Nga stërvitjet tek armatimi/ Më 13 qershor SHBA forcon FSK-në – ja mesazhi për Serbinë!
Më 13 qershor, Kosova do të hedh një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të sigurisë dhe aleancave ndërkombëtare përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje historike në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo marrëveshje kornizë, e para e këtij lloji mes Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, shënon jo vetëm forcimin e lidhjeve dypalëshe në fushën ushtarake, por edhe një konfirmim të qëndrueshëm të mbështetjes amerikane për sigurinë dhe zhvillimin e institucioneve të mbrojtjes në vend.
Lajmi u bë i ditur nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili e cilësoi këtë marrëveshje si një moment historik për ushtrinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Ministri shtoi se kjo marrëveshje përfshin bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, duke përfshirë prodhimin e sistemeve të armatimit dhe municioneve së bashku me SHBA-në.
Po ashtu, marrëveshja përfshin edhe mbrojtjen ajrore, që do të sigurojë sisteme për mbrojtjen e Kosovës nga sulmet e mundshme ajrore.
Ai ka theksuar se përkundër sfidave të kaluara, ushtrimi Defender Europe 2025 është një nga arritjet më të mëdha të Kosovës në bashkëpunimin me SHBA-në dhe partnerët e NATO-s.
E duke u bazuar në këtë marrëveshje si mund të ndikojë kjo marrëveshje në ekuilibrat e sigurisë në rajon, veçanërisht në raport me Serbinë dhe interesat ruse në Ballkan?
Elezi: Mbështetje direkte për zhvillimin e FSK-së
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Bedri Elezi.
Ai thotë se se marrëveshja nuk është thjesht një dokument formal, por një hap konkret drejt thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën ushtarake. Kjo tregon se Kosova po rrit besueshmërinë e saj si partnere e SHBA-së në fushën e sigurisë.
Gjithashtu, shprehet se qëllimi kryesor është profesionalizimi i FSK-së, që do të thotë trajnime, ngritje e kapaciteteve, dhe modernizimi përmes pajisjeve ushtarake – një hap ky drejt ndërtimit të një ushtrie funksionale sipas standardeve ndërkombëtare.
“Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se më 13 qershor do të nënshkruhet një marrëveshje në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo marrëveshje synon realizimin e projekteve dhe programeve të përbashkëta mes dy vendeve.
Marrëveshja, e cila paraqet një kornizë bashkëpunimi, do të nënshkruhet mes Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së. Qëllimi kryesor i saj është mbështetja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në procesin e profesionalizimit dhe furnizimin me pajisje të ndryshme ushtarake. Ndër këto pajisje përfshihen edhe ato teknike në fushën e komunikimit, të cilat SHBA-ja i vlerëson si mjaft të rëndësishme”, u shpreh ai.
ImageBedri EleziFoto galeri
Ndër të tjera, eksperti theksoi që FSK do të përfitojë trajnime dhe armatim modern nga SHBA-ja, kryesisht për qëllime mbrojtëse dhe në përputhje me planet strategjike të Kosovës.
Po ashtu, do të ketë pajisje ajrore dhe ngritje të njësive të reja që do trajnohen edhe në bashkëpunim me NATO-n, me synim forcimin afatgjatë të kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
“Përmes kësaj marrëveshjeje, FSK do të përfitojë gjithashtu trajnime për përdorimin e armatimeve të ndryshme, të cilat pritet të sigurohen së shpejti nga SHBA-ja. Armatimi do të jetë kryesisht në funksion të mbrojtjes, në përputhje me planet konkrete të FSK-së për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Përveç pajisjeve të zakonshme ushtarake, në fokus do të jenë edhe mjetet ajrore – përfshirë fluturaket e shpejta – për të cilat pritet që ekipet e FSK-së të trajnohen posaçërisht. Po ashtu, marrëveshja parasheh pajisje dhe armatime moderne për strukturimin dhe ngritjen e njësive të reja të FSK-së, të cilat në të ardhmen do të trajnohen edhe në bashkëpunim me NATO-n. Këto investime synojnë një avancim të qëndrueshëm dhe të koordinuar të kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës”, foli Elezi për “Bota sot”.
Softa: Marrëveshja Kosovë–SHBA: Hapur një kapitull i ri në sigurinë rajonale
Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Fatjon Softa në një bashkëbisedim me “Bota sot”, theksoi se më 13 qershor 2025, Kosova dhe SHBA do të nënshkruajnë një marrëveshje të rëndësishme në fushën e mbrojtjes, që synon forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe strategjik.
Marrëveshja përfshin trajnime, investime dhe ngritje kapacitetesh për FSK-në, si dhe rrit ndërveprueshmërinë mes dy ushtrive. Ky hap shihet si kontribut i drejtpërdrejtë për stabilitetin rajonal.
“Më 13 qershor 2025, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të nënshkruajnë një marrëveshje historike për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. Kjo marrëveshje do të shënojë një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe strategjik ndërmjet dy vendeve.
Çfarë përmban marrëveshja?
Sipas deklaratave zyrtare, marrëveshja do të mbulojë periudhën 2025–2030 dhe përfshin këto komponentë kryesorë
· Stërvitje dhe trajnime të përbashkëta ushtarake
· Ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes
· Investime të përbashkëta në industrinë e mbrojtjes
· Rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave të armatosura të dy vendeve
· Kjo marrëveshje është pjesë e politikave strategjike për forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe kontributin në stabilitetin rajonal”, u shpreh ai.
Tutje, Softa përmend ndikimin që kjo marrëveshje do të ketë në rajon, forcimin e pozicionit të Kosovës, si dhe shqetësimin që Serbia ka shprehur.
Ndikimi në rajon
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje pritet të ketë ndikime të rëndësishme në ekuilibrat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në tri drejtime:
Forcimi i pozicionit të Kosovës
Marrëveshja pritet të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Kosovës dhe të forcojë partneritetin strategjik me SHBA-në, duke kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
Reagimi i Serbisë
Serbia ka shprehur shqetësime lidhur me bashkëpunimet ushtarake në rajon që e përjashtojnë Beogradin. Kjo marrëveshje mund të perceptohet nga Serbia si një sfidë ndaj interesave të saj, duke ndikuar në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Balancimi i fuqisë në rajon
Sipas analistëve, marrëveshja ndihmon në balancimin e fuqisë në rajon, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve të fundit ushtarake dhe të aleancave të reja që po formohen në Ballkanin Perëndimor”, shpjegoi ai.
Në fund, ai shtoi që marrëveshja Kosovë–SHBA është një hap strategjik që forcon kapacitetet mbrojtëse të Kosovës dhe ndikon në sigurinë rajonale.
Gjithashtu, potencoi se stërvitjet dhe bashkëpunimi ushtarak dërgojnë mesazhe të qarta ndaj ndikimeve ruso-serbe e kineze, duke e rritur rolin e SHBA-së në rajon.
“Marrëveshja e planifikuar për më 13 qershor midis Kosovës dhe SHBA-së përfaqëson një hap strategjik drejt forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe thellimit të marrëdhënieve dypalëshe. Ajo pritet të ketë ndikim të ndjeshëm në ekuilibrin e sigurisë në rajon, si dhe në marrëdhëniet me Serbinë, duke theksuar nevojën për dialog dhe bashkëpunim për ruajtjen e paqes në Ballkanin Perëndimor.
Këto hapa gradualisht po forcojnë stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës dhe të tërë rajonit, duke reflektuar interesimin strategjik të SHBA-së për Ballkanin. Stërvitjet e përbashkëta përbëjnë sinjale të qarta ndaj faktorëve ruso-serbë dhe kinezë, duke treguar se Uashingtoni po luan një rol aktiv në rikonfigurimin e sigurisë rajonale, ku Serbia duket gjithnjë e më e anashkaluar”, përfundoi eksperti i sigurisë, Fatjon Softa për “Bota sot”.