POLITIKATË FUNDIT

Ish-koloneli i FSK-së: Ushtrimi i përbashkët, mesazh i qartë për Serbinë, Rusinë dhe vendet që s’e njohin Kosovën

Rreth 12.000 trupa ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe nga vendet aleate të saj, përfshirë Kosovën, janë mbledhur në Ballkan, në kuadër të fazës së dytë të stërvitjes “DEFENDER 25”, të udhëhequr nga ushtria amerikane.

Ushtrimi, zhvillohet nga 26 maji deri më 9 qershor, ka për qëllim të testojë se “sa shpejt dhe sa efektshëm” mund të dislokohen trupat amerikane në Evropë për ta mbrojtur Krahun Lindor të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) me aleatët dhe me partnerët.

Kosova është një ndër tetë vendet ku do të zhvillohet stërvitja që, sipas Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara, synon të forcojë mbrojtjen kibernetike dhe të demonstrojë kapacitetet e sigurisë të SHBA-së dhe aleatëve.

Ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, e ka quajtur “një nga ditët më të bukurat”, teksa ushtritë e Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-së zhvillojnë ushtrime të përbashkëta.

Sipas tij, ky bashkëveprim është tregues i epokës së forcimit të ushtrive në mbrojtje të lirisë, jo vetëm në vend, por edhe në mbarë botën. Veseli thekson se ushtrimi ka rëndësi të veçantë për Kosovën, si në aspektin politik, ashtu edhe profesional.

“A ka ditë më të bukur se sot, në ditën kur dy ushtritë tona – Kosovës dhe Shqipërisë – janë të rreshtuara së bashku me ushtrinë amerikane, në rreshta dhe kolona, në ushtrime për beteja për mbrojtje të lirisë sonë dhe lirisë së popujve të tjerë?!

Pra, konkludohet se ky ushtrim është tregues i qartë se jemi në shekullin e forcimit të ushtrive tona në mbrojtje të lirisë në vendin tonë dhe kudo në botë.

Ky ushtrim ka rëndësi të veçantë për Kosovën në shumë dimensione”, thotë ai.

Ish-koloneli e ka vlerësuar si historik ushtrimin e përbashkët të Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-së. Ai tha se ky është një mesazh i fuqishëm për Serbinë, Rusinë dhe për ato vende të NATO-s që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Sipas Veselit, përfshirja e Kosovës si vend pritës tregon rrugëtimin e saj të sigurt drejt NATO-s. Ai shtoi se për FSK-në, ky është një test profesional për njësitë, sistemet dhe ndërveprimin me NATO-n – që hap rrugë për misione ndërkombëtare në të ardhmen.

“Së pari, është mesazh për hordhitë e Serbisë dhe Rusisë se liria e Kosovës mbrohet nga Kosova, Amerika dhe e tërë NATO.

Së dyti, përzgjedhja e Kosovës si territor për mbajtjen e ushtrimit është mesazh edhe për disa vende të NATO-s që ende s’e kanë njohur Kosovën, dhe se ato duhet të pranojnë se Kosova ka rrugëtimin e saj të sigurt drejt NATO-s.

Në aspektin profesional, FSK do t’i testojë njësitet e saj në ushtrim praktik fushor, sistemet e saj të komunikimit, sistemet e armëve dhe – çka është më e rëndësishme – ndërveprimin e njësive tona me ato të NATO-s, që hap rrugë në të ardhmen që FSK të jetë pjesë e misioneve të NATO-s kudo në botë.

Uroj që këtë mesazh të dhënë nga Amerika ta kuptojmë si dhuratë që veç Zoti dhe Amerika din t’ia japin Kosovës.

Uroj që edhe kushdo që është në pushtet në Kosovë ta kuptojë mirë:

Se rruga e vetme e Kosovës është rruga në të cilën kemi bashkudhëtar AMERIKËN.

Ndihem pak xheloz për kolegët e mi që sot fillojnë ushtrimin.

Zoti qoftë në krahët e ushtarëve tanë. E di që ata do të na bëjnë krenarë”, përfundon ai për Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *