Inati, urrejtja, sherri dhe hakmarrja si kulturë politike te ne shqiptarët!
Inati dhe hakmarrja politike bëhet kësisoj kostoja që rëndon më së shumti mbi të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës.
Bota e civilizuar ka krijuar traditën e saj politike bazuar në trashëgiminë e brezave. Nëse shohim SHBA-të, Britaninë e Madhe dhe vende të tjera, sidomos në Europën Qendrore dhe atë Veriore, atëherë vëmë re se senatorët, lordët, përfaqësuesit që zgjidhen e promovohen në politikë vijnë nga familje me një histori dhe trashëgimi të pasur jo vetëm në dekada, por edhe në shekuj. Promovimi i traditës në politikën e këtyre vendeve ka bërë që politikanët të mendojnë, të besojnë dhe të sillen në mënyrë racionale dhe logjike në vendimmarrjen e tyre. Kjo nuk e ka penguar promovimin e elementeve nga familje jo-tradicionale. Talentet kanë gjithmonë vendin e tyre edhe në sferën dhe skeptrin e politikës.
Por ndër ne shqiptarët ka një lloj qasje ndryshe. Për shkaqe të shumta, sidomos për arsye të sundimit totalitar komunist, te ne në politikë aktivizohen më së shumti emra anonimë. Ata, të cilët dalin rastësisht në skenë, ose shprehin në një moment të caktuar një aftësi dialoguese ose aktivizimi dhe katapultohen menjëherë në stafet e administratës së lartë të shtetit ose në kandidimet për deputetë. Në Shqipëri Partia Socialiste këtë kategori e promovoi në listat e sigurta në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ndërkohë që “senatorët” e politikës i la të grinden me njëri-tjetrin për një grusht votash. Me idenë se misionarët dhe ata që janë shquar në aktivizimin e tyre politik do të mblidhnin më shumë vota, edhe në Partinë Demokratike u shfaq ky fenomen.
Megjithatë tipari dallues i politikës shqiptare prej tri dekadash është inati dhe hakmarrja. Kjo duket në retorikën që politika përdor për kundërshtarët e saj. Duket te fyerjet dhe trillimet denigruese me qëllim asgjësimin e kundërshtarit politik. Duket në përdorimin e keqpërdorimin e instrumentit të drejtësisë. Por edhe në sponsorizimin e denigrimit në faktorin ndërkombëtar, me qëllim izolimin politik të kundërshtarit. Duket po ashtu në përpjekjet e lidershipit për ta filluar historinë politike të vendeve tona nga zero. Pra për injorimin dhe mohimin e trashëgimisë në funksion të lartësimit dhe prestigjit të politikanit që vjen rishtazi në pushtet.
Inati dhe hakmarrja politike bëhet kësisoj kostoja që rëndon më së shumti mbi të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës. Në vitin 2009 Partia Socialiste e pati paralizuar për gati dy vite Shqipërinë me kërkesën “Hap kutitë ose largohu”! Ndërkohë nga viti 2015 e deri më sot, sa herë ajo ka bërë zgjedhje i ka manipuluar, vjedhur dhe grabitur ato. Nëse do ndaleshim në përshkrimin e politikës së Tiranës, gjen shembuj pa fund. Por kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Kosova po kopjon gjithashtu politikën e Tiranës. Më i dukshëm është rasti i kohëve të fundit. U bënë 24 seanca parlamentare për gati dy muaj radhazi dhe ende nuk duket që Kosova të fillojë me konstituimin e institucioneve të shtetit. Opozita e ka bllokuar procesin. Mazhoranca ende nuk ka kuptuar se sovrani ka votuar një qeverisje me koalicion të gjerë.
Burimi i krizave të fabrikuara është inati politik e personal. Bllokimi i krijimit të institucioneve është gjithnjë etja për hakmarrje, pa marrë parasysh se koston e kësaj hakmarrjeje e paguan vendi dhe qytetarët si në Kosovë, edhe në Shqipëri. Kur inati bëhet trend, atëherë nuk ka më dialog, nuk ka më marrëveshje, nuk ka më mirëkuptim, madje as edhe në rastet kur dëmtohen rëndë interesat e familjes sonë të përbashkët nacionale. Është tashmë e provuar se të ushqesh inatin e hakmarrjen, nuk mund të shohësh asnjë shpresë për zgjidhje.
Gjendja e tillë e një konflikti permanent është më keq sesa lufta. Në fund të fundit çdo konflikt i armatosur ka një fillim, por ka edhe një mbarim. Grindjet dhe konfliktet si këto tonat me urrejtje dhe pa kuptim, nuk duket të kenë fillim e mbarim. Më duket se politika shqiptare e tillë ka qenë që kur ne kemi lindur në këto troje. Dhe për pasojë askush nuk e di se deri ku do të shkojmë. Dhe e gjitha vjen, sepse në politikë janë promovuar soropuçë, kriminelë, njerëz që kurrë nuk janë ndjerë të plotësuar në jetën e tyre, politikanë që nuk vijnë nga tradita, por që janë rritur me mungesa të theksuara e për pasojë duan që ta kompensojnë në politikë gjithçka u ka munguar në jetë. Promovimi i kësaj kategorie duket se është interes i lidershipit politik, me qëllim që të sundojë përmes luftës së brendshme dhe konflikteve pa kuptim. Por nuk është dhe nuk mund të jetë interes i shqiptarëve!