Këta janë dy oligarkët që morën 2 hektarë pronë komunale urbane në Mitrovicë, por investimet nuk i realizuan as 5 vite pas afatit të fundit në kontratë
Në vitin 2016 Komuna e Mitrovicës në bazë të vendimit të Kuvendit Komunal kishte lidhur kontratë (Shkarkoje KËTU) me operatorin ekonomik “Lin Projekt Sh.P.K & Arjeta Group Sh.P.K” për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës prej 19691m² (gati 2 hektarë) me qëllim të ngritjes/ndërtimit të objekteve të kompleksit të Pishinave Olimpike, projekt që ishte paraparë të realizohet sipas kushteve urbane në bazë të Planit Rregullues Urban.
Në neni 3 të kontratës thuhet se operatori ekonomik obligohet t’i ndërtojë objektet ashtu siç është paraparë në në ofertë. Ndërsa neni 4 thotë që përfundimi i ndërtimeve dhe funksionalizimi i tërësishëm duhet të bëhet brenda gjysmës së dytë të vitit 2020. Mirëpo, kur tashmë kemi hyrë në vitin 2025 duket se ky projekt nuk është zbatuar nga operatori ekonomik, sipas kushteve të parapara me rastin e dhënies së 19691m² (gati 2 hektarë) tokë në qytet për këtë kompani.