POLITIKATË FUNDIT

Akuzat e përsëritura të Haradinajt ndaj Kurtit/ Analistët me reagim të ashpër: Po hesht për tokën që ia fali Malit të Zi!

Zhvillimet e fundit në vend kanë arritur të sjellin tensione të mëdha, duke përfshirë edhe deklarata të forta mes liderëve politikë.

Një prej deklaratave më të komentuara së fundmi ka ardhur nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili ka reaguar me tone të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe udhëheqësit të saj, Albin Kurti.

Haradinaj ka deklaruar se çdo individ apo forcë politike që ndihmon në formimin e një Qeverie të tretë të udhëhequr nga Kurti është, sipas tij, “argat i Serbisë dhe Rusisë”.

“Sa i përket qeverisë, unë jam i bindur: kushdo që e ndihmon, pra Qeverinë Kurti III, është argat i Serbisë dhe Rusisë. Këtë nuk e ndryshoj. Është serioze”, ka thënë Haradinaj

Haradinaj ka drejtuar gjithashtu akuza ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me politikën energjetike të qeverisë dhe vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.

Haradinaj ka thënë se Kurti ka vepruar për vite me radhë kundër fuqizimit të sektorit energjetik të Kosovës, duke penguar zhvillimin e kapaciteteve të reja prodhuese, fillimisht me qymyr e më pas me gaz.

E të gjendur në këtë situatë që kemi në vazhdimsi deklarata të tilla nga Haradinaj ndaj Kurtit, cila është logjika politike dhe qëllimi strategjik prapa deklaratave të përsëritura të Haradinajt që e lidhin Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen me interesa të huaja si ato të Serbisë dhe Rusisë?

Zogaj: Kjo po ndodh dhe tashmë ka arritur pikën më banale

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur publicisti Skënder Zogaj.

ImageSkënder Zogaj.Foto galeri
Ai fillon një kronologji të situatës së Kosovës që nga pas lufta, duke kritikuar elitën politike të vendit që nuk kanë punuar për vendin, mirëpo për interesa të tyre personale.

Sipas tij, gjendja aktuale e zhvillimeve, për fat të keq arsyeton plotësisht tezat serbo-ruse.

“Koha 25 vjeçare e pas luftës, dikur është konsideruar se ka për të qenë, në të gjitha pikëpamjet zhvillimore, dëshmi e lulëzimit të lirisë dhe pavarësisë së merituar të Kosovës. Kjo nuk ka ndodh dhe siç po shihet, është vështirë të ndodh, sepse, shqiptarët, të gjithë pa dallim nga qytetari më i thjeshtë e deri te elita politike dhe shtetërore e Kosovës, po abuzojnë me vetveten dhe me fatin historik të vendit, duke punuar si mos më keq dhe duke ua vërtetuar tezat propagandistike armiqve, që kanë thënë se “shqiptarët janë njerëz me bisht, të padenjë për t’u vetqeverisur”, pra kanë thënë se nuk dinë të bëjnë shtet!

A kanë pasur të drejtë? Gjendja aktuale e zhvillimeve, për fat të keq arsyeton plotësisht tezat serbo-ruse, sepse, fjalët serbi dhe rusi, janë në Kosovë dominueset në zhargonin politik dhe, arsenali më i preferuar në konkurencën politike”, u shpreh ai.

Më tej, publicisti kritikon edhe mos konstituimin e vendit e përfshirë këtu edhe Haradinajt për deklaratën e tij.

Ai thotë që liderët po shikojnë interesat e tyre dhe se kjo po vrehet në deklaratat që po bëjnë, siç po bënë në vazhdimësi Haradinaj.

“Një për të gjithë e të gjithë për njëri-tjetrin,sot gjithçka që nuk u pëlqen, e quajnë “argat i serbisë dhe i rusisë”! Kjo është gjendje mjerimi, sepse, ky sllogan e çnjerëzon shqiptarinë me ndotjen më të fëlliqtë e më neveritëse! Pra, askush nuk e mohon se argatë serbë ka, por, liderët politikë dhe shtetëror duhet që argatët t’i shohin, zbulojnë dhe t’i pastrojnë nga radhët e veta, e jo të aktrojnë lojën “ti them sa nuk më ka thënë!”

Kjo po ndodh dhe tashmë ka arritur pikën më banale, që po e sjell Kosovën në bankrotim, sepse, po kalojnë muajt dhe nuk po mund të konstituohet Kuvendi, pra nuk po funksionin shteti! Kjo është më tepër se turp, kjo është çmendi! Dhe, në një çmendinë, domodo që do të prodhohet gjendje tragjiko komike, do të ketë blasfemi, do të ketë iracionalitet deri në vetvrasje! Vetshkatrrimi po ndodh dhe kësaj po i kontribuojnë të gjithë, sepse, të gjithë jemi në garën – kush është më i pistë!? Deklaratat e janë dëshmi e turpit tonë historik, sepse liderët janë individë, por përfaqësojnë masat, pra tagri është kolektiv”, foli Zogaj për “Bota sot”.

Qarri: Ramush Haradinaj, është treguar aq politikan primitiv dhe aspak serioz, jo vetëm me shprehjet, por edhe me gafat e rënda politike të tij

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që deklarata e Haradinajt është e pa bazë, pasi nuk ka argumente dhe se nëse vazhdohet në këtë mënyrë të akuzojë Kurtin, atëhere ndaj tij duhet të merren masa.

ImageGani QarriFoto galeri
“Është vërtetë e pakuptueshme se si, vetëm pse pas 24-25 vitesh u rivendos rendi e ligji dhe shtri shtetësia e Kosovës edhe në veri të vendit tonë, të shahet kryeministri me nënë në Kuvend të quhet kryeministri i vendit “spiun” i Serbisë e “agjent” i Rusisë, pa ofruar asnjë argument dhe të kërcënohet me vdekje në mënyrë të përsëritur brenda dy -tre ditësh edhe vet e para e shtetit, presidentja e Republikës së Kosovës, por përsëri të mos ndërmerret asnjë veprim e të mos sqarohet asgjë, për opinion nga një e ashtuquajtur “drejtësi” e kapur dhe e korruptuar deri në fyt.

Pa-“drejtësi” që ka filluar ta fus frymën e frikës e të pasigurisë edhe te qytetarët e rëndomtë të Republikës së Kosovës, të cilët shkaku i mos shqyrtimit të kërcënimeve publike dhe mosndëshkimit të autorëve të ditur të krimit e të korrupsionit, nga prokuroria dhe gjyqësia, kanë filluar të druajnë edhe për të ardhmen e fëmijëve të tyre, dhe mendojnë zhvendosjen nga Kosova,-në mënyrë që pas ndalimit të organizatave terroriste serbe, dëbimit të Millan Radojçiqit dhe bandave terroriste të tij nga veriu i vendit tonë, edhe familjet shqiptare të marrin fëmijët e të ikin nga vendi i vet dhe fajet ti ngarkohen Albin Kurtit, si dhe të realizohet dëshira e Serbisë, për zbrazjen sa më masive të Kosovës nga shqiptarët-!”, u shpreh ai.

Po të shau i ligu, i ke punët mirë, ndërsa po të lavdëroj i ligu, duhet të bësh kujdes

Më tej, analisti thotë që Haradinaj po e luan rolin të “fortit” duke deklaruar në vazhdimësi kundër Kurtit, mirëpo që i njëjti nëse vazhdon në këtë mënyrë do të ndëshkohet edhe më shumë nga qytetarët e vendit.

“Dhe përkundër të gjithave, ai në vend se të kujdeset ta pastrojë fjalorin, të krijojë ide më kreative dhe të punoj intensivisht për riorganizimin dhe forcimin e partisë që pikërisht, shkaku i mosdijes, kapadaillëkut, primitivitetit arkaik dhe fjalorit banditesk të Haradinajt, po bëhet gjithnjë e më minore dhe është shumë pranë rënies nën pragun zgjedhor, ai po bënë sikur është i vetmi që mund të kapet me, më të “fortit” dhe përpiqet ti gjuhet në qafë kryeministrit, duke harruar se nga qytetarët e vendit, Kurti dhe LVV ka fituar mese 40 herë më shumë vota se mini-partia e Haradinajt.

Në fakt, një fjalë popullore thotë se po të shau i ligu, i ke punët mirë, ndërsa po të lavdëroj i ligu, duhet të bësh kujdes se atëherë i ke punët keq, por sot fatkeqësisht në Kosovë është bërë shumë e rrezikshme dhe problematike tu kundërvihesh bandave të organizuara mafioze të cilat përveç në politikën e inkriminuar, kanë futur thellë rrënjët edhe në prokurori dhe gjyqësinë e kalbur të Kosovës, duke e bërë shumë të vështir jetën dhe veprimin e udhëheqësve të sinqertë dhe të papërlyer nga krimi i organizuar dhe korrupsioni”, shpjegon ai.

Deklaratat e Haradinaj nuk janë serioze

Duke vazhduar bisedën, analisti thotë që deklaratat e Haradinajt tashmë kanë humbur seriozitetin dhe se ajo që ai do të duhej të bënte ishte deklarimi për tokën e Kosovës që e ka falur.

“Ramush Haradinaj, është treguar aq politikan primitiv dhe aspak serioz, jo vetëm me shprehjet, por edhe me gafat e rënda politike të tij, sa kanë filluar të qeshen të gjithë qytetarët, madje se sa jo serioz dhe mashtrues i paskrupullt është Ramush Haradinaj, flet më së miri Rasti i Kullës, Zhlebit dhe Çakorrit, të cilat para ardhjes në pushtet, përbetohej se kurrë nuk do të lejoj, që ato tu merren shqiptarëve dhe ti falen malit të Zi.

Por përbetimi i tij, zgjati vetëm pak kohë dhe deri në momentin sa erdhi në pushtet, kur ai vet me të dy duart, ia fali pa pikë turpi Malit të Zi, Kullën e Çakorrin dhe 8300 hektar tokë autoktone të Kosovës, të larë me gjakun e shqiptarëve, vetëm që të ulej përkohësisht në karrigen e kryeministrit.

Dhe në vend se t`u sqarojë qytetarëve të vendit, se si ia fali gjithë atë tokë të Kosovës, shtetit xhuxh të Malit të Zi, duke qenë se është izoluar komplet nga mbarë Kosova e ka ngelur ta sundojë vetëm Gllogjanin e tij dhe Deçanin me rrethinë, nga frika se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja dhe minipartia e tij, që ai me sharlatanizmin e vet, e ka tkurrë deri në këtë pikë, do të bie përfundimisht nën pragun zgjedhor për të mos u rikthyer më kurrë në politikë, është hedhur në sulm kundër kryeministrit të vendit Albin Kurti, sikur ky t`ia kishte fajet për mashtrimet skrupulloze dhe dështimet katastrofale të Haradinajt”, shpjegon tutje ai.

Haradinaj është bëre si defatoret, që i bien të njëjtës melodi nëpër dasma

Tutje, analisti përmend edhe situatën në veri që sipas tij Kurti e ka rikthyer sigurinë në atë pjesë, e për këtë arsyje edhe Haradinaj po vazhdon të bëjë deklarata të tilla.

“Për aq më tepër, arsyet e shpifjeve të llojit kaq të ulët, pa paraqitur asnjë argument bindës, duket se kanë edhe shkaqe ekonomike, ngase me rivendosjen e rendit e të ligjit në veri të Kosovës dhe dëbimin e Millan Radojçiqit me pjesëtarët e bandave terroriste serbe, në Serbi, të cilat e kishin kthyer veriun e vendit tonë në oazë të krimit të organizuar dhe të kontrabandës së të gjitha pisllëqeve, duket se Haradinajt i është tharë xhepi dhe ndërprerë tërësisht taxhia nga kjo pjesë, ndaj fajtor për këtë, ai normal që e sheh Albin Kurtin dhe duke qenë se nuk është burrë që ka guxim ta lavdëroj veprën kolosale që Kurti ka bërë në veri, nga inati që kryeministri Kurti ua ka mbyllur oazën e kontrabandës dhe kanalet e bashkëfurnizimit të anasjelltë me para të dyshimta me bandat kriminale serbe të veriut, Haradinaj është bëre si defatoret, që i bien të njëjtës melodi nëpër dasma, me shpresën se të paktën do ti lumturojë mbështetësit e tij të pakët, të cilët shkaku i shpifjeve publike dhe sharlatanizmit të pashembullt politik të Haradinajt, po bëhen gjithnjë e më të pakët, në Kosovë dhe diasporën shqiptare”, thotë analisti.

Qarri tutje shpreson që Kosova të mos mbetet asnjëhere në duart e AAK-së përndryshe vendi do të ketë pasoja të mëdha.

“Të gjitha këto, po ndodhin pikërisht shkaku i mosveprimit të drejtësisë së pa reformuar asnjëherë, të kalbur e të korruptuar deri në themel, e cila nuk ndërmerr asgjë, jo vetëm kundër shpifjeve më të ulëta e ordinere të Haradinajt & Co, por as kundër sharjeve publike nëpër institucionet më të larta shtetërore si Kuvendi i Kosovës dhe përsëritjes së kërcënimeve me jetë edhe ndaj presidentes së shtetit tonë Dr. Vjosa Osmani.

Haradinaj edhe ashtu është kryetari i partisë aktualisht më minore në Kosovë të vetquajtur si “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ardhmëria e të cilës, urojë të mos mbetet kurrë në duart e kësaj të vetquajture “aleancë” se vetëm një Zot e di, sa shpejt do të shitej e copëtohej gjithë Kosova pjesë pjesë, njëjtë si Kulla e Çakorri, sa herë ti duhen lek Haradinajt & Co, e po nga kjo drejtësi e kapur dhe ndikuar nga opozita e inkriminuar, atij i lihen dyert qelë, për të bërë edhe deklarata të tilla ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pa pasur asnjë pasojë penale, ligjore as juridike”, tha ai

Në fund, analisti e sheh të pakuptueshme deklaratat e tillë të Haradinajt dhe kërcënimet ndaj presidentes Osmani.

Ai thotë që duhet të ndërmerren masa serioze ndaj këtyre gjërave pasi mosndëshkimi i tyre po sjellë pasoja për vendin.

“Përndryshe është vërtetë e pakuptueshme se si, vetëm pse pas 24 vitesh u rivendos rendi e ligji dhe shtri shtetësia e Kosovës edhe në veri të vendit tonë, të shahet kryeministri pa ofruar asnjë argument dhe të kërcënohet me vdekje në mënyrë të përsëritur brenda dy -tre ditësh edhe vet e para e shtetit, presidentja e Republikës së Kosovës dhe përsëri të mos ndërmerret asnjë veprim e të mos sqarohet asgjë, për opinion nga një e ashtuquajtur “drejtësi” e kapur dhe e korruptuar deri në fyt, e cila me këtë lloj qëndrimi, po fut frymën e frikës e të pasigurisë edhe te qytetarët e rëndomtë të Republikës së Kosovës dhe shkaku i mosëhetimit të kërcënimeve publike si dhe mosndëshkimit të autorëve të ditur, nga prokuroria dhe gjyqësia, veprime të organizuara të mënyrës tipike mafioze nga të cilat qytetarët e vendit kanë filluar të druajnë edhe për të ardhmen e fëmijëve të tyre, dhe mendojnë seriozisht opsionin e zhvendosjes nga Kosova.

Kështu që edhe logjika politike dhe qëllimi strategjik prapa deklaratave të përsëritura të Haradinajt që gjoja e lidhin Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen me interesa të huaja si ato të Serbisë dhe Rusisë, është që duke akuzuar në mënyrë të përsëritur udhëheqësin kryesor të shtetit, ta shpëlaj vetveten nga mëkatet e rënda politike dhe të krijojë panik e pasiguri si dhe ti frikësojë qytetarët e Kosovës, deri në ato përmasa,-sa që pas ndalimit të organizatave terroriste serbe, dëbimit të Millan Radojçiqit dhe bandave terroriste tij nga veriu i vendit tonë, edhe familjet shqiptare të marrin fëmijët e ikin nga vendi i vet, në mënyrë që fajet ti ngarkohen Albin Kurtit dhe të realizohet dëshira e Serbisë, për zbrazjen sa më masive të Kosovës nga shqiptarët-.”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *