OPINIONTË FUNDIT

Albulenë Haxhiu, Saranda Bogujevci apo Glauk Konjufca, kush sipas Zeqiraj duhet të jetë Kryetar Kuvendi?!

Publicisti dhe veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj ka thënë se Albulena Haxhiu nuk është e pëzvendësueshme për kryetare kuvendi, por ka një histori të veҫantë si nga veprimtaria, ashtu edhe nga familja e saj.

“Realisht, Albulenë Haxhiu nuk është e pazëvendësueshme nga radhët e LVV, për postin e kryetares së Kuvendit. Por, parimisht, emri dhe e gjithë veprimtaria e saj, ka shumë veçantira, qoftë si individ, ashtu edhe familjar, madje të vajzërisë dhe të nusërisë. Gjyshi një disident dhe burgaxhi politik, qysh në vitet `60-a e këtej; nga familja e bashkëshortit, Krasniqët e Malishevës, qëndresetarë karshi pushtuesit dje dhe sot. LVV, tashmë, ka kuadro të përgatitur, për ta mbuluar dinjitetshëm postin e kryetarit të Kuvendit. Andaj është e sikletshme për të veçuar një apo ndoca emra për titullarin, në mesin e asaj plejade shkollarësh numerikë. Citojmë vetëm njërën syresh – Arbreshë Hyseni Kryeziun. Megjithatë, Albulenë Haxhiu-Krasniqi është në vendin e duhur dhe nuk duhet lëvizur që andej”, vlerëson ajo.

Zeqiraj thotë se, janë lakuar nga opozita, të paktën, tre emra, edhe pse ajo nuk është e thirrur dhe nuk i takon asaj të propozojë kuadrin e pozitës. Megjithatë, ai sqaron kandidatët e pranueshëm nga opozita, për postin e kryesuesit të Kuvendit.

ImageIdriz ZeqirajFoto galeri
“Sipas kryministrit Albin Kurti, kandidatura e Glauk Konjufcës përjashtohet, meqë do të jetë pjesë e qeverisjes në pritje dhe nuk kthehet në legjislativ. Opozita e ka vlerësuar atë me notë pozitive, jo konfliktuoz, përkundrazi përbashkues, në kuadrin e skenës politike aktuale. Saranda Bogujevci është një vajzë, një nuse, një nënë e, mbi të gjitha, një qëndresëtare e pashoqe, me personalitet, dinjitet dhe integritet unik. Edhe pse me 16 plagë në trup, e mbijetuar, nga ploja-masakër e familjes, gjënë forcë për të vazhduar, ushtruar misionin e deputetes të popullit, duke qenë vetja e saj, në mendime dhe veprime”, tha ai.

Zeqiraj thekson se me rastin e të drejtës, për shtatezani pa martesë klasike, me asistencë profesionale mjekësore, me mbarësim anonim, Sarandë Bogujevci e mbrojti, e para, të drejtën njerëzore, për të lindur, për t`u bërë nënë, madje nga tribuna e Parlamentit të Kosovës. Ajo theu tabunë konservatore e fanatike, kanunore e fetare, të cilët në emër të një nderi artificial e hipokrit, e kundërshtuan, madje e anatemuan për “blasfeminë”, mëkatin e saj. Dhe, kur barku i saj po formësohej me shtatzëninë, Saranda, çiltërisht e krenarisht, deklaroi se “unë kam një shok, edhe pse i pa njohur nga ju!”

“Mbrojtja e shtatzënisë të asistuar mjekësore ka dy arsye: a) njerëzore dhe b) kombëtare Emigracioni masiv nga Kosova për në Evropë dhe gjetkë në botë, ndikoi në shpërputhjen gjinore në Kosovë dhe shqiptarinë mbarë. Për rrjedhojë, jo pak vajza nuk patën rastin dhe fatin të krijojnë familje, të martohen. Në mesin e tyre janë disa sosh edhe në Parlamentin e Kosovës. Atëherë pse të mos u jepet mundësia edhe vajzave të vonuara në martesë, të bëhen nëna, të lindin fëmijë? Të bëhesh nënë, pavarësisht moshës, është jo vetëm njerëzore, por edhe hyjnore. Në aspektin kombëtar, ka një rëndësi të veçantë, demografinë, riprodhimin, shtimin e popullsisë, fort i nevojshëm për Atdheun tonë, i rrethuar me lakmitarë të tokave tona”, tha Zeqiraj.

Ai thotë më tutje se, Saranda Bogujevci, në cilësinë e nënkryetares të Kuvendit, ka shkëlqyer. Ajo do të ishte po kaq e aftë edhe në rolin e kryetares të Kuvendit.

“Por, Parlamenti i Kosovës, në veçanti, ai i opozitës PAN-iste, është rrast i kontaminuar me kriminelë, e sidomos me mbështetës të krimit dhe të kriminelëve, të cilët, me rrugaçerinë e tyre në debate e fjalime boshe e irrituese, provokojnë deputetët tjerë, popullin dhe shqiptarët. Saranda, përjetuese e drejtpërdrejtë, e një masakre personale e familjare, e mbijetuar nga një gjendje traumatike, është emocionale dhe super ngarkesë, përballë horrakve dhe zuzarëve të bollshëm në Parlament! Andaj, duhet ta ruajmë me përkujdesje të veçantë, duke e vënë në poste meritore, por të përballueshme dhe me qetësinë e duhur”, thotë ai.

Ndërkaq rasti i propozimit të tretë, Zeqiraj thotë se nga opozita e poshtër dhe provokative, është paksa më i veçantë. Sipas tij, ajo është viktimë e “komandantëve” kriminelë, të cilët i kanë bërë pjesë të krimeve të tyre këtë njomëzake dhe të tjerë.

“Është, të paktën, një dëshmi e një viktime, denoncues të goditjes, të përsëritur, me shkop, të shoqëruar me fjalët “koke i mirë për dajak”, edhe pse ai ishte një oficer koxha në moshë, duar lidhur, në burgun e improvizuar, në Cahan të Kukësit. Ushtarja e uniformuar rinore, tani deputete, nuk e ka mohuar dhe as demantuar denoncimin publik të viktimes. Për eprorët e saj, viktima ka dëshmuar në Gjyqin e Hagës, madje pa kod mbrojtës. Fajësi kanë edhe ata eksponentë të subjekteve politike, të cilët bëjnë përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Është opozita e kriminalizuar, e cila provokon popullin e Kosovës dhe shqiptarët botërorë, duke i vënë figura koxha të lënduara në krye të institucioneve shtetërore. Kjo vlen dhe për Fatmir Limaj dhe ata që bisedojnë me atë, për koalicion dhe aq më keq, madje kriminale, ta gëzojë postin e kryekuvendarit! Lërini përrallat e “pafajësive”, nga gjykatat vendore dhe ndërkombëtare!? Shihni shtatoret dhe varret e vrasjeve numerike cilësore politike! Mos i rivrani viktimat dhe mos lëndoni shumë-mijëra familje të viktimave me farefisni, miqësi e dashamirë të tyre”, thotë Zeqiraj për ‘Bota sot’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *