njohësit e politikës vendore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të rikthehet të merret me çështjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky paralajmërim i Trump ka nxitur reagime pozitive nga njohësit e politikës në Kosovë, të cilët vlerësojnë se rikthimi i SHBA-së në qendër të dialogut mund të jetë në të mirë të Kosovës dhe të sjellë një epilog të qëndrueshëm për procesin e gjatë të negociatave me Serbinë.

Njohësja e çështjeve të politike, Besa Luzha,ka thënë se deklarata e Trump duhet parë në kuadër të qasjes së tij tradicionale ndaj politikës së jashtme amerikane – një qasje që ai e konsideron më intervenuese dhe efektive në funksion të paqes.

“Trump ka përmendur Kosovën në kontekstin e kaluar, kur pati arritur një marrëveshje në kohën e adminitratës së tij dhe njohjen e Kosovës nga Izraeli. Duke e kritikuar qasjen e administratës së Biden për Kosovën dhe rajonin, ai thekson se tani në administratën e tij, ai do të arrijë përsëri ndonjë marrëveshje me efektive dhe më të qëndrueshme”, tha ajo.

Tutje Luzha theksoi se Kosovës i mbetet vetëm që të pret për ta vërtetuar deklaratën e Trump-it.

“Neve na mbetet të presim, të shohim dhe ta vërtetojmë këtë, duke marrë parasysh se ende nuk është dërguar as Ambasadori i SHBA në Kosovë.

Edhe analisti i çështjeve politike Arton Demhasaj, e cilësoi këtë zhvillim si lajm të mirë për Kosovën.

Ai u shpreh se përfshirja e Trump në çështjen e dialogut mund të nënkuptojë afrimin e një zgjidhjeje përfundimtare.

“Duke marrë parasysh se kohët e fundit ka pasur shumë pak deklarata nga SHBA-të për çështjen e Kosovës dhe Serbisë, rikthimi i Trump në këtë temë tregon për një rikthim të mundshëm të vëmendjes amerikane në Ballkan. Kjo mund të përshpejtojë përfundimin e procesit të dialogut, pasi përvoja ka treguar se vetëm nën administrimin e BE-së, marrëveshjet nuk kanë pasur zbatim të plot”, u shpreh Demhasaj për Telegrafin.

Ai shtoi se SHBA-të kanë kapacitetin dhe autoritetin që i mungon Bashkimit Evropian për të detyruar palët të zbatojnë marrëveshjet.

“Nëse SHBA-të përfshihen seriozisht, ky dialog më në fund mund të ketë një epilog përfundimtar. Përndryshe, nën drejtimin e vetëm të BE-së, nuk besoj se do të ketë ndonjë përparim real – këtë e dëshmon edhe përvoja e 15 viteve të fundit”, përfundoi ai.

Ndryshe kanë kaluar 14 vjet nga fillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një proces që synonte normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por që ende nuk ka prodhuar një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme.

Dialogu filloi më 9 mars 2011, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Fillimisht si proces teknik për çështje praktike si lëvizja e lirë, targat dhe kadastrat.

Por me kalimin e kohës, procesi mori karakter politik, duke përfshirë temat më të ndjeshme që prekin sovranitetin, statusin dhe raportet bilaterale.

Në prill të vitit 2013 u arrit marrëveshja e parë në Bruksel, e cila konsiderohej një hap historik drejt normalizimit.
Megjithatë, zbatimi i saj ka mbetur i pjesshëm dhe shumë pika kyçe kanë mbetur pezull – përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Procesi u shoqërua me ngecje të vazhdueshme dhe tensione politike, ndërsa në vitin 2020, nën administratën e presidentit amerikan Donald Trump, u arrit një marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, që solli edhe njohjen e Kosovës nga Izraeli.

Përpjekje të reja u bënë edhe gjatë viteve të fundit, përfshirë “Marrëveshjen në Ohër” të arritur në vitin 2023, e cila theksonte zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe njohjen de-facto të realitetit të dy shteteve.

Megjithatë, edhe në vitin 2025 dialogu vazhdon të mbetet pa një epilog të qartë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *