OPINIONTË FUNDIT

Profesori me kritika të ashpra për politikanët: Lista Serbe rri e bën sehir, numëron humbjet që pësoi Kosova deri më tani

Kosova aktualisht është në ngërҫ politik. As pas 20 seancave, Kosova nuk arriti të dalë nga kriza politike.

Pozita dhe opozita po vazhdojnë të mbajnë qëndrime të njëjta, duke vazhduar kështu edhe situatën e njëjtë.

Kosova në këtë vonesë të krijimit të institucioneve po humbë drejtë rrugës së saj evropiane. Ka humbur mundësinë për të qenë në agjenden e Këshillit të Sigurisë, ka humbur miliona euro fondacione e humbje të tjera që mund ta presin në vazhdim.

Por se cila janë humbjet më të mëdha të Kosovës në rrugën e saj evropiane?

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof.Dr. Enver Bytyҫi thotë se, ngërçi politik në Kosovë ka shkuar në limitet e veta. Njëzet herë u hodh në votim zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe të njëzet herat dështoi. Kjo ndodhi, sepse as fituesi i zgjedhjeve dhe as kundërshtarët politikë të tij nuk i kanë votat për të patur institucionet e shtetit.

“Dhe kjo po ndodh falë atij lëshimit të imponuar që negociatorët e pavarësisë bënë me Planin Ahtisaari. Së paku një mësim duhet nxjerrë: – Ja çfarë do të thotë të bësh lëshime që të kushtojnë gjithë jetën. Grupi negociator pranoi që serbët dhe pakicat e tjera të kenë 20 vende të rezervuara. Tani shumica e 100 deputetëve shqiptarë nuk garanton institucione të qëndrueshme. E keni parë? Lista Srpska rri e bën sehir. Madje tallet me abstenimet e saj. Nuk ka nevojë ajo të votojë kundër, sepse këtë e bëjnë partitë shqiptare. Pse mos t’i nxjerrin serbët gështenjat me duart e shqiptarëve. Kanë siguruar 20 vende në parlament me një ferman ndërkombëtar të pranuar nga vetë lidershipi i Kosovës. Tani tallen dhe ngrohen në zjarrin që e sajuan ata para 17-18 vitesh. Ja çdo të thotë të mos parashikosh pasojat e asaj që bën në një kohë të caktuar! Pra, humbja më e madhe na vjen për shkak të pranimit të Planit Ahtisaari. Tani na kërkojnë asosacionin, me qëllim që Kosova të zhduket nga harta politike. Për ta përfunduar dua të them se kriza e sotme e ka emrin “kompromis” i Kosovës në kohën e themelimit të shtetit”, thekson ai.

Tutje profesori thekson se, ‘këtë ditë Beogradi e ka projektuar që në vitet 2006-2008. Ka bërë presion pikërisht me planin e saj për ta bërë Kosovën një shtet jofunksional. Sepse mungesa e 20 deputetëve që tallin b. me institucionet e Kosovës, siç po tallet edhe Dudja, do ta bënte edhe Gjermaninë një shtet jo funksional. Dmth, kur 18 përqind e parlamentit zotërohet nga 8 përqind e pakicave, ato bëhen pengesë e padiskutueshme për shumicat parlamentare. Aq më tepër kur në mesin e politikanëve të subjekteve shqiptare kanë aq shumë budallenj e shërbëtorë të tyre. Kujtoni si ka luajtur me liderët e Kosovës Milan Radoiçiq’.

“Tani ju pyesni se çfarë humb Kosova me këtë ngërç politik? Humb imazhin e saj. Dhe duhet të dini se imazhi është jetik në kohën, kur ende nuk je bërë anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Krijimi i imazhit negativ çon në humbjen e besimit te partnerët. Humbja e besimit bëhet shkak për tërheqjen e përkrahjes në arenën ndërkombëtare. Kjo po i ndodh fatkeqësisht Kosovës. Dhe pikërisht këtë nuk po e kuptojnë politikanët, të cilët me kapriçot e tyre bëjnë sport politik. E duam ose nuk e duam Albulenën! Për turpin e botës! Nuk e kuptojnë se asnjë emër për drejtimin e institucioneve të shtetit nuk ka kurrëfarë rëndësie krahasuar me vetë shtetin”, thotë profesor Bytyҫi.

Sipas tij, mendohet se me ngërçin politik Kosova humb para nga Bashkimi Europian.

“Pleqtë na thoshin se diçka që paguhet me para, është humbja më e vogël. Humbja e imazhit dhe e besimit është goditja fatale që i jepet shtetit me këto veprime që po ndodhin! Asnjëra palë, as fituesi, as opozita, nuk duan të ulen e të analizojnë këtë dëm kaq të madh për Kosovën. E dini çdo të thotë kjo? Do të thotë se partnerët e Kosovës mund të fillojnë e të besojnë propagandën serbe që prej kohës Gjorgjeviçit e Pashiçit, sipas së cilës “Shqiptarët nuk ajnë të aftë të vetëqeverisen”! Pashiq thoshte se shqiptarët “do të kenë nevojë për kujdestarinë e Serbisë”, vlerëson ai.

Poashtu, ai thotë se nëse nuk krijohen sa më shpejt institucionet e vendit, atëherë gjithçka mund të pritet.

“Dobësohet qeverisja. Dobësohet puna për realizimin e projekteve si në institucionet qendrore edhe në pushtetin lokal. Krijohet mësbesim edhe te qytetarët e Kosovës. Më pas vjen deri te humbja e shpresës. Fjala mort nuk bën. Por mund të ketë emigrim në numër të madh. Shihni se çfarë po ndodh në Shqipëri! Nga një vend me popullsinë më të re në Europë, u shndërrua për shkak të emigrimit në një vend me popullsinë me numrin më të madh të pensionistëve në Europë. Kjo klasë politike u tregua deri sot, në të gjitha 20 seancat e dështuara të parlamentit, e papërgjegjshme. Ajo është fajtore për pasojat e mungesës së institucioneve.

Dhe këto pasoja nuk i vuajnë këto shushunja, që laujnë me fatin e Kosovës e të shtetit. I vuajnë qytetarët, sidomos shumica shqiptare dërmuese. Se serbët hanë me dy lugë, atë që ua ka dhënë qeveria e Kosovës dhe atë që u jep Beogradi. Prandaj dhe nuk duhet lejuar që disa mijëra serbë të kenë në dorë fatin e gati dy milionë shqiptarëve. Nëse Kosova luftoi për lirinë e saj, ajo nuk e bëri këtë që këtë liri ta menaxhojnë sërishmi në Beograd e në Moskë. Sa kohë që kalamajtë e zgjedhur në krye të subjekteve politike të Kosovës vazhdojnë të luajnë kungulleshën me njëri-tjetrin, aq kohë Kosova rrezikohet prej projekteve serbe të destabilizimit dhe të asgjësimit të lirisë e pavarësisë së fituar me gjak e sakrifica”, thotë professor Bytyҫi për ‘Bota sot’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *