Ndryshimi i qasjes së Shqipërisë ndaj Kosovës/ Pse Rama po konsiderohet i “rrezikshëm” për shtetin tonë?
Shqipëria nën udhëheqjen e Edi Ramës po mban një qëndrim ndryshe ndaj Kosovës. Rama është parë shumë herë i ‘ftohtë’ me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Por të njëjtën kohë i afërt me Presidentin serb, Aleksandër Vuҫiҫ.
Rama është akuzuar për këto sjellje jo miqësore ndaj Kosovës edhe bashkëvendësit dhe bashkëkombësit e tij.
Ai sërish fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, ndonëse u përmend se një ndryshim qeverisës mund të ndryshonte edhe raportet e Shqipërisë me Kosovën.
Mirëpo, këto ditë u përmend se rasti i Banjskës ka ndryshuar qasjen e Shqipërisë ndaj Serbisë. Por sa ka ndryshuar realisht kjo qasje?
Për këtë ҫështje flet veprimtari dhe njohësi i politikës në Shqipëri, Vendim Demaj.
Marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë në këtë nivel
Ai thotë për ‘Bota sot’ se, këtë sulm e kë dënuar edhe Tirana zyrtare, por që ky qëndrim ka mbetur thjeshtë deklaratë dhe asgjë konkrete.
ImageVendim Demaj.Foto galeri
“Pas sulmit terrorist të forcave speciale dhe paramilitare të Serbisë në Banjskë, qëndrimet ndërkombëtare kanë qenë pro Kosovës dhe të ashpra ndaj Serbisë, ku këtë sinkronizim ka mbajtur edhe qeveria e Shqipërisë, por ky qëndrim i Tiranës zyrtare ka ngelur thjeshtë në kuadër të deklaratave dhe asgjë konkrete, pasi prej disa vitesh dihet se marrëdhëniet mes ndërmjet dy qeverive janë thjesht marrëdhënie hipokrite dhe për këtë përgjegjësia kryesore bie mbi qeverinë e Tiranës, sepse kryeministri autokrat z Rama e trajton qeverinë dhe institucionet e Kosovës si institucione vasale dhe pretendon që ai duhet të jetë dirigjuesi dhe udhërrëfyesi i liderëve të Kosovës”, vlerëson ai.
Demaj thotë se marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës nuk kanë qenë asnjëherë në këtë nivel.
“Me këtë qëndrim aspak vëllazëror dhe jo dashamirës, marrëdhëniet ndërqeveritare mes Prishtinës dhe Tiranës kurrë nuk ka qenë në këtë nivel kaq të ulët dhe kjo vetëm për shkak të ambicieve të sëmura të Kryeministrit Rama që vuan për tu shfaqur tek ndërkombëtarët si “lider i Ballkanit”, thekson Demaj.
Ai thotë se duke ditur se Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në NATO dhe kandidate për në BE, zëri i saj në mbrojtje të Kosovës nuk ka qenë në nivelin që duhet të jetë, por Tirana zyrtare shpesh herë është treguar shumë e ashpër ndaj institucioneve të Kosovës dhe në rastin më të mirë ajo ka mbajtur një ekuilibër reagues ndaj Beogradit dhe Prishtinë.
“Unë nuk dakordësohem aspak me qëndrimin e z Augustin Palokaj, i cili është shprehur se pas sulmit të Banjskës, Shqipëria është afruar me Kosovën, sepse kjo nuk shifet askund në terren dhe ne nuk kemi asnjë afrimitet me vepra qoftë në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, apo në ndonjë qëndrim mbështetës të Tiranës zyrtare në kancelaritë Evropiane pasi dihet se Kosova vazhdon të jetë nën sanksione të BE”, vlerëson ai.
Futbolli si dëshmi e raporteve të afërta Shqipëri-Serbi
ImageSulejman Mehazi.Foto galeri
Po ashtu për këtë çështje ka folur edhe profesori dhe analisti Sulejman Mehazi. Ai thekson se pas sulmeve terroriste serbe në Banjskë, Shqipëria nuk ka ndryshuar qasjen ndaj Serbisë; përkundrazi, argumentet tregojnë se Shqipëria në vazhdimësi, madje edhe pas ngjarjeve në Banjskë, besnikërisht është e lidhur me Serbinë, duke e anashkaluar Kosovën.
“Argumenti më i freskët është lidhja e Federatës së Futbollit të Shqipërisë me Federatën e Futbollit të Serbisë, e cila u pa gjatë ndeshjes Shqipëri-Serbi, në Tiranë, ku policia e Edi Ramës e hoqi, e largoi me dhunë flamurin e UÇK-së nga tribuna e stadiumit vetëm për një qëllim: të mos i prishej qejfi presidentit të Serbisë, Vuçiqit. Madje, për hatër të Vuçiqit, asnjë prej lojtarëve të Kosovës nuk luajti në këtë ndeshje të rëndësishme me Serbinë, ndërkohë që në anën tjetër u mohua dhe u nënçmua emblema më e lavdishme, më e shenjtë e historisë së re shqiptare – krenaria trimërore dhe heroike e Kosovës – UÇK-ja e Adem Jasharajve dhe heronjve të tjerë të paharruar të Kosovës gjatë luftës me Serbinë gjenocidale”, vlerëson Mehazi.
Ai përmend më tutje edhe një argument tjetër, që sipas tij Kosova dhe kryeministri i saj, Albin Kurti më tepër janë të lidhur me Maqedoninë, se sa Shqipërinë.
“Dëshmi tjetër është se Kosova dhe kryeministri Albin Kurti më shumë janë të lidhur me kryeministrin e RMV-së, Mickoskin, sesa me kryeministrin kontravers të Shqipërisë, Edi Ramën, i cili në çdo mënyrë mundohet politikisht ta deklasojë Albin Kurtin. LVV-ja e Kurtit jo vetëm që është parti parlamentare në RMV, por edhe pjesë e qeverisë së Mickoskit”, tha ai.
Tutje, Mehazi thotë se Rama politikisht, kombëtarisht dhe në qarqe diplomatike është i rrezikshëm për Kosovën.
“Argument tjetër është se për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, Edi Rama politikisht, kombëtarisht dhe në qarqet diplomatike është shumë më i rrezikshëm për Kosovën sesa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi. Për Ramën, më shumë vlerë ka Serbia e Vuçiqit sesa Kosova e Kurtit”, thotë Mehazi për ‘Bota sot’.