Sveçla për Stacionin Policor në Zveçan: Aty do të shërbejë Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkruar për përurimin e Stacionit të ri Policor në Izvor të Zveçanit.
Në një postim në Facebook, Sveçla ka bërë të ditur se në zonën kufitare me Serbinë, në këtë stacion do të shërbejë Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit.
“Në zonën kufitare me Serbinë, në këtë Stacion Policor, do të shërbejë Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit, e cila tashmë me të gjitha kapacitetet do të mbrojë kufirin e parandalojë aktivitetet ilegale që cënojnë sigurinë e Republikës sonë. Do të vazhdojmë mbështetjen e parezervë për Policinë e Kosovës, si garanca e Kosovës së sigurt, me sovranitet e integritet të plotë territorial”, ka shkruar Sveçla.