Pakësimi i popullsisë është kërcënimi më i madh për t’u asgjësuar si komb!
Mundet që një vend të pushtohet edhe nga një pushtues i egër. Mjafton që ai pushtues të mos i dëbojë vendasit për ta kolonizuar territorin dhe në fund vjen çlirimi. Mundet që një vend tjetër të sundohet nga një vend tjetër, siç ka ndodhur me sundimin e Serbisë në Kosovë. Por vjen një ditë dhe çlirohesh nga ai sundues, siç ndodhi me Kosovën më 12 qershor 1999. Mundet që një armik të bëjë gjenocid, sërishmi siç bëri Serbia në Kosovë për një shekull, si dhe në pranverën e vitit 1999. Por shpresa mund të mos humb dhe kombi mbahet e nuk zhduket. Mundet që një armik të djegë e të shkatërrojë gjithçka, shtëpitë, objektet e biznesit, madje edhe bagëtitë dhe të korrat, ushqimin e një populli. Siç ndodhi edhe kjo në Kosovë, kur forcat ushtarake dhe policore të Serbisë shkatërruan e dogjën gjithçka. Por vjen një moment dhe ringjallesh, e rikthen jetën dhe çdo gjë vjen në normalitet.
Gazeta e madhe gjermane “Frankfurter Rundschau” shkruante në qershor të vitit 1999 se Peja (në shqip), ose Peç (në serbisht) nuk ekziston më. Çdo gjë aty është bërë shkrumb e hi. Sot Peja është Hiroshima e Europës”, thuhej në atë artikull! Fjalë për fjalë këto shkruhen në atë gazetë. E kam parë edhe vetë këtë fakt menjëherë pas luftës, kur vizitova për herë të parë Kosovën, përfshirë dhe Pejën. Pas 26 vitesh prej asaj kohe, Peja është bërë dhjetë herë më e bukur sesa ishte para se ajo të digjej e të shkatërrohej, pra para se të shndërrohej në një Hiroshimë europiane, nga ana e militarëve të Serbisë. Gati-gati janë harruar ato pamje të tmerrshme të verës së vitit 1999.
Por edhe mundet që një vend të shkatërrohet prej fatkeqësive natyrore e sërishmi të gjejë forca e të rivendosë gjendjen e para asaj katastrofe. Sa e sa herë ndodhin tërmete, përmbytje, ciklone, rrëshqitje të tokës dhe bashkë me to edhe shkatërrime dhe humbje të jetëve njerëzore. Megjithatë njerëzit solidarizohen midis tyre dhe nuk e humbin shpresën!
Pse i përmenda të gjitha këto? Për të thënë se gjithçka ka qajre, por vetëm shpopullimi nuk ka. Gjithçka mund të riparohet, shpopullimi nuk riparohet. Gjithçka që i ndodh njeriut mund të zgjidhet, shpopullimi ka pasoja të pazgjidhshme. Vdekja nuk ka zgjidhje e alternativë. Dhe shpopullimi është thjesht një vdekje, por jo e një individi, e një kombi dhe populli. Një popull që pakësohet, ai popull kërcënohet të zhduket. Një komb që nuk lufton për ekzistencën e tij, ai komb është i destinuar të shuhet.
Shqipëria kërcënohet më shumë se kurrë nga pakësimi i popullsisë së saj, pra nga shpopullimi. Nuk e kanë kërcënuar me ekzistëncë Shqipërinë e sotme Londineze as pushtuesit shekullorë e as ata kalimtarë. Nuk e kanë kërcënuar aq shumë as diktatura e egër komuniste dhe as luftërat e shumta, ndonëse gjithmonë lokale. Nuk e kanë dëmtuar Shqipërinë tërmetet e as përmbytjet e shumta, sa po e dëmton shpopullimi në përmasa të frikshme i këtyre 12 viteve. Por kjo epidemi rrezikon edhe Kosovën, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ata të Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi.
Shpopullimi, ose pakësimi i popullsisë është baras zhdukje fizike dhe asgjësim i elementit etnik shqiptar. Është identik ajo që donte të bënte Serbia dhe makineria e saj ushtarake, policore, akademike dhe sinodiane me shqiptarët në Kosovë. Por shqiptarët rezistuan më shumë se një shekull dhe fituan. E dini pse? Sepse nuk lejuan që të pakësohet popullsia. Sepse ruajtën traditën e shtimit të popullsisë, si masa e vetme për të zëvendësuar humbjet e mëdha nga vrasjet dhe masakrat serbe kundër tyre. Nëse në Kosovë do të kishte pakësim të popullsisë shqiptare, sot nuk do të kishim jo më një Kosovë të pavarur, por as edhe një Kosovë shqiptare.
Ndërkohë Shqipëria e Rilindjes e këtyre 12 viteve është pakësuar. Numri i banorëve të saj ulet vazhdimisht. Lindjet janë më keq se në çdo vend të Evropës e të botës. Dhe kjo vjen, sepse në Shqipëri jetojnë më shumë pensionistë, sesa njerëz të moshave aktive për punë. Sepse rinia e Shqipërisë ikën çdo ditë masivisht prej vendlindjes dhe kërkon një jetë më të mirë në Perëndim. Sepse nëntë në dhjetë studentë të thonë, se “sapo të mbaroj studimet do të iki jashtë”! Sepse qeveria dhe qeverisja nuk japin asnjë shpresë, përveç makiazhit dhe fasadës. Kjo është gjëja më e frikshme! Ky është rreziku më i madh që i kanoset Shqipërisë dhe shqiptarëve, rrezik i cili nuk ishte njohur më parë në historinë e tyre. Ndërkohë Kosova duhet të nxjerrë mësime nga ajo që po ndodh në Shqipëri. Mësimi më i madh është përkushtimi për shtetin demokratik të së drejtës dhe ndërtimin e forcimin e institucioneve.
Ndërkaq rrezikun e pakësimit të popullsisë, pra të shpopullimit të shqiptarëve, e rrit në përmasa të frikshme fakti se qeveritarët dalin e thonë “Nuk kemi shpopullim, por kemi emigrim”! “Kjo që na ndodh ne ka ndodhur dhe ndodh edhe në vendet e tjera”! E të tjera justifikime, të cilat flasin për një perspektivë shumë të zymtë. Në fushatë elektorale premtojnë kthimin e shqiptarëve nga emigrimi për të investuar dhe jetuar në Shqipëri. Sapo mbaron fushata, luten që njerëzit të ikin prej këtu. E shohin shpopullimin dhe emigrimin si valvul të shkarkimit të zemërimit dhe revoltës kundër kësaj qeverie antipopullore dhe antikombëtare. Aq e tmerrshme është plaga e shpopullimit, aq i frikshëm është fenomeni i pakësimit të banorëve në Shqipëri, sa duhet marrë shumë seriozisht mundësia e asgjësimit tonë si komb e si popull! Nëse kemi Këshill të Sigurisë Kombëtare, ky këshill këtë plagë duhet ta ketë në rend të ditës çdo ditë!