Zhvillimet e fundit në Bruksel, eksperti amerikan me thirrje për Kosovën dhe Serbinë – përmend edhe Trump-in
Profesori dhe eksperti amerikan në shkenca politike, Alon Ben-Meir në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka komentuar dialogun Kosovë-Serbi, i cili ka stagnuar tash e një kohë të gjatë.
Së pari, ai përmendi tre faktorët që kanë ndikuar në ‘bllokim’ të procesit të negociatave.
Në këtë pikë, përmendi edhe ndikimin që ka Trump në këtë proces.
“Ngecja e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës është e rrënjosur në tre faktorë kryesorë: së pari, mungesa e një qeverie të re kosovare që mund të paraqesë ide konstruktive; së dyti, ndryshimi i prioriteteve në Uashington nën administratën Trump dhe vendimet e paparashikueshme dhe shpesh arbitrare të Trump, si dhe marrëdhëniet e tij të tensionuara me BE-në. Dhe së treti, preokupimi i BE-së me krizat më të mëdha gjeopolitike, veçanërisht luftën në Ukrainë, është të rifillojë një dialog kuptimplotë Serbi-Kosovë”, nënvizoi eksperti amerikan.
Krahas kësaj, komentoi edhe takimet e fundit të Soresen me Bislimin në Bruksel, të cilat i cilësoi si sinjal shumë pozitiv.
Madje, kërkoi nga të dy palët të bëjnë kompromise, në mënyrë që të dilet nga ky stagnim.
“Takimi midis të Dërguarit Special të BE-së, Peter Sorensen, dhe Zëvendëskryeministrit në detyrë të Kosovës, Besnik Bislimi, është një hap pozitiv. Qasja e Sorensen u përqendrua në rifillimin e dialogut përmes angazhimit pragmatik dhe ndërtimit të besimit. Ajo që është thelbësore tani është të shmangen takimet simbolike që nuk çojnë askund dhe në vend të kësaj të përqendrohemi në rezultate konkrete. Që kjo të ndodhë, të dyja palët duhet të ulen në tryezën e bisedimeve me një interes të vërtetë për të arritur marrëveshje të përkohshme dhe të jenë të përgatitura të bëjnë kompromise të dobishme për të dyja palët”, vlerësoi ai.
Ndër të tjera, eksperti amerikan propozoi që të nisë një iniciativë të re për rifilim të dialogut.
“Takimi midis Bislimit dhe Sorensen ofron një dritare mundësie për të vendosur një ton të ri, të bazuar në interesa të përbashkëta, dhe për të hapur derën për një iniciativë të re që ofron një rrugë të strukturuar drejt rifillimit të dialogut”, përmbylli Alon Ben-Meir për “Bota sot”.