TË FUNDIT

Shkarkimi i Arbër Vokrrit për ndërkombëtarët, analistët tregojnë mesazhet që dha me këtë Albin Kurti

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, është shkarkuar javën e kaluar, pasi ai akuzoi ndërkombëtarët se kanë nxitur trazirat në veri në disa raste, duke përmendur edhe një nga diplomatët ndërkombëtarë – shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka liruar sot nga detyra zëvendësministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri. Ky vendim vjen pas deklarimeve të tij se diplomatë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare – duke apostrofuar me emër shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav – me veprimet e tyre kanë nxitur trazira në veri të vendit. Deklaratat e z. Vokrri nuk përfaqësojnë qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Këtë veprim të Kurtit, analistët politikë e shohin si një pikë kthese dhe një ndryshim rrënjësor të qëndrimit të tij apo të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj ndërkombëtarëve.

Sipas tyre, vendimi i Kurtit tregon se raportet me ndërkombëtarët nuk janë aq të qarta sa janë propaganduar.

Mesazhet e vendimit të Kurtit

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Zejnullah Jakupi, për gazetën Bota Sot, thotë se vendimi i Kurtit është distancim i hapur i Qeverisë dhe Vetëvendosjes nga qëndrimet e Vokrrit.

“Vendimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të liruar nga detyra zëvendësministrin Arbër Vokrri pas deklaratave të tij për diplomatët ndërkombëtarë – veçanërisht ambasadorin e BE-së, Aivo Orav – bart disa sinjale të rëndësishme politike dhe diplomatike, të cilat mund të interpretohen në disa rrafshe: distancim institucional nga deklaratat e Vokrrit. Ky është mesazhi më i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm. Qeveria po tregon se nuk e përkrah diskursin që vë në pikëpyetje ose akuzon përfaqësues ndërkombëtarë për nxitje të trazirave, sidomos kur këto akuza nuk janë të mbështetura në fakte publike ose në koordinim me qëndrimet zyrtare të institucioneve. Kjo përforcon përpjekjet e Qeverisë për të ruajtur një komunikim të përgjegjshëm dhe diplomatik me komunitetin ndërkombëtar”, shprehet Jakupi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *