“Albulena është e pastër”, Zeqiraj ‘godet’ opozitën dhe zbërthen planet e saj: Nuk duhet të bëhet ky lëshim fatal!
Edhe pas dështimit të radhës të seancës konstituive të Kuvendit, përfaqësuesit politikë kanë vazhduar me akuza dhe kundërakuza për bllokimin institucional. Vetëvendosje mbrojti propozimin për kryetar, ndërsa opozita e akuzon Kurtin për kryeneçës.
Kësisoj, kriza institucionale po vazhdon ende, pasi partitë politike po refuzojnë kompromiset.
E në lidhje me gjithë situatën e krijuar nga ky ngërç politik, foli publicisti Idriz Zeqiraj në një bashkëbisedim me “Bota sot”.
Si fillim, komentoi rolin e deputetëve të Kuvendit, derisa u kthye pas në kohë përmendi ata që përfaqësonin popullin, e mes tyre emra me histori të madhe shqiptare.
Në këtë pikë, publicisti kritikoi deputetë aktual të Kosovës, të cilët po refuzojnë votimin me votë të fshehtë, e që kjo sipas tij tregon që nuk mendojnë dhe vendosin në mënyrë të pavarur.
“Emërtesa -deputet i popullit-, mbartë një ngarkesë të veçantë përgjegjësie. Kujtoni emrat e deputetëve të Shpalljes të Pavarësisë të Shqipërisë; të konsolidimit të Shtetit Shqiptar në vitete e 20-a; të Mbretërisë Shqiptare, të cilët edhe sot mbahen mend nga brezat shqiptarë, për integritetin dhe autoritetin që kishin në Shqiptari. Burra të ndershëm dhe trima ishin Deputetët Demokratë, të dalë nga zgjedhjet e para, pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri. Prej tyre kishte edhe firmtarë të shpalljes të Pavarësisë të Shqipërisë; demokratë nga Familje të Mëdha nacionaliste, kombëtare. Ata patën guximin të përballen me juntën fashizoide të filosllavit Enver Hoxha, me byroistët e tij kriminelë, të cilët luftën çlirimtare, e konvertuan në luftë civile, qytetare! Asnjë përballje luftarake nuk bënë me pushtuesin, ndërkohë që, nën diktatin e emisarëve jugosllavë, vranë si derrat e egër, kombëtarët, të organizuar në partinë e “Ballit Kombëtar”, të kryesuar nga djali i Abdyl Frashërit, Mit`hati, si dhe partia Mretërore “Lagaliteti”.
Gjyqi farsë, i bërë kundër 24 Deputetëve Demokratë, përfundoi me ekzekutimin e një pjese të tyre; të tjerët me dënimet e rënda; pas burgut me internime të përjetshme, me familje e farefis; me konfiskimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.
Vërtet, jemi në demokraci, por janë dërdëllitjet e disa deputetëve të opozitës, kur mohojnë votimin e fshehtë, kinse, me pavarësinë që kanë deputetët, për të votuar sipas bindjeve personale. Kujt ia shesin këto përrallisje, duke e ditur se ata nuk kanë nevojë të mendojnë të pavarur, sepse për ata mendon parti”, deklaroi ai.
Gjithashtu, Zeqiraj përmendi domosdoshmërinë për arritjen e një kompromisi mes partive politike.
Ai theksoi se propozimi i Haxhiut si kryeparlamentare ka qenë i duhur, pasi vlerëson se Albulena ka një veprimtari të pastër, si opozitare, ashtu edhe pushtetare.
“Në politikë, për zgjidhjen e ngërçeve, siç është rasti i tanishëm apo raste të tjera, është i nevojshëm kompromisi, marrëveshja ndërmjet subjekteve politike. Por, në rastin konkret, partisë fituese të zgjedhjeve, i takon propozimi dhe posti i kryetarit të Kuvendit. Prandaj, nuk ka arsye të krijohet precedencë.
Reagimi i Albulenë Haxhiut, ka qenë i përligjur, sepse PDK-ja ka provokuar, duke e vënë në krye të Kuvendit kryetarin e Organizatës ilegale kriminale SHIK, Kadri Veselin. Ndërsa Albulena është kristal e pastër, në të gjithë veprimtarinë e saj, qoftë si opozitare, qoftë si pushtetare”.
Tutje, publicisti nga Gjermania potencoi se opozita po synon rikthimin në pushtet, prandaj po refuzon kompromiset e Kurtit për marrëveshje politike.
Megjithatë, tha se LVV nuk e lejojë një gjë të tillë, për disa arsyje.
“Kryeministri Kurti ka propozuar kompromisin me marrëveshje, për zgjedhjen në grup të kryetarit të Kuvendit dhe të organeve tjera kuvendore. Por, opozita e ka refuzuar edhe këtë propozim të LVV. Siç duket nga refuzimet e njëpasnjëshme, synimi i opozitës është ogurëzi, sepse kërkon, madje, ngulmueshëm, kthimin në pushtet, gjë që pozita nuk është e gatshme ta bëjë këtë lëshim fatal. Arsyeja është se kjo opozitë ka bërë pazare të dëmshme, deri në tradhti, si Demarkacioni, Asociacioni, lobimi për ndarjen e Kosovës dhe është gati të bëjë lëshimet e radhës, sepse eksponentët partiakë të PAN-it, janë të shantazhuar me dosje penalizuese, të cilat i posedojnë Serbia dhe ndërkombëtarët. Për një çerek-shekulli vazhdojnë arrestime dhe gjyqe, të ish-shtetarëve dhe të ish-pushtetarëve, kryesisht, disa “komandantësh” pa ushtarë, me akuza faktike, për torturë, izolim, maltretim, e deri në vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë”, shpjegoi ai.
Në fund, kundërshtoi zgjedhjet e reja, derisa u shpreh se edhe Kurti po bën përpjekje për t’i shmangur ato.
Në këtë pikë, mbeti i befasuar me qasjen e disa deputetëve të Kuvendit.
“Ftesa e tretë radhazi e kryeministrit, Albin Kurti, për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për koalicion e bashkëqeverisje, përfshirë edhe subjektet e pakicave dhe Nisma, dëshmon për seriozitetin që ai ka, për ta zgjidhur ngërçin e krijuar, për tre muaj radhazi. Kjo ftesë përforcon bindjen se Kurti është në përpjekje, për të shmangur zgjedhjet e parakohshme. Sepse, veç tjerash, është shqetësuese për deputetët, sidomos për ata të zgjedhur për mandatin e parë, zgjedhjet kanë kosto buxhetore të lartë, ndoshta ka mundësi kursimi; humbje enorme në kohë; pengesat në procesin mësimor në shkolla, përgjatë fushatës të stërzgjatur, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit. Ditë të humbura pune, në shoqërimin e partive të zemrës”, përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.