POLITIKATË FUNDIT

“E pafalshme e antishqiptare”, publicisti shqiptar reagon ashpër pas heqjes së flamurit të UÇK-së nga stadiumi

Gjatë zhvillimit të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë, forcat e sigurisë shqiptare kanë larguar nga tribuna një flamur me logon e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ky veprim ka nxitur reagime të shumta nga përfaqësues politikë dhe qytetarë në Kosovë, të cilët e kanë konsideruar si të papranueshëm dhe si një akt që cenon historinë dhe dinjitetin e luftës çlirimtare.

Deri më tani, autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë një sqarim zyrtar për këtë ndërhyrje, ndërsa në rrjetet sociale po shtohen kritikat ndaj mënyrës së menaxhimit të simboleve kombëtare gjatë ndeshjes.

Publicisti Milaim Nela, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se largimin e flamurit me logon e UÇK-së nga stadiumi “Air Albania” gjatë ndeshjes Shqipëri–Serbi, e cilëson si një veprim që thellon ndasitë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndonëse thekson se është kundër retorikës nacionaliste në stadiume, Nela kritikon mënyrën e ndërhyrjes nga policia, përfshirë edhe largimin e dhunshëm të një tifozi me stemën e UÇK-së në bluzë.

Ai kujton se UÇK-ja nuk është organizatë terroriste, por forcë që ka luftuar për liri dhe ka pasur përkrahjen e NATO-s.

“Ndeshja mes Kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë në Tiranë të shtunën që kaloi nxorri edhe njëherë në pah ndasitë që duken se po thellohen gjithnjë e më shumë mes Kosovës e Shqipërisë.

Këtë e dëshmoi heqja gati në mënyrë të dhunshme e një flamuri të UÇK-së në një nga tribunat e stadiumit ‘Air Albania’ në Tiranë.

Le ta bëj të qartë që në krye të herës që personalisht jam kundër përdorimit të retorikës nacionaliste e simboleve luftarake në stadiumet e futbollit.

Por heqja e atij flamuri dhe në mënyrën që u bë la një shije të keqe sidomos për mënyrën si u hoq.

Po ashtu pamë forca të dendura të policisë që që nxorrën dhunshëm një tifoz krejt të qetë nga stadiumi vetëm se ai kishte një stemë të UÇK-së në bluzën e tij.

Stema e UÇK-së mund të mos ju pëlqejë serbëve por nuk është simbol i një organizate terroriste por simbolizon luftën e një populli që ka luftuar pêr lirinë e tij luftë se cilës ju bashkua aleanca më e fuqishme në botë ajo e NATO-s.

Ushtarët e UÇK-se nuk kanë vrarë as gra as fëmijë e megjithëse jo e organizuar nga shteti pasi Kosova nuk ishte shtet ka zbatuar me fanatizëm rregullat e luftës fer duke mos kryer krime as në civilë, gra apo fëmijë siç ka bërë ushtria e rregulltë serbe.

Nuk ka asnjë ligj apo rezolutë ndërkombëtare që denon luftën e UÇK-së apo simbolet e saj”, thotë ai.

Sipas Nelës, heqja e simboleve të luftës çlirimtare, sidomos në kryeqytetin shqiptar, përbën fyerje për gjakun e dëshmorëve dhe përkujton padrejtësisht të zhdukurit e luftës. Ai thotë se kjo po ndihmon në mënyrë të rrezikshme kriminalizimin e luftës së UÇK-së në opinionin ndërkombëtar.

Nela përmend edhe mosreagimet e kaluara institucionale, si në rastin e dënimit të Xhakës dhe Shaqirit për simbolin e shqiponjës, duke i quajtur shenja të një qëndrimi të gabuar dhe të rrezikshëm, që tani, sipas tij, po përsëritet nga vetë shqiptarët

Në fund, ai paralajmëron se nëse shqiptarët vazhdojnë të ndëshkojnë simbolet e tyre, nuk mund të ankohen më kur të tjerët i ndëshkojnë për to.

“Heqja e këtyre simboleve dashje pa dashje po e kriminalizon këtë luftë dhe këto simbolet në sytë e opinionit ndërkombëtar.

Kjo është e pafalshme të ndodh në kryeqytetin e shtetit shqiptar.

Kjo është fyerje për gjakun e atyre qe kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës është rivrasje e të zhdukurve që akoma nuk kanë varr. Kjo nuk duhet të bëhet nga shqiptarët.

Edhe kjo i shton një fyerje tjetër shqiptarëve të Kosovës nga FSHF pas asaj që i bëri atyre duke bashkëorganizuar kampionatin Europian të futbollit të moshave bashkë me Serbinë.

E pafalshme e antishqiptare.

ImageMilaim NelaFoto galeri
Deri diku do ta justifikoja largimin e flamurit të UÇK-së por kurrsesi jo në atë mënyrë por nxjerrja e tifozit pse mban simbolin e UÇK-se në bluzë është antishqiptare është tejet kriminale.

Para disa vitesh Federata Helvetike dënoi Xhakën dhe Shaqirin për berjen e simbolit të shqiponjës me duar.

Ai simbol nuk është as simbol i Shqipërisë se Madhe siç shpifin serbët, as i Shqipërisë etnike e as simbol fyes për ndonjë komb e vend tjetër.

Është thjesht simbol i përkatësisë shqiptare dhe simbolizon të qenurit shqiptar!

Nuk reaguan në atë kohë as federatat shqiptare dhe as qeverite e Kosoves dhe Shqiperise dhe kjo i hapi rrugë kriminalizimit të simboleve shqiptare.

Dhe rezultati i atij mosveprimi është denimi i shqipaterev ne çdo stadium se pse ata manifestojne përkatësine e tyre kombetare pa ofenduar askënd.

E kjo tani bëhet jo vetëm nga të huajt por vetë shqiptarët.

Kjo nuk arsyetohet nga asnjë rregull e asnjë ligj Kombëtar apo ndërkombëtar.

Kur ne shqiptarët vrasim veten nuk duhet të ankohemi kur na vrasin të tjerët.

Po ashtu të papranueshme reagimet e eksponenetve publike e mediatike në menyre kozmopolite duke u bërë më katolike se Papa e duke denuar jo ata qe hoqen simbolet por ata që i mbartën në Tiranë!

Tani nuk ka ngelur gjë tjetër vetëm për heqjen dhe kriminalizimin e flamurit kuq e zi!” – përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *