Gërvalla: PDK-ja në opozitë, me LDK-në partneritet, me Nismën s’kemi pazare
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se përjashtojnë mundësinë për koalicion qeverisës me PDK-në, por tha se me LDK-në mund të bëjnë një partneritet.
Ajo ka thënë në “Interaktiv” se PDK-ja duhet të qëndrojë në opozitë edhe për katër vjet “pasi intensiteti i keqpërdorimit të mekanizmave ka qenë ekstrem”.
“Vizioni ynë që të kemi maksimum për realizim të reformave s’ka qenë i dëshiruar nga qytetari, prandaj duhesh të gjesh partner. Nëse PDK-në e përjashtojmë nga partneriteti, dhe unë jam e bindur që duhet të përjashtohet…Prapë se prapë, PDK-ja s’duhet të vijë në pushtet edhe për katër vjet. Ata duhet të qëndrojnë edhe katër vjet pasi intensiteti i keqpërdorimit të mekanizmave ka qenë ekstrem”, ka thënë ajo.
Gërvalla shtoi se vullneti i sovranit është që VV-ja të bëjë një partneritet.
“Nuk është martesë dashurie me LDK-në”, ka shtuar ajo.
E tek ka komentuar diskutimet me Nismën Socialdemokrate, Gërvalla ka thënë se s’po bëhen pazare, tek shtoi se kjo parti nuk mund ta kërkojë postin e kryeparlamentarit me tre deputetë.
“Me z.Limaj kemi diskutuar për një qasje parimore dhe një bashkëpunim parimor edhe me z.Limaj, që do të thotë se s’kemi diskutuar asnjëherë për pazare, por për bashkëpunim parimor të bazuar në parime që s’i shkelim as me LDK-në…Një parti me 3 deputetë s’mund të kërkojë kryetar Kuvendi. Kjo është qasje parimore. Kryetari i Kuvendit më mirë sesa në duart e gruas më të votuar të vendit nuk ka”, ka thënë Gërvalla.
Gërvalla: I kemi votat për Qeveri
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka vullnet për të dalë nga kriza institucionale, por sipas saj, deputetët që fare s’po marrin pjesë në votim po e bllokojnë procesin.
Ajo ka deklaruar të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se Vetëvendosje i ka numrat për themelim të Qeverisë, por shtoi se opozita s’po lejon të ecet tutje nëpërmjet konstituimit të Kuvendit.
“Unë jam pjesë e bisedave dhe mendoj se numrat për qeveri i kemi. Pse e bllokojnë procesin këtu dhe s’na lejojnë të shkojmë tutje”, ka thënë ajo.
Gërvalla tha se kërkojnë votim të fshehtë pasi tha se është instrument demokratik dhe pjesë e procedurave.
“Votimi i fshehtë është pjesë e procedurave dhe pjesë e rregullores së Kuvendit. Votimi i fshehtë është pjesë e tentativës për zhbllokim…Pse opozita ka frikë nga deputetët e vetë, pse ka frikë se do të ketë të padëgjueshëm. Vota e fshehtë është instrumenti më demokratik. S’mund të jetë bllokues ai që ngreh dorën dhe thotë ‘po’. Bllokues është ai që s’voton fare”, ka deklaruar Gërvalla.