“Opozita nuk e do femrën më të votuar për kryeparlamentare…”, veprimtari nga Gjermania tregon pse po refuzohet Haxhiu!
As seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës nuk e zgjidhi ngërҫin politik. Edhe seanca e 26-të ishte e dështuar, deputetët e zgjedhur nuk arritën të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës.
Për situatëe e krijuar, veprimtari dhe publicisti Idriz Zeqiraj thotë se bllokada e Kuvendit është një precedent. Ai thotë se opozita e bashkuar, më saktë, e koalicionuar pas zgjedhjeve, nuk pranon koalicion me partinë fituese, LVV, me arsyetime hiç bindëse.
“Të mësuar me pushtetin abuziv, korruptiv, hajni zyrtare, edhe pas humbjes fatale, duan të kthehen, dhunshëm në pushtet. Përtej një muaji, një seancë kuvendore përsëritet në çdo 48 orë. Kryesuesi i seancës propozoi seancë javore, por opozita destruktive nuk e pranoi propozimin, me qëllim dramatizimi e fajësimi të pozitës, për mosdorëzimin e pushtetit në tavolinë, edhe pse ka qenë fituese, pothuajse, plebishitare. Pas një radhë dështimesh me votim të hapur, për zgjedhjen e krye kuvendares, pozita kërkoi votim të fshehtë, ashtu siç e parasheh edhe Kushtetua. Opozita pretendon se seanca ka filluar me votim të hapur dhe kështu duhet vazhduar. Sepse në mes të seancës nuk mund të ndryshohet në votim të fshehtë! Derisa Kushtetuta e ka të ligjësuar votimin e fshehtë, arsyetimet tjera janë jo logjike, në mos idioteske. Fundja, votimi i fshehtë është kurorë e demokracisë dhe dëshmon lirinë dhe integritetin e deputetit. Broçkullat e shefave të grupeve parlamentare se, gjoja, deputetët kanë integritetin e tyre, për ta shprehur vullnetin e lirë, edhe me votim të hapur, me ngritje dore, janë gënjeshtër e kulluar”, vlerëson Zeqiraj.
Ai thotë më tutje se, në vend që ta praktikonin votimin e fshehtë pa ngurrim, deputetë nga PDK, LDK, AAK, çështjen e dërgojnë në Kushtetuese për shqyrtim, duke e ditur se kjo mund të zgjasë 60 ditë.
“Nuk përbën lajm nëse themi të vërtetën, se shqiptarët nuk shquhen për sinqeritet dhe guxim, për ta shprehur vullnetin personal me votim të hapur, andaj votimi i fshehtë është i domosdoshëm. Tashmë, të gjithë janë në pritje të opinionit të Gjykatës Kushtetuese, nëse është në favor për të drejtën e votimit të fshehtë, ashtu siç e përcakton edhe Kushtetuta. Nëse arrihet pajtueshmëria për këtë mënyrë votimi, atëherë merr fund edhe ngërçi kuvendor. Në rast të dështimit të këtij votimi, rizgjedhjet janë të pritshme, në mos të pashmangshme. Bashkimi i datës zgjedhore lokale me ato qendrore, është një zbutje e dramës, për kursimin buxhetor. Dhe, kjo nuk është pak, për hallet e shtetit tonë Kosovë”, tha ai.
Zeqiraj e quan poshtërsi refuzimin për ta votuar deputetën femër si kryeparlamentare, kur të njëjtit sipas tij, kanë votuar për president një agjent të tri shërbimeve informative dhe një kryetar kuvendi që ishte themelues dhe drejtues të një Organizate ilegale dhe kriminale SHIK.
“Është paradoks, për të mos thënë poshtërësi, refuzimi i deputetes femër më të votuar, me tej 150 vota, Albulenë Haxhiun. Ajo, si opozitare, për dy dekada radhazi, ka denoncuar dhe kundërshtuar, madje me vrazhdësi unike, pazaret e pista të qeverive paraprake; marrëveshjet fatale për Kosovën, të cilat vazhdojnë ta rrezikojnë Kosovën tonë. Ky parlament i çoroditur, fjala është për opozitën aktuale, ka votuar një president, agjent i tri Shërbimeve Informative të shteteve armike dhe një kryetar Kuvendi, themelues dhe drejtues të një Organizate ilegale dhe kriminale SHIK, për çka është në përballje me akuza faktike penalizuese edhe sot”, thotë Zeqiraj për ‘Bota sot’.
Ai thotë se opozita nuk ka qenë serioze në kërkesat e saj. Propozoni një emër tjetër, për kandidat të kryekuvendarit, sepse Albulena e ka quajtur kriminel ish-kryeparlamentarin nga PDK-ja, edhe pse ai kryesonte një organizatë të faktuar si kriminale, nga gjykata vendore dhe ndërkombëtare, vlerëson ai.
“Pra, ajo nuk bëri asnjë akuzë të rrejshme apo shpifje. Përkundrazi, e tha një të vërtetë faktike. Prandaj, kërkesa e opozitës është shkak dhe jo argument”, thotë Zeqiraj.