Ftesa për LDK-në e Nismën, veprimtari nga Gjermania paralajmëron Kurtin për Limajn – ja çka thotë për Abidxhikun
Kosova po kalon nëpër një bllokadë institucionale, pasi deputetët nuk po arrijnë të konstituojnë Kuvendin.
Ky ngërç vështirë se do zgjidhet, por që kryeministri në detyrë, Albin Kurti për të dalë nga kjo situatë i ka ofruar LDK-së një koalicion, derisa kjo e fundit e ka refuzuar.
E në lidhje me këtë refuzim të LDK-së ndaj LVV-së, ka folur veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot”.
Ai mirëpriti ftesën e përsëritur të Kurtit ndaj LDK-së, e që sipas tij Abdixhiku dhe kryesia e partisë së tij, do duhej ta merrnin në konsideratë këtë mundësi për koalicion të përbashkët qeverisës.
“Egoja, mania, për të qeverisur një parti e vetme, qoftë edhe me subjekte minore, nuk është e shëndetshme, as për subjektin dhe as për vendin. Koalicionimi me parti të mesme me numër, nëse është i painkriminuar, në krime e hajni zyrtare, është i mirëseardhur, si për partinë prijetare, me shumësi të deputetëve, siç është LVV, por, mbi të gjitha, e duhur për Kosovën.
Ftesa e përsëritur, e bërë LDK-së, nga LVV, për koalicion dhe bashkëqeverisje, nëse është e sinqertë, është fisnike dhe duhej pranuar. Fyerja me -hajvana-, që Kurti me të drejtë i quajti krerët partiakë të PAN-it, nuk e kuptoj pse kryetar Lumiri ia faturon vetvetes dhe LDK-së? Sepse Abdixhiku dhe ekipi i tij simpatik, janë shquar për korrektësi dhe maturi, duke mos bërë premtime paushalle, pa mbulesë të burimeve financiare. Përkundër opozitës tjetër, e cila mashtronte dhe gënjente popullin, përgjatë gjithë fushatës, “me lugën e floririt!” Ndërsa me shprehjen se “ka ikur koha e hajvanatit”, Kurti vlerëson popullin për mençuri, që diti ta favorizojë pozitën fituese dhe ta ndëshkojë opozitën destruktive humbëse”.
Kurse, Zeqiraj nuk preferon përfshirjen e Nismës në një koalicion me LVV-në, derisa kishte kritika për Fatmir Limajn.
ImageIdriz ZeqirajFoto galeri
“”Një koalicion me LDK-në, pakica dhe Nisma, siguron 80 vota”, – është gjuajtje në objektivin e largët e Kurtit, duke siguruar edhe zgjedhjen lehtësuese të Presidentes/it. Përfshirja e Fatmir Limajt, me NISMA e tij në koalicion, është sakrificë e Kurtit dhe nuk i bënë nder as Kurtit dhe as koalicionit të madh të tij. Sepse Limaj është pjesë e PAN-it kriminal, madje, jo vetëm i korruptuar, por edhe rrast i kriminalizuar, me Kleçkën e tij vdektare dhe, me fund, i kompromentuar. Vrajë nëpër Kosovë dhe merr pafajësinë ke Komani në Gjakovë! Që andej, festo me horra e zuzarë, me krisma kallashi, në Banjë!
Nuk ka pasur kurrë dhe nuk do të këtë të pafajshëm, nga ata që akuzon dhe arreston Gjykata e Hagës. Sepse, nëse parimi i drejtësisë komuniste është: “Arreston edhe 99 persona të pafajshëm, -me dajak e gërnetë- e gjen një fajtor!” E kundërta është në demokracitë perëndimore, me parimin: “Më mirë lëri 99 kriminelë të lirë, se sa ta dënosh një të pafajshëm!” Avokati i Oborrit Mbretëror britanik, Ben Emerson, ka denoncuar një të vërtetë: “Liria i një gjenerali nga Kosova, ka kushtuar 11 milionë euro! 5 (pesë) milionë i kam marrë unë”, pa përmendur kurrë “pafajësinë!”” – theksoi ai.
Në vazhdim, veprimtari nga Gjermania e cilësoi veprim të mençur të Kurtit, mosdhënien e postit të kryeparlamentarit Limajt, pasi sipas tij ky veprim do ishte provokim i rëndë.
“Një politikan i mençur, duhet ta respektojë elektoratin e vetë, popullin dhe shqiptarët e përbotshëm, me figurat, kuadrot që përzgjedhë për postet e larta, publike. Refuzimi i dhënies të postit të kryekuvendarit Fatmir Limaj, është zgjuarsi e Kurtit, sepse do të ishte një provokim i rëndë, jo vetëm për viktimat e vrara politike nga PAN-it, por edhe për shqiptarët e kudondodhur.
Albin Kurti një faj të rëndë ka bërë në mandatin e shkuar, kur krejt panevojshëm, kalaveshoi me post një deputet, të cilin as që duhej ta fuste në listën zgjedhore! Uroj të mos e përsërisë më fajësi të tillë! Kurti si nxënës ideologjik i Demaçit, tani djalë i madhuar, duhet të jetë selektiv në mësimet e mësuesit të tij, Demaç, i pranuar si simbol i rezistencës, frymëzues i brezit tonë, por, humbi shumë kur aprovoi vrasjet politike. “Ato gazeta do t´i hani”, – kërcënonte Demaçi gazetarët, të cilët i vajtonin FARK-istët luftë bërës të Dr. Rugovë dhe kuadrot e veprimtarët e LDK-së!”, shpjegoi Zeqiraj.
Tutje, ai tha se partitë do duhej të reflektonin këtë kërkësë të Kurtit, e cila është një lutje për reflektim, derisa tha se të gjithë shqiptarët janë në pritje të zhbllokimit të Kuvendit.
Po ashtu, ai rikujtoi se Abdixhiku ka qenë ministër në të kaluarën.
“Ftesa e Kurtit për LDK-në dhe Nisma, është e qartë, me lutjen “për të reflektuar, për një koalicion qeveritar!” Të frymëzuar nga matrapazi Pacoll tuxhari, për 3 (tre) deputetë përfitonte 4 (katër) ministri, u lazdruan, u haliten partitë e vogla, me kërkesa të marrëzishme! “Ta jep një votë, ma jep një komunë për fshatin!” “Ti jap tri vota, ma jep postin e kryetarit të Parlamentit, dhe ule ose hiqe fare pragun zgjedhor, për të hyrë në Kuvend dhe broçkulla të tjera!” Partiët e vogla vazhdojnë të përdorën si kusuritje mercenare të partive të mëdha. Është abuzim i buxhetit shtetëror, duke financuar krijesa të tilla zvarritëse.
Albin Kurti kërkon reflektim nga partnerët në koalicion. Dhe, kjo është kërkesë normale, sepse shqiptarët janë në pritje të zhbllokimit të Institucionit të Legjislativit, siç është Kuvendi. Por, partneriteti në koalicion dhe bashkëqeverisje kërkon korrektësi e bashkëpunim të sinqertë. Kurtit i ka dalë zani” si egoist, vetjak, i cili me narcizmin e tij, me vetëbesim të tepruar, nuk konsulton bashkëpunëtorët. Por, kjo mendësi nuk funksionon. Qeveria aktuale ka një kryeministër, bollshëm të shkolluar dhe komunikues racional. Ai ka provuar qeverisjen me LDK-në, e cila fillimet i ka pasë të harmonishme. Vetë Lumiri ka qenë ministër, së bashku me ekipin e tij simpatik nga LDK-ja”.
Në fund, shtoi se koalicionin e mëparshëm LDK-LVV e kanë prishur Thaçi me Grenellin, në bashkëpunim me Vuçiq-Rama.
Madje, tha se shkarkimi i dy ministrave të LDK-së në të kaluarën, erdhi nga Kurti, pasi e kupti se koalicioni veçse është prishur.
“Shakatë e Albinit në fushatë, për t`i argëtuar aktivistët e tij militantë, me akuzat e padrejta, në adresë të LDK-së, ishin jashtë standardit të kryeministrit, andaj nuk duhet marrë seriozisht. Akuzat reciproke, LVV-LDK, për prishjen e koalicionit, nuk qëndrojnë. Koalicionin në fjalë e ka prishur intriganti dinak, Hashim Thaçi me baraben beter Richard Grenell, në koordinim me banditërit Vuçiq-Rama dhe aminxhinë Isa Mustafa, i cili assesi nuk përfaqësonte LDK-në, sepse ishte i katapultuar në krye të partisë nga Hashim dallaverja me SHIK-un e tij. Shkarkimi i dy ministrave të LDK-së, janë bërë nga kryeministri Kurti, ku ka mësuar se prishja e koalicionit me konspiracion, ishte fakt i kryer. Andaj, nuk mund të akuzohen palët në koalicion LVV-LDK”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.