OPINIONTË FUNDIT

“Zgjedhjet e reja në Kosovë: Zgjidhje reale apo riformatim i krizës politike?”

Profesori universitar, Prof.Dr. Fejulla Berisha, në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se ngërçi politik që ka mbërthyer Kosovën pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 ka ngritur një pyetje thelbësore për të ardhmen institucionale të vendit, a janë zgjedhjet e reja zgjidhja e vetme dhe më e mirë për daljen nga kjo krizë, apo do të na çojnë sërish në të njëjtin cikël bllokues?

“Kosova nuk po përballet për herë të parë me pamundësinë për të formuar institucionet pas zgjedhjeve. Që nga viti 2010 e tutje, rastet e krizave post-zgjedhore janë bërë pjesë e zakonshme e jetës politike: në vitin 2014, kur u krijua “blloku opozitar” kundër PDK-së; në vitin 2017 pas zgjedhjeve të parakohshme; dhe në 2020, kur Qeveria Kurti I u rrëzua vetëm pas 52 ditësh në pushtet. Por ndryshe nga të kaluarat, ngërçi aktual ka një thellësi më të rrezikshme: asnjëra nga palët politike nuk po ofron zgjidhje institucionale apo kompromis real”, thekson ai.

Sipas profesor Berishes, Lëvizja Vetëvendosje si fituese nuk ka shumicën për të qeverisur, por edhe partitë e tjera nuk po marrin përgjegjësi për të formuar alternativa të qëndrueshme. Për pasojë, vendi po funksionon me një qeveri kalimtare, ndërsa institucionet legjislative dhe ekzekutive kanë mbetur në bllokadë.

“Zgjedhjet janë mjeti legjitim për të përtërirë vullnetin qytetar. Por pyetja është: çfarë do të ndryshojnë nëse sërish asnjë subjekt nuk siguron shumicë absolute dhe bashkëpunimi mes palëve mbetet i pamundur? Përgjigjja varet nga tri shtylla kryesore: A do të ndryshojë sjellja e votuesit? Nëse qytetarët votojnë me të njëjtat kritere emocionale e ideologjike, të ndikuar nga identiteti politik dhe jo nga nevoja për stabilitet, rezultati mund të jetë një parlament edhe më i fragmentuar dhe më pak funksional. A janë partitë të gatshme për kompromis pas zgjedhjeve? Nëse qëndrimet mbeten të ngurta dhe bashkëpunimi i pamundur, zgjedhjet nuk bëjnë gjë tjetër veçse e shtyjnë krizën për disa muaj. A do të ketë reflektim institucional? Në mungesë të një reforme në sjelljen politike dhe në rregullat e lojës parlamentare, çdo cikël zgjedhor do të jetë potencial për një tjetër bllokadë”, tha ai.

Berisha thotë më tutje se, në vitin 2014, partitë opozitare bllokuan formimin e institucioneve për më shumë se gjashtë muaj, pavarësisht se PDK kishte dalë partia e parë. Situata u zgjidh vetëm me një marrëveshje të papritur ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, që krijoi qeverinë Mustafa. Kjo ishte një zgjidhje politike, jo e dalë nga një proces i ri zgjedhor.

“Ndërkaq, në vitin 2021, LVV fitoi bindshëm dhe për herë të parë pasluftës u krijua një qeveri pa nevojën për partnerë të mëdhenj koalicioni. Por edhe ajo përballej me sfida të mëdha përballë opozitës pasive dhe mungesës së koordinimit institucional. Nëse mbahen zgjedhje dhe prodhojnë të njëjtin rezultat – fragmentim politik dhe refuzim për bashkëpunim – atëherë kriza institucionalizohet. Zgjedhjet mund të jenë pjesë e zgjidhjes, por jo të vetmet. Ajo që mungon është një kulturë politike e përgjegjshme, ku partitë marrin përgjegjësi për stabilitetin e shtetit, jo vetëm për mbrojtjen e interesave të tyre”, tha ai.

Sipas tij, në vend të shkuarjes automatike në zgjedhje, Kosova ka nevojë për marrëveshje të sinqerta për formim të institucioneve me mandat të kufizuar kalimtar, që do të çonin më pas në zgjedhje të menaxhuara mire, reformë zgjedhore që e bën të pamundur bllokadën institucionale nga partitë si dhe presion qytetar dhe shoqëror për konsensus institucional, jo për rivalitet të pafund.

“A zgjidhin zgjedhjet ngërçin? Po, nëse shoqërohen me ndryshim të mendësisë politike dhe elektorale. Jo, nëse janë thjesht përsëritje e skenarëve të njëjtë, me lojtarë të njëjtë dhe interesa të njëjta. Zgjedhjet janë një instrument i demokracisë, por pa përmbajtje politike dhe përgjegjësi shtetformuese, ato kthehen në një mekanizëm për të mbajtur krizën gjallë – dhe jo për ta zgjidhur atë”, vlerëson profesor Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *