POLITIKATË FUNDIT

Deputetja e VV-së flet për sabotimin e opozitës: Po shkelin Kushtetutën, është e paqartë frika e tyre

Të hënën, për të njëzet e pestën herë me radhë, deputetët nuk arritën të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, për herë të shtatëmbëdhjetë nuk u votua propozimi për votim të fshehtë.

Albulena Haxhiu vazhdon të jetë kandidate për kryetare të Parlamentit nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arijeta Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se për herë të 17-të, opozita nuk merr pjesë në votimin e fshehtë në komision, duke shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.

“Është hera e 17 kur opozita nuk merr pjesë në votimin e komisionit për votimin e fshehtë. Duhet të theksojmë që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese 2014 mospjesëmarrja në votim nuk është opsion që do të thotë se opozita është duke bërë shkelje të qartë kushtetuese”, ka thënë ajo.

Ajo ka potencuar se sipas Gjykatës Kushtetuese dhe rregullores së Kuvendit, votimi i fshehtë është i ligjshëm pasi ai i hapur dështoi.

“Në anën tjetër, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por edhe rregullorja e Kuvendit parasheh këto forma të votimit, në këtë rast meqë votimi hapur nuk dha opsion është shkuar me votim të fshehtë. Por, opozita për të 17-ën herë po e saboton duke mos marrë pjesë në votim. Është votim shumë normal, brenda rregullores dhe Kushtetutës, kështuqë është e paqartë frika opozitare’, ka theksuar ajo.

Gjithashtu, deputetja e VV-së ka shtuar se janë në pritje të dy vendimeve nga Gjykata Kushtetuese, duke shpresuar që vendimi të ndihmojë në zgjidhjen e situatës.

“Ne po ashtu jemi në pritje edhe dy vendimeve nga GjK, njëri që ka të bëjë pikërisht me votimin e fshehtë që është adresuar nga opozita dhe procesin e manipuluar zgjedhor të votës përmes postës. Urojmë që Kushtetuesja të nxjerrë sa më parë vendim dhe ai vendim të jetë në dritën e zgjidhjes së problemit”, ka përfunduar Rexhepi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *