Korab Blakaj për “Bota sot”: Triumfi në veri kërkon kthesë radikale në vetëdijen kolektive shqiptare
Nxënësit e shkollave në veri të Mitrovicës kanë dalë në sheshin “Car Lazar” për të festuar përfundimin e shkollës.
Sipas raportimit, ata ecnin duke kënduar këngë për Kosovën dhe në disa raste brohoritën “Kosova është zemra e Serbisë”.
Eksperti i sigurisë, Korab Blakaj, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Mitrovica simbolizon përplasjen mes dy identiteteve: një identitet i fortë serb, i kultivuar me ideologji dhe patriotizëm të organizuar nga shteti serb, dhe një identitet shqiptar të shthurur nga konsumizmi kulturor.
Sipas tij, të rinjtë serbë në veri janë të mobilizuar dhe të ndërgjegjshëm për “kauzën” e tyre, duke e parë Mitrovicën si bastion kombëtar, ndërsa shqiptarët shpesh shpërqendrohen nga kultura pop.
Pyetja mbetet: kush do ta fitojë këtë qytet?
“Mitrovica është simbol, jo vetëm i një qyteti të ndarë, por i një realiteti shumë më të thellë: përplasjes midis një identiteti të kultivuar me disiplinë ideologjike dhe një identiteti të shthurur nën diktatin e konsumizmit kulturor. Sot, pyetja më e ndershme që duhet bërë është: kush do ta fitojë këtë qytet, serbët që rreshtohen nën flamurin e “Kosova është Serbi” apo shqiptarët që festojnë fitoren e një personazhi televiziv të një reality show banal?
🇷🇸Të rinjtë serbë në Mitrovicën e veriut protestojnë nën dirigjimin e një strukture të organizuar. Maturantët e tyre nuk janë thjesht adoleshentë që festojnë përfundimin e shkollës, ata janë të rinj të instrumentalizuar nga shteti serb, janë të veshur me flamuj, parulla, simbole dhe me një narrativë të qartë: Mitrovica është tokë serbe, dhe Serbia nuk dorëzohet. Çdo marsh, çdo flamur, çdo thirrje është pjesë e një strategjie të gjatë. Serbia, përmes kishës, mediave, shoqërisë civile dhe institucioneve arsimore, po kultivon një brez të ri që di kush është, për çfarë lufton dhe ku e sheh të ardhmen.
Ky brez është i trajnuar në patriotizëm, edhe kur ai është i deformuar. Në sytë e tyre, Mitrovica nuk është thjesht një qytet, por një bastion i mbijetesës kombëtare. Ata janë të gatshëm të protestojnë, të krijojnë presion politik, të mbrojnë “kauzën” e tyre, sepse i besojnë asaj,ose së paku i janë nënshtruar një ideologjie që u jep ndjenjën e qëllimit dhe unitetit.
Tutje, ai thotë se rinia shqiptare e Mitrovicës dhe e gjithë Kosovës është e zhytur në zbrazëti identitare dhe mungesë angazhimi politik.
Ai shton, se vë vend të protestave apo krenarisë kombëtare, maturantët fokusohen tek spektaklet televizive dhe rrjetet sociale. Ky brez është edukuar në harresë të historisë dhe idealit të lirisë, duke e parë Kosovën më shumë si vend për ikje sesa për të ndërtuar të ardhme
“🇦🇱Në anën tjetër, rinia shqiptare e jugut të Mitrovicës dhe e terë rinia e Kosovës është e kapluar nga një zbrazëti identitare. Maturantët shqiptarë nuk protestojnë për asgjë, as për të drejtat e tyre, për shkollat e tyre, për pjesën tjetër të qytetit që ua mohojnë, apo për Kosovën. Ata nuk kanë flamuj nëpër duar, por telefona inteligjentë; nuk thërrasin për “Mitrovicën shqiptare”, por për emrat e konkurrentëve të Big Brother. Në vend të organizimit politik,brumosjes identitare kombëtare dhe përvetësimit të përjetshëm të moralit islam, ata nxiten drejt adhurimit të spektaklit të shthurjes.