Kusari-Lila: Kosova nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve partiake
Deputetja nga radhët e koalicionit Vetëvendosje dhe Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar në lidhje me bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se vendi nuk mund të mbahet peng i kalkulimeve partiake dhe inateve politike.
Në një postim të gjatë në Facebook, Kusari-Lila kujtoi dinamikën e zhvillimeve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, në të cilat koalicioni LVV-Guxo-Alternativa fitoi 48 ulëse, ndërsa partitë tjera opozitare dolën me numra më të ulët. Ajo theksoi se përkundër përpjekjeve të vazhdueshme nga koalicioni fitues për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të formuar institucionet, opozita ka penguar vazhdimisht procesin.
“Pas gjashtë votimeve të pasuksesshme për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit, u propozua që votimi të bëhet i fshehtë, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014. Megjithatë, opozita ka bojkotuar themelimin e komisionit për votimin e fshehtë tashmë 16 herë”, shkruan Kusari-Lila.
Ajo akuzon partitë opozitare për bllokim të procesit dhe refuzim të qartë për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve, duke rikujtuar se përpjekjet për arritjen e marrëveshjes janë refuzuar nga LDK edhe më 1 maj, edhe më 5 maj.
Sipas Kusari-Lilës, çështja tani nuk qëndron te kandidatura e Albulena Haxhiut, por te mungesa e kuorumit për votimin e fshehtë që opozita po e pamundëson për herë të 17-të, gjë që sipas saj bie ndesh me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.