Deputeti i VV-së, Halil Thaçi: Opozita e ka nisur fushatën zgjedhore duke bllokuar institucionet
Për të njëzetepestën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur të konstituojnë parlamentin e ri pas zgjedhjeve të shkurtit.
Ndërkohë, është refuzuar edhe formimi i Komisionit për votimin e fshehtë, një propozim që erdhi pas dështimit të kandidaturës së Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit.
Çështja tani është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke thelluar krizën institucionale.
Në një kohë kur Kuvendi po përballet me bllokada të njëpasnjëshme dhe seancat dështojnë të mbahen, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka folur për gazetën “Bota sot” rreth situatës politike, qëndrimit të partisë së tij për votimin e fshehtë dhe rolit të Gjykatës Kushtetuese në këtë ngërç institucional.
Në pyetjen nëse Lëvizja Vetëvendosje është ende pro votimit të fshehtë për rastin e zgjedhjesë së kreut të Kuvendit të Kosovës, Thaçi ka theksuar se nuk është fjala as për votimin e fshehtë e as për emrin e Haxhiut, por për frikën e opozitës nga fuqia elektorale e VV-së.
“Unë personalisht mendoj se nuk është në pyetje as votimi i fshehtë e as Albulena Haxhiu. Krejt ku e ka hallin opozita është harta e komunave në zgjedhjet e fundit, ku fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje! përfshiu thuajse të gjitha komunat”, ka thënë ai.
Sa i përket pyetjes nëse Gjykata Kushtetuese mund të japë një zgjidhje për këtë krizë politike, duke qenë se AAK-ja e ka dërguar këtë çështje atje, deputeti i VV-së la të kuptohet se opozita nuk është e interesuar për zgjidhje institucionale, por për kalkulime zgjedhore.
“Prandaj unë mendoj se nga 9 shkurti opozita ka fillu fushatën elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor, që si hap të parë në këtë fushatë e kanë bllokimin e institucioneve qendrore”, ka deklaruar Thaçi.