Kërkohet reagim ndërkombëtar: Ndalimi i Arbnor Spahiut, hakmarrje politike e Serbisë për procesin e Banjskës
Në Prishtinë po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tre shtetasve serbë të akuzuar për pjesëmarrje në sulmin terrorist të ndodhur më 24 shtator 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë oficeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ndalimi i ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe, po konsiderohet se është drejtpërdrejt i lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tre pjesëmarrësve serbë në sulmin terrorist të ndodhur në Banjskë më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë oficeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ky veprim i Serbisë po shihet si një akt hakmarrjeje politike, që synon të dekurajojë institucionet e sigurisë së Kosovës dhe të ndikojë në procesin e drejtësisë për një nga ngjarjet më të rënda të pasluftës.
closevolume_off
Avokati Arianit Koci ka deklaruar se ndërsa organizatorët e sulmit terrorist në Banjskë, përfshirë Radoiçiqin, janë të lirë në Serbi, policët që ndalën sulmin po përndiqen. Ai thekson se Serbia nuk po kërkon drejtësi, por po ushtron hakmarrje politike kundër atyre që kanë mbrojtur rendin juridik në Kosovë dhe kanë shpëtuar jetë.
“Radoiçiqi dhe terroristët tjerë që sulmuan në fshatin Banjska dhe vranë policin Afrim Bunjaku – të lirë në Serbi. Policët që e ndalën sulmin – në kërkim!
Në vend që Serbia t’i arrestojë organizatorët e sulmit, po i përndjek policët dhe ish-policët e Kosovës. Po i godet njerëzit që e kanë ruajtur rendin juridik të Kosovës, dhe kanë shpëtuar jetë – të shqiptarëve dhe serbëve, nga aktivitetet terroriste.
Siç po shihet, Serbia nuk po kërkon drejtësi. Po bën hakmarrje politike. Dhe këtë po e bën haptazi”, ka shkruar Koci në Facebook.
Duhanaj: Serbia po përdor ndalesat si hakmarrje dhe propagandë
ImageLeon DuhanajFOTO GALERI
Lidhur me këtë çështje, analisti politik Leon Duhanaj në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se çdo veprim i Serbisë ndaj Kosovës ka për qëllim hakmarrjen ose sabotimin, përfshirë edhe arrestimin e Arbnor Spahiut, ndonëse ai nuk ka qenë pjesë e Njësisë Speciale gjatë rastit në Banjskë.
“Jo vetëm arrestimi i ish pjesëtarit të policisë së Kosovës, por thuaj se në secilin akt që ndërmerr shteti serb në raport me Kosovës, ka për qëllim, ose hakmarrjen, ose sabotazhin.
Në ketë rast, mundet me qenë e motivuar si lloj hakmarrje, edhe pse sipas raportimeve zyrtare, z. Arbnor Spahiu, nuk ka qenë pjesë e njësisë Speciale në kohën kur ndodhi rasti në Banjskë.
Për Serbinë kjo nuk luan rrol të madh, ka qenë apo jo pjesë e operacioneve.
Me rëndësi është që ata mund ta shesin para publikut të tyre si trofe”, ka potencuar ai.
Ai shprehet i habitur sesi persona që mund të jenë të rrezikuar nga ndalimi në Serbi zgjedhin rrugë tranziti nëpër të, duke e cilësuar këtë si të papërgjegjshme.
“Në krejt ketë situatë, nuk arrij të kuptoj një gjë.
Se si ka mundësi, që njerëz që mund të jenë të kërcënuar me burgim apo me tepër në Serbi, ta zgjedhin rrugen tranzit drejtë Serbisë, duke rrezikuar kështu veten dhe familjet e tyre.
E shoh tepër të paarsyeshme, madje të papërgjegjshme mënyrën se si disa njerëz luajnë me fatin e tyre.
Tani kur ndodhin këso ndalesash, është tepër e vështirë të gjendet rrugë për të gjetur zgjidhje.
Sidomos tani, kur Kosova është në bllokadë të plotë dhe me një Qeveri të dhunshme e cila, duke i kaput institucionet nën pengmarrje, mund të ketë çdo gjë në plan, por jo edhe kujdesin për qytetarët e vetë, qofshin ata në burgjet serbe, në Kosovë, apo kudo”, ka deklaruar Duhanaj.
Haziri: Ndalimi i Spahiut, hakmarrje e Serbisë për gjykimin e sulmit terrorist në Banjskë
ImageNexhat HaziriFOTO GALERI
Ndërkaq, analisti politik Nexhat Haziri ka thënë se ndalimi i Spahiut është drejtpërdrejt i lidhur me procesin gjyqësor ndaj tre pjesëmarrësve serbë në sulmin terrorist të ndodhur në Banjskë, ku mbeti i vrarë Bunjaku.
Ai thotë se Serbia po vepron me hakmarrje ndaj këtij procesi ligjor që po zhvillohet në Kosovë.
“Kemi të bëjmë me revansh nga ana e Serbisë, që ka të bëjë edhe me procesin gjygjësor ndaj tre pjesëmarrësve serb në sulmin terrorist të Bajnskës, gjykimi i të cilëve ka filluar për sulmin ndaj teritorit të Kosovës dhe vrasjen e oficerit të policisë Afrim Bunjaku. Pra ndalimi dhe paraburgimi për ish efektivin e policisë së Kosovës Arbnor Spahiun është hakmarrje ndaj këtij procesi, dhe jo vetëm, por Serbia po tregon edhe një herë se nuk i zbaton as marrëveshjet e arritura në Bruksel gjatë procesit të dialogut me Kosovën, që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes së shtetaseve të Kosovës në teritorin e Serbisë”, ka thënë ai.
Ai shton se Serbia po shkel marrëveshjet e arritura në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, konkretisht marrëveshjet që garantojnë lirinë e lëvizjes së shtetasve të Kosovës në territorin serb.
“Në këtë pikë, Brukseli duhet të jetë më i ashpër në reagimin ndaj Serbisë, për faktin se është garantues i zbatimit të marrëveshjeve të arritura në mes Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu duke marrë parasysh sjelljen e Serbisë, e cila nuk i zbaton dhe i shkel marrëveshjet për të cilat është dakorduar, qytetarët e Kosovës, që shërbejnë në institucionet e Kosovës, sidomos në ato të sigurisë, por edhe ish-pjesëtarë të UCK-së, duhet ta shmangun lëvizjen nëpër territor të Serbisë”, ka përfunduar Haziri.