Pse ushtrimi Defender Europe 25 është i rëndësishëm për Kosovën, flet koloneli në pension i FSK-së
Koloneli në pension i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Afrim Veseli, ka deklaruar se ushtrimi ushtarak fushor “Defender Europe 2025” përbën një “ditë të madhe” jo vetëm për ushtrinë, por edhe për qytetarët e Kosovës.
“Ditë e madhe për Kosovën. Ditë të tilla të lumtura kemi pasur pak kohët e fundit, pa dallim etnie. Edhe Kosova është pjesë e një ushtrimi të madh ushtarak që po zhvillohet në territorin e saj dhe me ushtrinë e saj. Kur përmendet NATO-ja dhe Ushtria e SHBA-së, përmenden forcat që mbrojnë lirinë dhe demokracinë në botë. Nuk ka dëshmitarë më të mëdhenj se Kosova dhe qytetarët e saj, duke rikujtuar ndërhyrjen e NATO-s dhe SHBA-ve në kohën kur ishim përballë shfarosjes dhe gjenocidit”, theksoi Veseli në TV Dukagjini.
Ai kujtoi edhe përjashtimin e FSK-së nga ushtrimi “Defender Europe 2023”, duke e cilësuar atë si një “dënim politik” për zhvillimet e brendshme në vend.
“Pavarësisht ‘lojërave politike’ që kanë ndodhur, FSK-ja ka mbetur partner besnik i SHBA-ve dhe ushtrisë amerikane. Që nga themelimi i saj më 2009, Ushtria Amerikane ka qenë mbështetëse e palëkundur e FSK-së dhe ka hapur dyer në aspektin ushtarak dhe diplomatik”.
Ushtrimi “Defender Europe 2025” ka nisur zyrtarisht sot dhe Kosova është një nga 18 shtetet pritëse. Ky është ushtrimi më i madh shumëkombësh i organizuar ndonjëherë në territorin e Kosovës.
Nën drejtimin e Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, në këtë stërvitje pritet të marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.