Slogani ruso-serb i opozitës se “Albini është problemi”, përkthehet në vetëvrasje – politike, ekonomike, diplomatike, shtetërore e kombëtare
Slogani ruso-serb i opozitës se “Albini është problemi”, përkthehet në vetëvrasje – politike, ekonomike, diplomatike, shtetërore e kombëtare
Opinione
Slogani ruso-serb i opozitës se “Albini është problemi”, përkthehet në vetëvrasje – politike, ekonomike, diplomatike, shtetërore e kombëtare
Hafiz Shala, New YorkNga Hafiz Shala, New York Më 1 qershor 2025 Në ora: 17:47
Foto galeri
Seanca 31 maj 2025VV-së, sovrani ia dha shumicën e votave, pse nuk i votohet kandidati/ja?! Kush, në të vërtetë, është bllokuesi?!Hafiz Shala është publicist dhe autor i 4 librave, i pesti në botim e sipër
Shumë “PSE” rreth këtij ngërçi institucional, sikur në romanin e Sterio Spasës, por askush nuk jep përgjigje të vërtetë e reale. Partitë akuzojnë njëra-tjetrën; populli do të thoshte: “Faji po mbetet jetim” – që nuk është e vërtetë.
Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kryeparlamentari i takon partisë fituese dhe ajo ka të drejtë të japë propozimin për ta konstituar Parlamentin si hap të parë, duke i zyrtarizuar së pari deputetët e sapozgjedhur, të cilët vetëm e kanë dhënë betimin, por ende nuk janë funksionalë, për ta vazhduar pastaj formimin e qeverisë. Kjo, përsëri në bazë të konfidencës së Presidentit/tes, i ofrohet partisë fituese dhe, nëse ajo nuk i ka numrat, atëherë i jepet partisë së dytë e kështu me radhë.
Si mund të kuptohet kur partive opozitare nuk po u pëlqen kandidati/ja i VV-së dhe, me kënaqësi e pa pikë përgjegjësie, nuk ia japin votat për ta zhbllokuar këtë ngërç të pakuptimtë? Kështu, zbulohet nëse partia fituese i ka numrat për themelimin e qeverisë.
E sulmojnë znj. Albulena Haxhiu me akuza kush e di çfarë, ama qëllimi kryesor është Kryeministri në detyrë ose në dorëheqje, ose – siç dëshiron opozita ta quajë – deputeti Kurti.
Ja disa nga vendimet historike nën Qeverisjen Kurti II në procesin e rikthimit të veriut nën sovranitetin e Republikës së Dardanisë:
Ndalimi i zgjedhjeve të Serbisë në veri,
Ndalimi i referendumit të Serbisë në veri,
Konvertimi i targave nga RS në RKS,
Zgjedhjet në veri pas bojkotimit të serbëve,
Ngritja e flamurit të Dardanisë në veri,
Ngritja e 7 stacioneve policore në veri,
Kundërvënia e grupeve terroriste në veri,
Shkatërrimi i laboratorëve të drogës dhe kriptovalutave,
Shkatërrimi i kamerave ilegale,
Ndryshimi i mbishkrimeve serbe në shqip,
Kapja e armatimit të grupeve terroriste,
Shkatërrimi i grupeve terroriste,
Zbulimi i armatimit ilegal të fshehur,
Funksionimi normal i komunave veriore,
Mbyllja e institucioneve paralele,
Heqja nga përdorimi ilegal i 200 milionë eurove të Serbisë dhe dërgimi i tyre në mënyrë ilegale pa destinacion,
Hapja e bankave legale në veri,
Ndalimi i valutave ilegale serbe,
Hapja e postave legale shtetërore në veri,
Ngritja e aktakuzës ndaj Milan Radojçiqit,
Kërkimi zyrtar për dorëzimin e Radojçiqit, dhe
Definitivisht, veriu u çlirua dhe u vu nën kontroll tërësor – territorial dhe institucional – të Republikës së Dardanisë, shtet sovran, i pavarur dhe demokratik.
Këto veprime të drejta dhe legjitime të Albin Kurtit i kanë irrituar, penguar dhe pamundësuar që Rusia, përmes Serbisë, ta thellojë ndikimin për ta penguar qeverisjen e tij, i cili zyrtarisht reagoi ndaj Bashkimit Evropian për qëndrimin e pa balancuar ndaj Dardanisë. Ndërkohë që Serbia tolerohej, përkëdhelej dhe ndihmohej financiarisht përmes investimeve – edhe kur ajo haptas mbante anën e Rusisë kriminale – Dardania izolohej, sanksionohej dhe kushtëzohej rreth pranimit të marrëveshjeve që rrezikojnë tërësinë territoriale dhe funksionalitetin e shtetit sovran për shkak të ndërhyrjeve të Serbisë, e cila, edhe kur i pranon, më pas i refuzon e nuk i respekton marrëveshjet ndërkombëtare. Ajo tallët me Evropën dhe po tenton të njëjtën gjë edhe me Amerikën, duke u ulur në dy karrige, ama zemra i rreh për Rusinë.
Serbia, menjëherë pas pranimit të marrëveshjeve për mos pengimin e Dardanisë në anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare, i shkeli ato pa asnjë hezitim.
Është e pakuptueshme, e pabesueshme dhe e papranueshme sjellja dhe veprimet e opozitës së dështuar në të gjitha aspektet – politike, institucionale, demokratike dhe shtetformuese. E kaluara dhe e tanishmja e tyre i ka mbytur politikisht, pasi u zbuluan para sovranit se në pushtet kishin ardhur përmes Listës Serbe, korrupsionit, shantazhimit, kërcënimeve dhe premtimeve të parealizuara – të cilat më nuk janë në gjendje t’i përmbushin, sepse buxheti i premtuar nga Serbia dhe oligarkët, sa po duket, ka filluar të zbehet.
Çfarë reagimi armiqësor nga opozita ndaj konstituimit të Parlamentit – vetëm nga xhelozia për vendin që iu dha nga sovrani. E kam përshtypjen se asnjë qendër e organizuar armiqësore kundër Dardanisë nuk do ta kishte ditur më keq e më rëndë ta sjellë vendin në këtë gjendje, që është pasojë e keqqeverisjes, keqmenaxhimit dhe keqdialogimit 20-vjeçar me Serbinë armike – duke u përkulur para saj, e pastaj sjellja pa dinjitet ndaj ndërkombëtarëve evropianë që, sipas rezultateve politike, kur Dardaninë e shtrinë për tokë, më në fund, udhëheqja e re – sa po duket – po kthjellohet dhe ka filluar ngadalë ndoshta të ndryshojë narrativën e gabuar me dekada ndaj Dardanisë.
Kush janë ata që reagojnë më nervozë dhe të paduruar, sepse e shohin rrezikun që një qeveri stabile, e pastër, e pakorruptuar, e pashantazhuar, funksionale dhe përgjegjëse – duke zbatuar ligjin për konfiskimin e pasurisë – do t’i nxjerrë zbuluar për vjedhjet e keqpërdorimet, ndërkohë që paraqiten si më të zëshmit? Ata ekonomikisht qëndrojnë shumë mirë dhe pa brenga, por absurdi më i madh është kur “brengosen” për gjendjen ekonomiko-sociale.
Kryetari i AAK-së pa hezitim deklaron se Albin Kurti është më serb se Vuçiqi për Dardaninë, se është njeri i Rusisë dhe Serbisë, se më mirë të zgjidhet një serb për kryeministër, dhe se ai që e voton Albinin është me Serbinë e Rusinë! Shtrohet pyetja: a mund të thuhet se sovrani e votoi për herë të parë në historinë e Dardanisë njeriun më të votuar me shumicë votash, që – sipas këtij narracioni – do të thotë “po e përkrahka një serb” në krye të qeverisë?!
Partitë opozitare që kanë udhëhequr për 20 vjet, duke mos pasur argumente për të arsyetuar dështimet, keqpërdorimet, hajnitë, marrëveshjet e dëmshme, faljen e territoreve – Kulla, Çakorri, Zhlebi – ndarjen de facto të veriut në vitin ’99, nënshtrimin ndaj kërkesave të Serbisë dhe pranimin e këmbimit-ndarjes së veriut, heqjen dorë nga 17 fshatra, siç deklarojnë përfaqësues të LDK-së “si dhuratë e Rankoviqit” – tani nuk u mbetet gjë tjetër veçse prokuroria të intervistojë z. Haradinaj dhe, nëse është e vërtetë, Albin Kurti duhet të izolohet për hir të sigurisë kombëtare, ndërsa sovranit t’i bëhet me dije se “ka gabuar në përcaktimin e tij”.
Ky (Kurti) asnjëherë nuk është përshëndetur me Vuçiqin, ndërsa Ramushi, gjatë mandatit të tij, ka bashkëpunuar ngushtë me Radojçiqin, bile duke e vlerësuar si njeriun që pyetet dhe vendos për gjithçka në veri.
Sovrani le të vendosë nëse ka nevojë edhe njëherë të përcaktojë se kush është më i afërt me Serbinë e Vuçiqin.
Një gjë mund ta them me bindje: nëse ndonjë armik do të organizonte një qendër inteligjente për shkatërrimin e Republikës së Dardanisë, nuk do t’ia arrinte qëllimit sa ia ka arritur opozita e bashkuar.
Janë mësuar që Amerika t’ua zgjidhë problemet, e këta të rrahin gjoksin.
Falë Amerikës dhe KFOR-it, të cilët garantojnë kufijtë – ndërkohë që po mbahen ushtrimet shumëkombëshe ushtarake “Defender 25”, për herë të parë me pjesëmarrjen e FSK-së – kur Serbia filloi të ngritë tensione përreth kufijve, përndryshe gjendja momentale, e vetëkrijuar nga opozita e bashkuar, do të ishte rrezik për sigurinë e përgjithshme kombëtare.
Jam i bindur se populli e ka pasqyrën e qartë për përgjegjësinë e secilit veç e veç dhe në përgjithësi.
Për të 23-tën herë që nuk po konstituohet Parlamenti – është turp i klasës politike, e jo i popullit.
Prandaj, epshet për pushtet të pamerituar po e vënë në dyshim të ardhmen, në momentet kur na duhet më së shumti.