OPINIONTË FUNDIT

Tradhtia në dy kohë: 1989 me dh;unë, 2013-2015 me dëshirë!

Në vitin 1989, Serbia na mori autonominë e vitit 1974 me tanke. Në vitin 2013, liderë të zgjedhur me votë nga vetë populli shqiptar, i dhuruan me dëshirë Serbisë një pjesë të pasurisë dhe sovranitetit të vendit, duke e firmosur me buzëqeshje një marrëveshje për Zajednicën me kompetenca ekzekutive – një hap drejt krijimit të një “Republika Srpska” në veri të Kosovës.
Ky akt politik është një njollë historike e pashlyeshme që nuk e lan as plumbi, as heshtja, e as koha. Është një dëm i madh kombëtar, që e rrezikon themelet e shtetësisë së Kosovës.

Ashtu si në vitin 1989, kur deputetët shqiptarë të Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovës u ndanë në dy grupe – ata që pranuan zbehjen e autonomisë në favor të Beogradit dhe ata që e kundërshtuan – edhe sot historia do të mbajë mend të dy palët: ata që thanë “po” Zajednicës dhe ata që u thanë “jo” lëshimeve ndaj Serbisë.

Në 1989, një pjesë e deputetëve u rreshtuan me regjimin e Beogradit, duke u shndërruar në simbol të nënshtrimit. Emrat e tyre, përfshirë Rrahman Morinën Isa Mustafën dhe të tjerë, janë të njohur. Po aq të njohur janë edhe ata që patën guximin të qëndrojnë kundra rrënimit ,nga ata ishin vetëm 11 deputetë, përfshirë Riza Llukën dhe Sadik Zukën, kundërshtuan këtë vendim fatal që shënoi fillimin e robërisë.

Pasojat ishin të rënda: mbyllja e universiteteve dhe shkollave shqipe, përjashtimi masiv nga puna, ndalimi i fjalës së lirë dhe në fund, lufta dhe gjaku i derdhur për liri.

Ironikisht, një nga figurat që në vitin 1989 ishte në anën e atyre që pranuan suprimimin e autonomisë – Isa Mustafa – u rikthye më vonë në krye të partisë së Ibrahim Rugovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, kuptohet me mbështetje të dukshme nga strukturat e vjetra të shërbimeve. Dhe për këtë, Kosova po e paguan një çmim të rëndë.

Ky figurë politike, së bashku me LDK-në që ai udhëhiqte dhe me Hashim Thaçin e PDK-së, nënshkroi në vitet 2013–2015 marrëveshjen për formimin e Zajednicës – një lëshim i rëndë dhe historikisht i dëmshëm, i bërë jo nën presionin e tankeve, por me vetëdije të plotë dhe vullnet politik.

Kjo marrëveshje u arrit me ndërmjetësimin dhe nxitjen e Aleksandar Vuçiqit, ambasadorit amerikan Richard Grenell dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama – duke i hapur rrugën një entiteti me kompetenca ekzekutive për serbët në Kosovë, i cili kërcënon sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetit të pavarur të Kosovës.

Ky veprim është konsideruar nga shumëkush si një tradhti politike që rrezikon integritetin territorial dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Historia do t’i mbajë mend me emër: ata që në vitin 1989 qëndruan kundër nënshtrimit, dhe ata që në vitin 2013-2015 i hapën derën ndikimit serb në zemër të Republikës së Kosovës.

Në marrëveshjet e dëmshme të viteve 2013–2015, ku u hap rruga për krijimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive – një model i rrezikshëm që rrezikonte të shndërrohej në një “Republika Srpska” brenda Kosovës – opozita institucionale ishte pothuajse e heshtur.

I vetmi subjekt që kundërshtoi me vendosmëri, qartësi dhe vazhdimësi këto marrëveshje, ishte Lëvizja Vetëvendosje.

Qëndrimi i saj kundër Zajednicës nuk ishte vetëm politik, por edhe moral e kombëtar: ajo e pa qartë rrezikun që paraqiste kjo strukturë për sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Në një kohë kur partitë e mëdha si PDK dhe LDK po negocionin lëshime me nxitje nga jashtë dhe heshtje nga brenda, Vetëvendosje ishte zëri i vetëm që mbrojti parimet e shtetësisë, barazisë qytetare dhe integritetit territorial.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *