TË FUNDIT

Kurti: Suksesi i Kosovës pas përfundimit të luftës është edhe sukses i NATO-s

Në prag të Ditës së Çlirimit të Kosovës, sot u mbajt pritje e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për të shënuar ditën kur 26 vjet më parë ndodhën intervenimet e NATO-s. Në këtë ngjarje mori pjesë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.

Në fjalën e tij të rastit, kryeministri u shpreh se duke e shënuar këtë ditë historike, kemi rastin për t’i falënderuar të gjithë ata që kontribuan në luftën çlirimtare të popullit tonë. Teksa veçoi se para 26 vjetësh, 19 vende të NATO-s, u bashkuan për t’i dhënë fund gjenocidit të regjimit të Millosheviqit, “kasapit të Ballkanit”, ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Çlirimi i popullit tonë, me 12 qershor 1999, erdhi pas 78 ditëve të bombardimeve mbi Serbinë dhe pozicionet e saj ushtarake në territorin e Kosovës. Me kalimin e dekadave, shënimi i kësaj dite, dhe përkujtimi i dëshmorëve dhe i viktimave, po bëhen më shumë, jo më pak, të rëndësishme. Kjo për arsye se, çdo vit e më tepër, po shtohen përpjekjet nga Serbia dhe Rusia për të rishkruar historinë: në njërën anë për të vënë në dyshim drejtësinë dhe justifikimin e intervenimit të NATO-s, dhe në anën tjetër për të keqpërdorur atë si precedent për agresionin e paprovokuar ndaj Ukrainës.” tha ai.

Në vijim kryeministri theksoi se në periudhën e viteve 1998–1999, diskriminimi dhe shtypja e dhunshme ndaj popullatës shqiptare të Kosovës, u shndërruan në gjenocid dhe në spastrim etnik. Po ashtu përmendi se me qindra masakra janë kryer, 12 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë, 20 mijë gra dhe burra janë përdhunuar, 860 mijë persona u dëbuan jashtë vendit dhe gjithsej 80% e popullsisë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *