Profesori nga Guxo tregon se cila është rruga më e mirë për të dalë nga ngërҫi politik
Edhe pas 20 seanca të Kuvendit, vendi po vazhdon të jetë në krizë politike e institucionale. Po bëhen gati katër muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet e fundit parlamentare dhe Kosova ende nuk ka krijuar qeverinë e re, nuk ka konsistuar as Kuvendin.
Pozita po kërkon që kandidatja e tyre e propozuar Albulena haxhiu të zgjidhjet si kryeparlamentare, ndërkaq opozita po e refuzon. Në ҫdo seancë po vazhdon e njëjta situate dhe ende vendi nuk ka dalë nga ngërҫi i krijuar.
Por se cila duhet të jetë zgjidhja më e mirë për të dalë nga kjo situatë, deri më tani janë përmendur propozime të ndryshme. E një qëndrim për këtë mbanë edhe profesori dhe zyrtari i Partisë Guxo, Dr.sc. Astrit Sahitaj.
Ai thotë se, ngrirja politike që po e përjeton vendi nuk është vetëm krizë institucionale, por edhe krizë besimi, përfaqësimi dhe drejtimi moral. Zgjidhja më e mirë për të dalë nga ky ngërç duhet të jetë një proces që kombinon legjitimitetin demokratik me përgjegjësinë politike.
“Sipas meje, rruga më e qëndrueshme për zgjidhje është:
1. Konsultimi i drejtpërdrejtë me qytetarët përmes zgjedhjeve të reja, nëse institucionet nuk arrijnë ta prodhojnë zgjidhjen përmes dialogut politik dhe kushtetues. Zgjedhjet janë mekanizmi më i pastër i rivendosjes së besimit dhe drejtimit legjitim.
2. Ndërtimi i një pakti të ri politik mbi baza vlerash, e jo vetëm interesa afatshkurtra – ku të gjitha partitë bien dakord për linja të kuqe demokratike dhe parime të shtetit të së drejtës, duke përfshirë edhe një kod etike për qeverisje dhe opozitë.
3. Roli i Presidentes dhe i shoqërisë civile si ndërmjetësues dhe garantues të unitetit kushtetues, duke i ftuar të gjitha palët në tryezë për të mos e lënë vendin në stagnim institucional”, vlerëson profesori.
Tutje ai thotë se, Kosova ka kaluar sfida më të mëdha se kjo.
“Çfarë na nevojitet tani është guximi për t’u ngritur mbi veten, për të mos bërë kalkulime afatshkurtra politike, por për t’i shërbyer së ardhmes”, thotë ai.
Ndryshe, Dr.sc Astrit Sahitaj është një figurë aktive në jetën politike dhe arsimore në Kosovë. Ai është zgjedhur kryetar i degës së Partisë GUXO në Suharekë më 29 tetor 2024, gjatë një kuvendi zgjedhor ku morën pjesë drejtues të lartë të partisë, përfshirë kryetarin Faton Peci dhe nënkryetaren Jeta Statovci. Përveç angazhimit politik, Sahitaj është mësimdhënës i historisë në Gjimnazin “Jeta e Re” në Suharekë. Ai ka qenë i përfshirë në çështje të ndjeshme sociale, duke ngritur shqetësime për sjellje të papërshtatshme të mësimdhënësve në shkolla, çka ka çuar në hetime nga autoritetet përkatëse. Në fushën akademike, Sahitaj ka kontribuar me një tezë doktorature të titulluar “Shqiptarët dhe serbët 1908–1914”, e cila është regjistruar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë .