Marrëveshja me Italinë, mbërrin në Shëngjin një anije me 27 emigrantë
Një grup tjetër emigrantësh të cilëve iu është refuzuar azili në Itali kanë mbërritur në Shqipëri. Anija “Spica” e Marinës Ushtarake Italiane u nis mëngjesin e së martës nga porti i Brindisit dhe zbarkoi në portin e Shëngjinit, duke transportuar 27 emigrantë në bord.
Pas mbërritjes në Shqipëri, emigrantët u transferuan drejt kampit të Gjadrit. Ky është kontingjenti i tretë i emigrantëve që mbërrijnë në territorin shqiptar si pjesë e dekretit të ri të qeverisë italiane, të cilët do të qëndrojnë në Gjadër deri sa të vendoset për deportimin ose jo në vendet e tyre të origjinës, me një afat maksimal që nuk kalon 18 muaj.
Fillimisht, kampi i Gjadrit ishte projektuar si një qendër pritjeje për azilkërkuesit e shpëtuar në det, për një periudhë deri në 28 ditë, por me dekretin e ri të qeverisë së drejtuar nga Giorgia Meloni, funksioni i kësaj qendre është zgjeruar. Tashmë, ajo do të shërbejë edhe si qendër ndalimi për emigrantët të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil dhe që pritet të deportohen.
Ndërkohë, në ditët në vijim pritet vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë lidhur me apelimin e paraqitur nga Gjykata e Romës. Kjo e fundit ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e arrestimeve të emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe dhe të transferuar më pas në Shqipëri, veçanërisht për rastet që vijnë nga vende që Italia i cilëson si të sigurta, si Egjipti dhe Bangladeshi/ rtsh