Rastet e spiunazhit, Shala: Nuk bëhet fjalë vetëm për qytetarë serbë, por edhe për shqiptarë bashkëpunëtorë
Ish-gjyqtari i Gjykatës së Apelit, tash avokat, Hasan Shala, në emisionin FIVE, ka komentuar për rëndësinë e aktakuzës për spiunazh të ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj Aleksander Vlaiqit, duke e cilësuar rastin si ndër më të ndjeshmit pas luftës.
“Konsideroj që janë shumë të rëndësishme për shkak se në kohë të gjatë që nga çlirimi deri tani nuk kemi pasur ndonjë rast të spiunazhit, edhe pse në institucionet tona shtetërore duhet të kenë kujdes, sepse çdo kohë kemi dhe do të kemi njerëz të infiltruar të spiunazhit nga Serbia,” deklaroi Shala.
Ai theksoi se nuk bëhet fjalë vetëm për qytetarë të komunitetit serb: “Jo vetëm këta të komunitetit serb, edhe te qytetarët tanë shqiptarë të cilët bashkëpunojnë. Është një kohë e gjatë që kemi qenë nën okupim të shtetit serb, kështu që ata i kanë lënë diku rrënjët dhe ende bashkëpunojnë edhe me ata të cilët kanë punuar për ta.”
Shala apeloi që institucionet si Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), Policia dhe Prokuroria duhet të jenë gjithmonë vigjilente: “Duhet të punojnë në këtë drejtim, gjithmonë të jenë syçelë dhe t’i përcjellin këto gjëra.”