Bllokimi i rrugëve nga bizneset, Kurti i paralajmëron: Barrikadat i kemi hequr kudo, s’do të lejojmë të reja
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj bizneseve që sot kanë bllokuar disa rrugë në hyrje të Prishtinës, duke kërkuar shtyrjen e zbatimit të liberalizimit të tregut të energjisë.
Protestën e këtyre bizneseve ai e ka krahasuar me barrikadat e strukturave kriminale në veri të vendit.
Para anëtarëve të kabinetit, Kurti ka paralajmëruar se nuk do të lejohet bllokimin i rrugëve.
Ai është zotuar se do të largohet çfarëdo barrikade.
“Përderisa ne po flasim këtu, Oda Ekonomike e Kosovës që do të duhej të qëndronte pran biznese për t’u përballur me realitetin e ri, sot po tentojnë të bllokojnë rrugët magjistrale me një kërkesë të vetme, shtyrjen e zbatimit të liberalizimit të tregut. Shtyrjen e vendimit po kërkojnë me justifikimin se për një vit do të përgatiten, duke injoruar faktin që nga nuk ana e tyre nuk kanë bërë asnjë përgatitje për 8 vitet shkuara, përderisa u shty nga viti në vit ky proces”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, kërkesat e këtyre bizneseve janë të pabaza.
“Ajo çfarë oda ekonomike nuk po ju tregon është se plotësimi i kërkesës së tyre nuk e zgjidh problemin, por veç se e bart koston e energjisë së këtyre 1200 ndërmarrjeve të faturat e cilit prej jush, secilës familje dhe mbi 100 mijë bizneseve tjera më të vogla që janë më pak të fuqishme e te zëshëm sikurse disa”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, koha e barrikadave në Kosovë ka mbaruar.
“Për të mbrojtur 1 për qind të ndërmarrjeve të fuqishme në kurriz të 99 për qindëshit dhe të familjeve anë e mban Kosovës, ata po duan të bëjnë barrikada në hyrje te Prishtinës. Por koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar, i kemi hequr ato kudo ku kanë qenë dhe jemi zotuar që nuk do të lejojmë më të reja të vendosen”, ka thënë Kurti, transmeton Nacionale.