Armatimi “Made in Albania”, hapet rruga për prodhimin ushtarak
Këshilli i Ministrave në Qeverinë e Shqipërisë, ka miratuar kushtet për nisjen e prodhimit të mjeteve ushtarake dhe të emergjencave civile përmes krijimit të një shoqërie të përbashkët mes shoqërisë kombëtare të prodhimit ushtarak “KAYO” sh.a dhe partnerëve privatë.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu shprehet se ky është një tjetër hap i rëndësishëm drejt rikthimit të industrisë ushtarake shqiptare si një faktor modern dhe i besueshëm, në shërbim të Forcave të Armatosura, Mbrojtjes civile dhe sigurisë kombëtare.
“Hedhim një tjetër hap të rëndësishëm drejt rikthimit të industrisë ushtarake shqiptare si një faktor modern dhe i besueshëm, në shërbim të Forcave të Armatosura, Mbrojtjes civile dhe sigurisë kombëtare. Këshilli i Ministrave ka miratuar kushtet për nisjen e prodhimit të mjeteve ushtarake dhe të emergjencave civile përmes krijimit të një shoqërie të përbashkët mes shoqërisë kombëtare të prodhimit ushtarak “KAYO” sh.a dhe partnerëve privatë”, shkruan Vengu në një postim në rrjetet sociale, shkruan ATSh.
Sipas vendimit, shoqëria e re aksionare do të regjistrohet në Shqipëri dhe do të veprojë në përputhje me ligjin për shoqëritë tregtare, me qëllim, mes të tjerave, prodhimin ose përshtatjen e mjeteve motorike të posaçme për t’u përdorur nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e sigurisë dhe të emergjencave civile.
Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të ketë një pjesëmarrje jo më të ulët se 45% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqërinë private, sipas këtij vendimi.
Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar, me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 m2, që do t’i vihen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
“Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti me të cilin negocion, minimalisht: një vlerë investimi jo më të ulët se 15 milionë euro në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve; punësimin e jo më pak se 150 (njëqind e pesëdhjetë) punonjësve në harkun kohor të 3 (tre) vjetëve; ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të mjeteve të blinduara, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të standardeve të NATO-s; sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve, në rast eksporti”, thuhet në vendim.
Shoqëria “KAYO” do të emërojë minimalisht 50% të këshillit drejtues ose mbikëqyrës të shoqërisë
“Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë negociatave ofron nëpërmjet strukturave të ruajtjes dhe sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë garancinë e sigurisë fizike të ambienteve të prodhimit të mjeteve ushtarake, të dhënat teknike dhe tregtare në lidhje me këto mjete dhe sigurimin e çdo informacioni teknik dhe projektimi të këtyre mjeteve, në përputhje me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e tyre”, thuhet në vendim.
Shoqëria e re do të ketë gjithashtu të drejtën të furnizojë Forcat e Armatosura të Shqipërisë me mjetet e prodhuara
Qeveria ngarkon shoqërinë shtetërore “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.