Ngërçi politik/ Paralajmërimi i papritur nga ish-ambasadori holandez: Merz mund ta telefonojë LDK-në për…!
Të martën ka dështuar edhe tentativa e 22-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Sërish PDK, LDK, AAK-Nisma dhe Lista Serbe nuk kanë propozuar anëtarët për Komisionin për votim të fshehtë.
Nga 109 deputetë sa ishin në Kuvend, pro komisionit ishin vetëm 54, një votë ishte kundër dhe asnjë abstenim.
Seanca vazhdon sot nga ora 11:00.
E të gjendur në këtë situatë sa e nevojshme është tashmë intervenimi i ndërkombëtarëve, pasi një situatë e tillë nuk është në favorin e Kosovës të vazhdojë?
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.
Ai thotë se situata në Kosovë nuk është e mirë pasi kemi një ngërç politik dhe jo bashkëpunim mes partive politike.
Sipas tij, Kosova duhet të jetë ajo e cila bënë zgjidhje dhe jo të ketë intervenim nga ndërkombëtarët.
“Situata nuk duket mirë për Kosovën. Mungesa totale e besimit midis partive është shqetësuese.
Nuk shoh se këtu ka një rol për ndërkombëtarët pasi Kosova duhet të kërkojë një demokraci të plotë ku gjithmonë duhet të jepet dhe të merret”, u shpreh ai.
Bosch tutje thotë që kompromiset janë të nevojshme duke ngre pikëpyetje që LDK mund të pranojë një telefonatë nga kancelari gjerman Friedrich Merz.
“Kompromiset janë kur nuk ka shumicë të qartë gjithmonë të nevojshme. Më logjike duket që LDK të bëjë një lëvizje, por jo duke kërkuar të pamundurën.
Le të shohim ndoshta Merz mund ta telefonojë LDK-në”, përfundoi Bosch për “Bota sot”.
Kujtojmë që Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka takuar liderët partiakë në përpjekje për të gjetur në zgjidhje, por as nga ky takim nuk ka rezultuar ndonjë progres në tejkalim të bllokadës institucionale.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me opinion në lidhje me kërkesën e AAK-së për vlerësimin e kushtetushmërisë së propozimit për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për Zgjedhjen e Kryeparlamentarit të Kosovës.