Halil Geci vjen me një reagim publik ndaj Lutfi Hazirit, ja për çka bëhet fjalë!
Ai përmes një postimi në Facebook iu kundërpërgjigj një deklarate ku Haziri thotë se “ne LDK-ja e kemi përjashtuar Listën Serbe që nga viti 2015”.
Sipas Gecit, deklaratat e tilla nuk janë befasi por “vazhdimësi e një politike që ka minuar vazhdimisht interesin shtetëror të Kosovës”.
closevolume_off
Madje, ai i bëri thirrje Abdixhikut për përjashtim të Hazirit nga partia.
“Z. Lumir Abdixhiku, nëse vërtet ke ndër mend të shpëtosh atë që ka mbetur nga LDK-ja, është koha të ndërpresësh bashkëpunimin me këta individë që e kanë përdorur partinë si trampolinë për karrierë dhe pasurim, ndërsa idealin rugovian e kanë shndërruar në flamur mashtrimi”, shkroi ndër të tjera, Geci, transmeton “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Lutfi Haziri – shtylla kryesore e tradhtisë politike në Kosovë!
Reagim publik ndaj Lutfi Hazirit
I nderuar opinion publik,
Pa ndihmën e Lutfi Hazirit, nuk do të vinte në krye të LDK-së bashkëpunëtori i Rrahman Morinës, e as në krye të shtetit spiuni franko-serb – “Polari i Brojës”. Pikërisht ky njeri, që sot ende flet si hijenë politike nëpër studio televizive, mbetet zëri më i shëmtuar i degradimit të trashëgimisë rugoviane.
Po e ndjej si detyrë qytetare dhe morale të reagoj ndaj deklaratave të fundit të z. Haziri, që për fat të keq nuk përbëjnë ndonjë befasi – por janë vazhdimësi e një politike që ka minuar vazhdimisht interesin shtetëror të Kosovës dhe ka ndotur idealin e pastër të Ibrahim Rugovës.
Në vend se të kërkojë falje për dëmet që ka shkaktuar, Lutfi Haziri vazhdon të relativizojë aleancat e tij të turpshme me Listën Serbe dhe me strukturat kriminale të PDK-së – parti e individë që jo vetëm kanë ndërtuar pushtetin mbi gjakun e atdhetarëve të LDK-së, por edhe kanë kapur shtetin për interesa personale dhe të huaja.
Pa ndihmën e tij dhe pa heshtjen e tij të qëllimshme, nuk do të ishin bërë pazaret e ndyra politike që e kanë zhbërë LDK-në dhe kanë dëmtuar themelet institucionale të Republikës së Kosovës. Ishte Haziri që i dha legjitimitet këtij kursi fatal, herë si bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë, herë si garantues në hije.
Është fakt historik që ndër zërat e parë që ka folur për ndarjen e Kosovës në tryezat ndërkombëtare ishte pikërisht ai – në kohën kur Presidenti Rugova ishte ende gjallë dhe e kishte tërhequr publikisht vërejtjen që të mos fliste në emër të LDK-së. Ajo sjellje ishte tradhti ndaj partisë, ndaj shtetit dhe ndaj qytetarëve që besonin në rrugën institucionale të Rugovës.
Gjithashtu, lidhjet e tij të ngushta me krerët e PDK-së – shumë prej të cilëve të akuzuar për vrasjen e kuadrove më të çmuara të LDK-së – janë dëshmi tjetër e rrugës që ka ndjekur Haziri për përfitime personale, në kurriz të sakrificës së shumë brezave.
Z. Lumir Abdixhiku, nëse vërtet ke ndër mend të shpëtosh atë që ka mbetur nga LDK-ja, është koha të ndërpresësh bashkëpunimin me këta individë që e kanë përdorur partinë si trampolinë për karrierë dhe pasurim, ndërsa idealin rugovian e kanë shndërruar në flamur mashtrimi.
Sot, populli e di mirë kush i ka shërbyer interesit të vendit dhe kush e ka kthyer politikën në një instrument të tradhtisë kombëtare.