Profesori dyshohet se goditi kolegen në Universitetin “Ukshin Hoti”, rasti nën hetim për lëndim të lehtë trupor
Një punonjës akademik i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren dyshohet se të martën ka goditur një punonjëse akademike gjatë mbajtjes së një mbledhjeje në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.
Rasti në fjalë është raportuar në Policinë e Kosovës, që ka nisur hetime lidhur me veprën lëndim i lehtë trupor.
Zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi për Telegrafin ka bërë të ditur se të martën rreth orës 11:30, Policia e Kosovës në Prizren është njoftuar për një incident të ndodhur në ambientet e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, gjatë mbajtjes së një mbledhjeje në Fakultetin e Filologjisë.
“Sipas informatave të para, njëra nga palët e përfshira dyshohet se është goditur në qafë me dokumente apo me bërryl nga një person i pranishëm në mbledhje, profesor në universitet. Personi i dëmtuar, profesoreshë në universitet. Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe e ka informuar Prokurorin e Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prizren. Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor””, ka thënë Bytyqi.
Javë më parë, edhe një profesoreshë në Universitetin “Ukshin Hoti” pat denoncuar një koleg të saj për kërcënim.