POLITIKATË FUNDIT

“Limaj ndihmoi AAK-në të kalojë pragun”, Haradinaj i përgjigjet Kurtit: Po serviloset pas 20 vjetësh akuza

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke e akuzuar për “abuzim politik” me kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj, në një paraqitje në emisionin “Debat Plus”, tha se Kurti po përdor emrin e Haxhiut për të testuar mbështetjen në Kuvend, duke e vendosur në një pozitë të papërshtatshme pas disa dështimeve për ta zgjedhur kryeparlamentare.

“Nëse dikush është duke e ofenduar Albulena Haxhiun, është duke e ofenduar zoti Kurti. 20 herë po e qet e po thotë ‘i kam për qeveri, por jo për Albulenën’… Është viktimë e zotit Kurti, se është duke abuzuar skajshmërisht me emrin e saj”, deklaroi Haradinaj.

Më tej, Haradinaj ka reaguar edhe ndaj komenteve të Kurtit lidhur me rikthimin e Fatmir Limajt në Kuvend.
Kurti kishte thënë se pa Nismën, AAK nuk do ta kishte kaluar pragun zgjedhor.

Sipas Haradinajt, kjo deklaratë është një formë “servilosjeje” ndaj Limajt, duke ironizuar me të kaluarën e përplasjeve mes tyre.

“Kryeministri po e terrorizon shoqërinë me 20 seanca, duke ditur epilogun. Kur vendi është në krizë, ai del si falltore e na tregon kush kujt i ndihmoi. Kjo është servilosje ndaj Limajt pas 20 vjetësh sharje e akuza”, u shpreh Haradinaj.

Deputeti i AAK-së i bëri thirrje Kurtit që të fokusohet në përgjegjësitë e tij si kryeministër dhe lider politik, në vend se të merret me kalkulime politike që, sipas tij, po dëmtojnë jetën institucionale të vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *