TË FUNDIT

Kurti takon ambasadoren kanadeze, diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, priti ambasadoren jorezidente të Kanadasë për Kosovën, Jessica Blitt, së bashku me një delegacion të senatoreve kanadeze, Rebecca Patterson, Krista Ross dhe Mary Robinson.

Gjatë takimit, kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë ndaj Kosovës, duke përmendur strehimin e mbi 7,000 refugjatëve gjatë luftës, kontributin ushtarak në KFOR dhe ndihmën zhvillimore prej mbi 150 milionë dollarësh që nga viti 1999. Ai uroi ambasadoren për zgjedhjet parlamentare dhe ftoi kryeministrin e ri të Kanadasë, Mark Carney, për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Në fokus të bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë bashkëpunimin në Defender Europe 2025 dhe Programin për Trajnim Ushtarak të Kanadasë (MTCP), pas përfshirjes së Kosovës në nëntor 2024. Kryeministri theksoi gjithashtu gatishmërinë për zgjerim të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, duke prezantuar mundësitë që ofron Republika e Kosovës.

Në takim u diskutuan edhe sfidat rajonale të sigurisë, marrëdhëniet fqinjësore dhe temat aktuale.

Kurti falënderoi ambasadoren dhe delegacionin për takimin, duke theksuar rëndësinë e Kanadasë për Kosovën, vlerat demokratike të përbashkëta dhe partneritetin e fortë dypalësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *