‘Spiunët e BIA-së’, ekspertët e sigurisë tregojnë se çfarë informacione i dhanë Serbisë
Në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë është konfirmuar dyshimi i bazuar se Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi kanë kryer veprën penale – spiunazh.
Themelorja ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi kanë bërë spiunazh si pjesë e Agjencisë për Inteligjencë të Sigurisë së Serbisë – BIA.
Këta të dy thuhet se i kanë dhënë Serbisë informacione me rëndësi shtetërore.
“Sa i përket mbledhjes së informatave, nga provat e cekura më lart, por edhe të tjerat të bashkëngjitura aktakuzës, shihet se i njëjti ka mbledhur informacione për çështjet e rëndësisë shtetërore e po ashtu edhe për personat që mbajnë pozita publike e që pastaj ka dyshim të bazuar mirë se këto i ka bartur te zyrtarët e BIA-s. Prandaj edhe rrjedhimisht ka dyshim të bazuar mirë se veprimet e të akuzuarit Muharrem janë plotësuar me këto elemente”, thuhet në aktvendimin e Themelores.
Mirëpo, sa ekziston rreziku nga spiunët e tillë në Kosovë? Çfarë informacione mund t’i kenë dhënë Serbisë ata?
Lidhur me këto ҫështje për ‘Bota sot’ kanë folur njohës dhe ekspertë të sigurisë. Kështu, eksperti Hysen Gecaj thotë se, rasti i fundit i spiunazhit në Kosovë, ku dy persona u akuzuan për bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA), ka ngritur shqetësime serioze lidhur me sigurinë kombëtare dhe rrezikun e infiltrimit të agjentëve të huaj në vend.
Gecaj: Rreziku nga spiunazhi në Kosovë është real dhe i vazhdueshëm
“Më 30 prill 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë konfirmoi dyshimin e bazuar se Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi kanë kryer veprën penale të spiunazhit, duke bashkëpunuar me BIA-n serbe. Sipas aktvendimit, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë dërguar informata me rëndësi shtetërore në Serbi. Ky rast tregon se rreziku nga spiunazhi në Kosovë është real dhe i vazhdueshëm. Përpjekjet e shërbimeve të inteligjencës serbe për të infiltruar individë në institucionet kosovare dhe për të mbledhur informacione të ndjeshme paraqesin një kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë kombëtare. Autoritetet duhet të jenë vigjilente dhe të forcojnë masat kundër-spiunazhit për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen”, thekson ai.
Eksperti Gecaj madje përmend edhe masat e nevojshme. Ai madje rendit ato masa që sipas tij, për të adresuar këtë kërcënim, jep këto rekomandime.
“Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet agjencive të sigurisë për identifikimin dhe ndjekjen e individëve të dyshuar për spiunazh. Rritja e vetëdijes dhe trajnimeve për zyrtarët publikë mbi rreziqet e spiunazhit dhe mënyrat për të identifikuar sjellje të dyshimta. Zbatimi i rreptë i ligjeve ekzistuese dhe përmirësimi i kornizës ligjore për të adresuar më efektivisht rastet e spiunazhit. Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për shkëmbimin e informacionit dhe praktikave më të mira në luftën kundër spiunazhit”, vlerëson ai.
Gecaj thotë tutje se rasti i fundit duhet të shërbejë si një thirrje për veprim të menjëhershëm për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës.
Berisha: Ҫdo informatё qё i ёshtё dhёnё BIA-sё serbe, mund tё jetë e dёmshme pёr Kosovёn
Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe eksperti i sigurisë, Fidair Berisha. Ai thotë se, mbi dy dekada e gjysmё shteti i Serbisё me mekanizmat e vet nё vazhdimёsi ka punuar kundёr Kosovёs. Sipas tij, tё gjitha dёmet qё i janё shkaktuar Kosovёs burimin e kanё pikёrisht nё Serbi.
“Pra kёto dhe dёmet tjera tё mundshme nё tё ardhmen kanё qenë dhe janё tё orkestruara nga akademia serbe, kisha, BIA dhe politika serbe nё pёrgjithёsi. Kohёve tё fundit shifet se Serbia ka disa njerёz (spiun) nё Kosovё nёpёrmjet tё cilёve dёshiron tё realizoj planet e saj kundёr Kosovёs. Momentalisht Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar akuzën e Prokurorisë Speciale për veprën penale – spiunazh, me kёtё rast duke konfirmuar se ekziston dyshimi i bazuar ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit se kanë kryer veprën penale – spiunazh, tё cilёt kanё dhёnё informata pёr njerëzit dhe personat zyrtar tё BIA-sё- Agjencisë për Inteligjencë të Sigurisë së Serbisë”, vlerëson Berisha.
AI thotë poashtu se, ështё shumё e rёndёsishme pёr procesin si rast qё Prokuroria Speciale nё bashkёpunim me institucionet tjera pёr siguri i ka siguruar provat në përputhje tё plotё me ligjin dhe vlerësimi i tyre më tutje mbetet të bëhet në shqyrtim gjyqësor tё radhёs.
“Bazuar nё provat e deritashme shihet se personat e akuzuar pёr spiunazh kanё mbledhur informacione për çështjet e rëndësisë shtetërore dhe me peshë shtetërore, gjithashtu ata kanё dhёnё informata edhe për personat që mbajnë pozita publike. Ҫdo informatё qё iu ёshtё dhёnё BIA-sё serbe, ёshtё rrezik se mund tё jetë e dёmshme pёr Kosovёn dhe shkon nё favor tё Serbisё gjё qё ia mundёson pёr tё realizuar planet e tyre gjithmonё nё dёm tё Kosovёs”, tha ai.