POLITIKATË FUNDIT

Provokimet në veri, flet Korab Blakaj: Ngjarja në “Car Llazar” pjesë e luftës hibride të Beogradit!

Eksperti i sigurisë, Korab Blakaj në një prononcim për “Bota sot”, thotë se ngjarja në sheshin “Car Llazar” në Mitrovicë, ku maturantë serbë festuan me simbole dhe këngë në një atmosferë të tensionuar, tregon se festat e dukshme po përdoren si mjet propagandistik nga strukturat politike serbe.

Sipas tij, kjo është pjesë e një lufte hibride që synon të nxisë ndasi dhe të sfidojë institucionet e Kosovës.

Ndërsa, vlerësoi se Policia reagoi me profesionalizëm, mbetet thelbësore të kuptohet se të rinjtë serbë shpesh janë viktima të kësaj propagande dhe jo nxitës të saj.

ImageEksperti i sigurisë, Korab BlakajFoto galeri
“Ngjarja e ndodhur në sheshin “Car Llazar” në veri të Mitrovicës, ku maturantë serbë festuan me flamuj dhe këngë në një atmosferë të tensionuar, nuk duhet të shihet thjesht si një rast festiv i zakonshëm. Kur në një hapësirë të ndjeshme simbolike shfaqen provokime, mesazhe të koduara dhe mungesë e sensit bashkëjetues, atëherë kemi të bëjmë me një instrumentalizim të qëllimshëm të rinisë për qëllime politike dhe propagandistike.

Ky është një mekanizëm i njohur i luftës hibride dhe ndikimit të Beogradit në veri të Kosovës ,ku përmes aktiviteteve të dukshme si festat e shkollës, strukturat politike serbe nxisin ndasi, testojnë reagimin institucional dhe tentojnë të përforcojnë një realitet paralel.

Fatmirësisht, Policia e Kosovës reagoi me profesionalizëm dhe e parandali përshkallëzimin. Por kjo nuk mjafton. Duhet të kuptojmë se të rinjtë serbë nuk janë shkaktarët, por shpesh janë viktimat e kësaj propagande të hershme, që i rrit me një ndjenjë ndarjeje dhe përjashtimi nga shteti i Kosovës”, potencon ai.

Blakaj thotë se për të parandaluar keqpërdorimin e aktiviteteve rinore për qëllime politike, është jetike të monitorohet narrativi në shkolla dhe ngjarje publike në komunat me shumicë serbe. Aty ku përçohen mesazhe nacionaliste, duhet reagim institucional dhe bashkëpunim me organizata ndërkombëtare.

Tutje, shton se festimet rinore nuk duhet të shndërrohen në mjete propagande, sepse përdorimi i të rinjve për qëllime politike rrezikon të bllokojë të ardhmen. Institucionet dhe shoqëria duhet të mbrojnë rininë nga instrumentalizimi.

“Për të parandaluar instrumentalizimin e aktiviteteve rinore duhët të monitorojmë me kujdes narrativën që përçohet nëpër shkolla dhe aktivitete publike në komunat me shumicë serbe. Aty ku shkollat e mesme organizojnë ngjarje me mesazhe të koduara nacionaliste, duhet të ketë ndërhyrje institucionale dhe bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare që operojnë në Kosovë.

Të sigurohemi që veprimet e sponsorizuara nga struktura të huaja apo anti-kushtetuese të mos gjejnë terren në aktivitete që në thelb duhet të ishin festime të pafajshme të rinisë.

Nëse edhe rinia shkollore përdoret për qëllime politike, atëherë edhe e ardhmja rrezikon të jetë e bllokuar. Është detyrë e institucioneve të Kosovës , dhe e shoqërisë në tërësi që të mos lejojnë që rinia të shndërrohet në një mjet të konfliktit të përhershëm!”, përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *