OPINIONTË FUNDIT

Familja e Haki Imerit “shpërthen” ndaj Abdixhikut: Kërkesat për Qeveri të Unitetit janë për të shlyer….

Ndërkohë, që bllokada po vazhdon në Kuvend, LDK, përmes Lumir Abdixhikut, propozoi një Qeveri Uniteti si zgjidhje për krizën politike.

Ai këtë e ka quajtur këtë një “kontratë nderi” mes partive – ndonëse jo zgjidhjen ideale.

Agjenda 15 pikëshe e LDK-së parasheh:

1. Funksionalizimi i institucioneve kushtetuese. Qeveria e unitetit do të merret me departizimin e institucioneve. Pjesë do të jetë edhe riformatimi i plotë i bordeve të ndërmarrjeve publike. Besojmë se pa interferime partiake u japim frymë ndërmarrjeve.

2. Dakordimi i plotë për rritjen e pagave dhe zbatimin e ligjit.

3. Pakoja emergjente për menaxhimin e krizës energjetike dhe heqja e tvsh-s për çdo faturë të energjisë elektrike. Zgjidhje do t’i jepej edhe krizës së tanishme.

4. Nisja e projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës. Qeveria e unitetit s’mund të bëjë gjithë gazifikimin, por do të nis projektin dhe të dakordohemi që projekti të vazhdojë pas zgjedhjeve të reja të pranverës së 2026.

5. Rindërtimi i raportit me BE-në dhe SHBA-në. Kthimi i besimit politik përmes një qasje të përgjegjshme shtetërore është prioritet i Qeverisë së Unitetit. Do të përgatisim platformë unike nga të gjitha partitë për Dialogun me Serbinë. Ristrukturim i plotë i shërbimit diplomatik që është në kolaps të plotë pas 4 viteve të qeverisjes.

6. Brenda një shumice të tillë do t’i votonim marrëveshjet ndërkombëtare.

7. Vettingu në sistemin e drejtësisë.

8 . Fillimi i projekteve me rëndësi jetike për Kosovën.

9. Do të flasim për reformën kushtetuese në funksion të stabilitetit. Do të trajtonim edhe këtë praktikë që po kalojmë, se a do të duhet të kemi ndryshime kushtetuese. Pra të bëjmë një reset kushtetues.

10. Hartimi i strategjisë kombëtare për reformë të thellë në arsim.

11. Përgatitja për lojërat mesdhetare që po vijnë, e që janë në rrezik.

12. Reforma strategjike e sigurisë dhe mbrojtjes

13. Rishikimi i formulës për buxhetin e komunave

14. Përgatitja për zgjedhje brenda 10 muajve.

15. Mekanizmi i transparencës për periudhën kalimtare. Do të themelonim një mekanizëm monitorues mbi zbatimin e kësaj formule.

Nga familja e Haki Imerit kanë folur për “Bota sot”, sa i përket qeverisë së Unitetit, duke thënë se Lumir Abdixhiku po ndikohet nga PDK dhe SHIK, duke ndjekur një agjendë që dëmton LDK-në dhe e largon nga vlerat rugoviane, ndërsa i shërben interesave të jashtme, përfshirë ato të Edi Ramës.

“Lumir Abdixhiku, për fat të keq, po vepron nën ndikimin e PDK-së dhe strukturave të lidhura me SHIK-un, duke avancuar kërkesa që nuk përputhen me realitetin politik në vend, por që në thelb e fuqizojnë PDK-në dhe e dobësojnë më tej LDK-në. Ai është një parashutist politik që, përmes veprimeve të tij, ka minimizuar trashëgiminë e Ibrahim Rugovës dhe e ka devijuar partinë në një drejtim të huaj për filozofinë rugoviane – në ‘rrugën e re’ me bekimin e Edi Ramës”, thonë nga familja Imeri.

Tutje, thonë se Abdixhiku po vepron jashtë legjitimitetit që i takon fituesve të zgjedhjeve, duke i shërbyer interesave të PDK-së dhe oligarkëve, jo të LDK-së apo qytetarëve. Me këto veprime, ai po dobëson LDK-në si forcë qendrore dhe trashëgimtare e Rugovës, duke u shndërruar në zë të marrëveshjeve të fshehta dhe jo të anëtarësisë së partisë.

“LDK, si parti e tretë në skenën politike, mund të japë propozime, por legjitimiteti për iniciativa të tilla i takon fituesit të zgjedhjeve – LVV dhe GUXO. Veprimet e Abdixhikut janë kalkulime të mirëllogaritura që i shërbejnë PDK-së në planin afatgjatë, ndërsa e çmontojnë pozitën e LDK-së si subjekt i qendrës së djathtë dhe trashëgimtare e projektit rugovian.

Kërkesat që i bën publikisht nuk burojnë nga interesi i qytetarëve apo i LDK-së, por janë përpjekje për të shlyer borxhe politike ndaj oligarkëve që historikisht e kanë kapur shtetin përmes PDK-së. Ai nuk po përfaqëson zërin e anëtarësisë së LDK-së, por interesat e atyre që duan një opozitë të pafuqishme dhe një skenë politike të kontrolluar nga marrëveshje të nëndheshme” – theksohet për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *