Marrëveshja historike me SHBA-në, eksperti i sigurisë jep sinjale pozitive për Kosovën – ja mesazhi i tij
Më 13 qershor do të nënshkruhet një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, ka bërë të ditur Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Maqedonci theksoi se kjo është marrëveshja e parë kornizë e mbrojtjes që nënshkruhet nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dhe Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së.
“Marrëveshja adreson shumë fusha të bashkëpunimit për një periudhë 5-vjeçare dhe përmban elemente shumë të rëndësishme”, tha Maqedonci.
Ministri shtoi se kjo marrëveshje përfshin bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, duke përfshirë prodhimin e sistemeve të armatimit dhe municioneve së bashku me SHBA-në.
E në lidhje me këtë marrëveshje dhe rëndësinë e saj, në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.
ImageArben Dashevci.Foto galeri
Së pari, ai vlerësoi se Kosova po tregon seriozitet dhe profesionalizëm, gjë që po bën të kalojë ditët e saj historike.
“FSK, pra ushtria jonë ishte nikoqire e Defender 2025 dhe ishte ngjarja më e madhe në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë që nga paslufta.
Kosova është në ditët e saja historike, qysh prej 25 majit 2025.
Është krenari e madhe sepse po marrin pjesë gati 1 mijë ushtarë tanë, në një divizion nga SHBA dhe nga shumë vende aleate, partnerë strategjik nga NATO.
Kosova po tregon seriozitet dhe profesionalizëm, kjo u pa në Babaj të Bogës, ku edhe mediat participuan.
Njëkohësisht 125 ushtarë të FSK ndodhen për trajnim në SHBA, ku së bashku me trupat amerikane po profesionalizohen tutje.
Në datën 08 dhe 09 qershor, gjithashtu zhvillohet një ushtrim i përbashkët mes Policisë së Kosovës, EULEX, KFOR dhe për herë të parë mer pjesë edhe FSK, dhe kjo tregon seriozitet, gatishmëri dhe bashkëpunim në mbrojtje.
Pra, Kosova nuk është më vetëm konsumuese e sigurisë, por participuese dhe ndihmëse e sigurisë aty ku është nevoja”, nënvizoi ai.
Po ashtu, tha se marrëveshja që pritet të nënshkruhet me SHBA-në është historike, e që tregon besim dhe aleancë në mbrojtje dhe siguri
“Më 13 qershor nënshkruhet një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, dhe kjo është ajo që është pritur, sepse Kosovës po u ofrohet diçka nga aleati i përjetshëm SHBA. Kjo tregon besim dhe aleancë në mbrojtje dhe siguri, duke pasur parasysh krizat e sigurisë gjithandej në botë, ty si shtet të ofrohet siguri.
Pra, është marrëveshja e parë kornizë e mbrojtjes që nënshkruhet nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dhe Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, eksperti tregoi edhe përfitimet që do ketë Kosova nga kjo marrëveshje histroike, e që kjo do jetë një mesazh për shtetin serb dhe interesat ruse në rajonin e Ballkanit.
“Përfitimet janë të mëdha nga kjo marrëveshje me SHBA-në në aspektin e ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse, sulmeve të ndryshme kibernetike, shkëmbimit të informacionit sensitiv dhe trajnimit të ushtrisë, që tashmë janë në SHBA në trajnim dhe specializim.
Kjo marrëveshje, por edhe Defender 2025 veç se ka ndikuar në ekuilibrat e sigurisë në rajon, veçanërisht në raport me Serbinë dhe interesat ruse në Ballkan, sepse çdo shtet që vetëm tenton ta destabilizoj Kosovën do të has në probleme të mëdha me NATO-n, SHBA-në dhe me institucionet tona të sigurisë, ku Defender 2025 është argumenti kryesor për të gjithë mendoj unë”, përfundoi Arben Dashevci për “Bota sot”.