Nga Rukiqi te Rafuna, deputeti i LVV-së me akuza për politizim të Odës Ekonomike të Kosovës
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka thënë se Oda Ekonomike e Kosovës është e ndikuar politikisht, duke përmendur disa deklarata të ish-krerëve të kësaj organizate lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë.
Përmes një postimi në Facebook, Bajqinovci ka ironizuar me rolet e mëparshme dhe aktuale të përfaqësuesve të Odës, duke theksuar përfshirjen e tyre në politikë, përkatësisht në LDK dhe PDK.
“LDK e PDK me ndërrime në Odën Ekonomike të Kosovës”, shkroi ai.
Bajqinovci përmendi një deklaratë të vitit 2019 nga ish-kryetari i Odës, Berat Rukiqi i cili sipas tij kishte deklaruar: “Nëse deri më 1 prill nuk liberalizohet tregu i energjisë, shumica e bizneseve do të mbyllen.”
Bajqinovci thekson se sot narrativi është i përmbysur, kësaj here nga kryetari aktual i Odës, Lulzim Rafuna, i cili sipas Bajqinovcit ka qenë më parë kandidat për deputet nga PDK.
“Nëse liberalizohet tregu i energjisë elektrike, shumica e bizneseve do të mbyllen”, citon ai Rafunën.
Deputeti i LVV-së shton se “Këta veç të pavarur nuk janë.”
Kjo deklaratë e tij vjen në kohën kur procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë ka nxitur debat të gjerë në opinionin publik, përfshirë edhe në mesin e bizneseve dhe komunitetit ekonomik.