Albulena Haxhiu ‘cak’ i kritikave të opozitës, opinionisti zbërthen prapaskenat: Praktikë primitive, ja pse po vihet në pikëpyetje!
Kosova është në një ngërç politik, pasi konstituimi i Kuvendit ka ngecur tash e disa muaj.
Partitë politike nuk po arrijnë marrëveshje për të dalë nga kjo bllokadë, derisa secila prej tyre po ka kërkësat e veta.
E në lidhje me gjithë këtë situatë të krijuar, në një prononcim për “Bota sot” ka folur opinionisti Dedë Preqi.
Së pari, ai dështimin e seancave konstituive i cilësoi si një praktikë primitive.
Sipas tij, propozimi i LVV-së për Haxhiun kryeparlamentare është legjitim, madje ai e vlerësoi këtë të fundit dhe nuk mbështeti qasjen e partive opozitare.
“Ngërçi politik në Kuvend, vazhdon që nga 15 prilli dhe deri më tani, për shkak të mungesës së kuorumit të mjaftueshëm për të zgjedhë kryekuvendarin e Kuvendit, duke e mbajtur institucionin e shtetit në gjendje të bllokuar, këtij dështimi i thojnë edhe praktikë primitive.
Propozimi i LVV, për kryetare të Kuvendit, është legjitim si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, atëherë pse duhet të vihet në pikëpyetje z.Albulena Haxhiu, si kandidate e propozuar dhe vihet në dyshim, njëra ndër femrat më të votuara nga vota demokratike e qytetarëve të vendit.
Nuk është vetëm këmbngulja e LVV, për të propozuar vetëm z.Haxhiu, si kandidate për kryetare të Kuvendit, por sjellja e partive opozitare është e atillë, të cilat personin e propozuar e lakojnë në të kundërtën, e demantojnë dhe e shantazhojnë sipas ëndjeve dhe dëshirave të tyre, ndoshta vetëm për të marrë kohë, sepse kjo është çështje e një kohe të caktuar, që do të tregonte vetë se çfarë dëmi i sjellë këtij vendi”, nënvizoi opinionisti.
Gjithashtu, Preqi potencoi se bllokada të tilla rrallë hasim në shtete tjera.
ImageDedë Preqi.Foto galeri
Ai përgjegjës e bëri spektrin politik, ndonëse tha se mospajtimet ekzistojnë në shtetet demokratike, por që duhet bërë lëvizje për të dalë nga situata e krijuar.
“Përballjen me një krize të tillë mund të hasim në ndonjë vend të rrallë dhe aq më pak i konvenon shtetit të Kosovës, e cili në këto rrethana të jashtëzakonshme, duke kaluar në një ngërç politik, apo duke rënë pre e një politike të brishtë, është vështirë të thuash se cilat janë mundësitë e reja që i hapën këtij njerëzimi përmes ngërçëve të tilla.
A duhet të jap përgjegjësi lidershipi politik i Kosovës, rreth kësaj gjendje të tejskajshme, ku qytetari i këtij vendi ua ka besuar votën dhe tani shihet sa me seriozitet e marrin këtë pozicion ky lidership, që kanë përgjegjësi dhe obligim moral e kushtetues ndaj qytetarëve dhe ndaj këtij vendi, njëkohësisht përballë kësaj gjendje mospajtimi dhe kontradikte, duhet të bëjnë zgjidhje.
Në çdo shoqëri demokratike ka mospajtime, ka veprime, ka lëvizje dhe ka organizime të ndryshme, por me çka drejtohen të gjitha këto ndërveprime, në një mjedis që nuk ndihet i qetë brenda vetvetes, dhe njeriu i këtij mjedisi nuk ka vullnet të reflektoi dhe të zgjohet me zemër të hapur t’u përgjigjet problemeve që e prekin qytetarin e vendit të vet”.
Tutje, vazhdoi me kritika ndaj lidershipit politik, ku tha se po tregohen të paaftë dhe të pandjeshëm ndaj problemeve të qytetarëve.
Madje, konsideroi se kjo sjellje e politikanëve është e dënueshme dhe është një pabesi ndaj votuesve të tyre.
“Ky lidership politik mund të tregohet edhe i paaftë, apo po tregohet i pandjeshëm ndaj problemeve ekzistuese, ku kjo formë e bllokimit të konstituimit të Kuvendit, jo vetëm që merr kohë, por mungesa e formimit të institucioneve, e bënë shtetin joekzistent dhe jo funksional.
Po edhe aq e qartë do bëhet kjo pa pjekuri politike e partive dhe lidershipit politik, nëse shkohet në zgjedhje të reja, ku përshkak të kësaj gjendje kaotike dhe ngërçi të paparë në vendin tonë, qytetari i këtij vendi, sikur do ta humbet besimin dhe nuk ka vullnet në mbështetjen e tyre.
Prandaj, sjellja e kësaj papërgjegjësie e këtij lidershipi perceptohet si e dënueshme dhe paraqet një provokim dhe pabesi me votën e tyre, sepse fjalëve dhe premtimeve të tyre u mungon serioziteti dhe bindja për të vërtetën shdërrohet në retorika të thata, në anën tjetër i lartëson këta njerëz në kurriz të popullit”, nënvizoi ai.
Në fund, opinionisti tregoi se si këto politika të brishta mund të ndikojë te qytetarët e Kosovës.
“Psikologjia qytetare e ditëve tona do ta pohonte këtë gjë: Njeriu i këtij vendi ka përjetuar dhe është përballur me lloje të ndryshme të tronditjeve politike e psikologjike në një kohën të robërisë, ndoshta deri edhe te një shpërbërje, sepse nuk ka qenë i mbrojtur ndaj problemeve që i parashtronte ekzistenca, ashtu siq ndodhi edhe në kohërat e trazirave dhe luftës së fundit në Kosovë, por shqetësimi fillon dhe prek thellësinë e shpirtit të këtij njeriu të sotëm në këtë vend, kur zgjohet i pashpresë dhe pozitivitet nga ankthi i politikave të brishta të lidershipit të vet, dhe rebelimi i tyre ndaj këtij populli dhe intitucioneve të këtij shteti”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.