Lirim Gashi: Albin Kurti, boksieri i dritës në ringun e errësirës
Ashtu siç në ringun e boksit dalin ndonjëherë “boksierë ” pa shpirt sportiv të cilët në vend të grushtit të nderit e zgjedhin grushtin nën brez sepse janë frikacakë tinëzarë, që çdo shpërqendrim të gjyqtarit e shohin si mundësi për t’ia dhënë një goditje vdekjeprurëse më të mirit… ashtu edhe në arenën politike të Kosovës janë shfaqur disa figura të errëta, që nuk luftojnë për vlera, por për hakmarrje të ulët.
Këta politikanë të vegjël që i karakterizon një lakmi e egër për t’ua grabitur njerëzve jo vetem pronën materiale por edhe atë shpirtërore, nuk kanë as dijen. as shpirtin, as vizionin, as guximin për të ndërtuar – por kanë një talent djallëzor për të grabitur dhe mashtruar.
Ose edhe më saktë: dinë se si t’i mashtrojnë ata që e kanë trurin e zbrazët nga propaganda dhe zemrën e pangopur nga lakmia.
U thonë: “Na jepni votën, dhe do të përfitoni nga talenti ynë i rrallë për ta vjedhur dhe mashtruar popullin bashkë.” Dhe ja ku e ke: të keqen të hipur në pushtet, me bekimin e paditurisë.
Kur një mashtrues arrin të hipë në karrigen e pushtetit duke shfrytëzuar ndihmën e të verbërve dhe servilëve, ai e sheh çdo grua dhe burrë të mirë si rrezik, çdo ideal si pengesë, dhe çdo vlerë si armik.
Pikërisht këtë e po e përjeton Albin Kurti – një njeri që nuk mund ta blejnë, nuk mund ta kontrollojnë, nuk mund ta ndotin.
Ai është ringjallja e moralit në një sistem të mësuar me krim. Prandaj, kundërshtarët e tij janë kthyer në grushtues tinëzarë, që synojnë ta godasin jo vetëm atë, por edhe vetë idenë e nderit, drejtësisë, barazisë, moralit dhe dinjitetit në këtë vend.
Por çfarë harrojnë këta “boksierë të errësirës” është se ndërsa grushtet e ndyta mund t’ia lëndojnë trupin e plogësht, ato nuk mund t’ia vrasin shpirtin e fortë..
E në fund, populli do ta mbajë mend kush goditi nën brez, e sidomos kush qëndroi në këmbë edhe kur ringun ia mbushën me fekale të rrëshqitshme.
Albin Kurti nuk po lufton vetëm për pushtet. Ai po lufton për ta çliruar vetëdijen e popullit nga robëria e mashtruesve.
Dhe kjo është arsyeja pse ai është armiku i përjetshëm i të gjithë atyre që e masin suksesin me numrin e plagëve vdekjeprurëse që ua kanë shkaktuar njerëzve të ndershëm.
Ashtu siç në ringun e boksit, goditjet më të ndyra nën brez vijnë nga maskarenjtë e patalentuar, ziliqarë dhe lakmitarë, që e dinë se në një duel të ndershëm do të binin në tokë si mollat e kalbura – ashtu edhe në arenën politike të Kosovës po shohim një paradë qesharake figurash të errëta, që shfrytëzojnë çdo shpërqendrim të publikut për t’ia futur pas shpine ndonjë thikë helmuese njeriut të drejtë, të aftë dhe të përkushtuar ndaj popullit.
Albin Kurti, i vetmi burrështetas i gjeneratës së pasluftës që ka shtyllë kurrizore, parime dhe një dashuri të pandryshueshme për popullin, sot sulmohet nga ata që dje zvarriteshin në korridoret e korrupsionit për të lëpirë ndonjë kockë të hedhur nga emisarët e shteteve që s’e kanë njohur Kosovën.
Këta njerëz, përfaqësues të një të kaluare të dështuar – qoftë Çitaku me diplomacinë e saj të përçudnuar, apo Haradinaj me retorikën e zbrazët dhe valixhen gati për ndonjë udhëtim pa kthim – nuk mund ta durojnë faktin se dikush si Kurti po i zgjon njerëzit nga gjumi.
Ata nuk e luftojnë Kurtin sepse bën gabime – por sepse e nxjerr në pah mënyrën e tyre të sundimit. Kur Kurti flet me gjuhën e demokracisë amerikane – “Njeriu lind i lirë, por shpesh vetëburgoset në prangat e injorances ” – ata përdorin gjuhën e pandershme të Makiavelit: “Nuk ka rëndësi populli, rëndësi ka se si ta mashtrosh.”
Dëshironi shembuj konkretë?
Kur Kurti nisi ta shkëpusë varësinë ekonomike nga Serbia, ata bërtitën “çmenduri ekonomike” – megjithëse për vite të tëra vetë nuk kishin prodhuar as bukën pa e importuar nga Beogradi.
Kur ai refuzoi diktatin kolonial të “Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”, ata e quajtën “izolues”, jo pse nuk kishte të drejtë, por sepse e tha të vërtetën – dhe e vërteta djeg.
Kur ai filloi t’i përkrah materialisht fëmijët, nënat dhe studentët, ata bërtitën “populizëm!” – ndërsa vetë përpiqen ende të mbulojnë dështimet e tyre me programe boshe dhe media të blera.
Çfarë thotë filozofia për këtë?
Platoni paralajmëroi : “Kur në një shtet ndershmëria nuk vlen më, e mashtrimi bëhet rruga drejt karrierës, atëherë sundojnë gënjeshtarët dhe hipokritët.”
Niçe shtoi: “Turma është frikacake, dhe ndjek atë që bërtet më fort – jo atë që mendon më thellë.”
E megjithatë, Kurti mbetet i palëkundur – stoik si Seneka mes dekadencës së Romës. Ai e di se integriteti nuk të sjell shpërblime, veçse paqe me ndërgjegjen tënde. Kurse kundërshtarët e tij shesin çdo copë dinjiteti për një post, një ftesë në Bruksel apo një titull të porositur në ndonjë gazetë të korruptuar.
Kundërshtarët e Albin Kurtit e goditën atë ashpër madje edhe kur ai filloi ta forcojë dhe armatos ushtrinë e Kosovës për disa arsye që lidhen me interesa politike, ideologjike dhe ndikime të jashtme:
1. Frikë nga rritja e autoritetit të tij: Forcimi i ushtrisë nën udhëheqjen e Kurtit i jep atij një profil të lartë shtetformues dhe burrështetasi, gjë që e rrit edhe më shumë popullaritetin e tij. Kjo i frikëson kundërshtarët, sepse e bën më të vështirë për ta të rikthehen në pushtet.
2. Lidhjet me interesa të jashtme: Disa nga kundërshtarët e tij tradicionalisht kanë pasur marrëdhënie të ngushta me qarqe ndërkombëtare që nuk janë gjithmonë të interesuara për një Kosovë të fuqishme ushtarakisht. Armatosja e ushtrisë shihet nga këto qarqe si provokim ndaj Serbisë, dhe si pengesë për procesin e “normalizimit”, i cili shpesh kërkohet mbi kurriz të sigurisë së Kosovës.
3. Narrativa e paqes së rreme:
Ka një narrativë të gjatë në politikën kosovare që shtetet e forta ushtarakisht janë “problem” për stabilitetin rajonal. Kurti e theu këtë tabu duke thënë se pa ushtri të fortë, s’ka as paqe, as dinjitet. Kjo sfidoi politikën e mëparshme të dorëzimit dhe kompromisit të pafund.
4. Frikë nga transparenca dhe drejtësia:
Një ushtri e profesionalizuar dhe e besueshme do të jetë gjithashtu mbështetje për rendin, drejtësinë dhe integritetin territorial. Kjo rrezikon rrjetet e vjetra të korrupsionit dhe ndikimit të krimit të organizuar, që shpesh janë të lidhura me kundërshtarët e Kurtit.
5. Diskreditim përmes propagandës:
Kundërshtarët shpesh përdorin propagandën për ta paraqitur armatosjen si “rrezik” ose si akt “populist”, duke shpresuar ta diskreditojnë Kurtin në sytë e faktorit ndërkombëtar dhe qytetarëve më të kujdesshëm ndaj konfliktit.
Pra, në thelb, sulmet kundër Kurtit për ushtrinë nuk ishin për shkak të ushtrisë vetë, por për shkak të asaj që ajo simbolizon: një Kosovë më e fortë, më sovrane dhe më e pakontrollueshme nga hijet e së kaluarës.
Përfundim:
Në një ring politik ku shumë godasin me mashtrime dhe propagandë të mirëvajisur, Albin Kurti mbetet luftëtari i rrallë që refuzon të godasë nën brez. Dhe pikërisht për këtë arsye ai është aq i rrezikshëm për ata që jetojnë në errësirë – sepse kur dikush sjell dritën, fillojnë të duken minjtë. Dhe minjtë kafshojnë më egërsisht pikërisht kur e ndiejnë se drita nuk do të shuhet.