Ndalohet përdorimi i simboleve serbe për festën e “Vidovdanit” në Gazimestan
Edhe pse nuk është një festë zyrtare në Kosovë, komuniteti serb çdo vit më 28 qershor shënon “Vidovdanin” në Gazimestan, në rajonin e Prishtinës, duke përdorur simbole dhe flamuj të shtetit serb.
Megjithatë, nga ky vit, kjo praktikë nuk do të lejohet më. Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që të ndalojë përdorimin e simboleve dhe flamujve shtetërorë të Serbisë gjatë shënimit të kësaj feste.
Ky vendim erdhi pas një padie të ngritur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ndaj Komunës së Graçanicës, e cila kishte miratuar më parë një vendim që lejonte përdorimin e simboleve serbe në ceremonitë e Vidovdanit.
Sipas dokumentit të siguruar nga Telegrafi, Gjykata Themelore ka aprovuar në tërësi padinë e MAPL-së dhe ka anuluar vendimin e Komunës së Graçanicës.