Mjekët pa Kufij: Izraeli po lejon sasi mjerisht joadekuate ndihmash në Gazë
Sasia e ndihmave që Izraeli ka nisur të lejojë të futen në Gazën e dërrmuar nga lufta nuk është aspak e mjaftueshme, dhe është “perde për të pretenduar se rrethimi [i territorit palestinez] ka përfunduar”, ka deklaruar të mërkurën grupi humanitar Mjekëve pa Kufij.
Izraeli po përballet me trysni masive ndërkombëtare për të hequr dorë nga fushata e tij e ashpërsuar ushtarake dhe për të lejuar ndihmat në Gazë, ku agjencitë humanitare thonë se një bllokadë totale ka shkaktuar mungesa kritike të ushqimeve dhe të ilaçeve, raporton AFP.
“Vendimi i autoriteteve izraelite për të lejuar një sasi të pamjaftueshme ndihmash në Gazë, pas muajsh rrethimi absolut, sinjalizon synimin e tyre për të shmangur akuzën se po i lë të vdesin urie njerëzit në Gazë, ndonëse në të vërtetë mezi po i lë të mbijetojnë”, tha Pascale Coissard, koordinator emergjencash i Mjekëve pa Kufij në Han Junis të Gazës.
“Autorizimi aktual për 100 [kamionë me ndihma] në ditë, kur situata është aq e mjerueshme, është mjerisht joadekuat”, thanë Mjekët pa Kufij, nëpërmjet një komunikate.
“Ndërkohë, urdhrat për evakuim për vazhdojnë të zhvendosin popullatën, përderisa forcat izraelite ende po i sulmojnë në mënyrë intensive objektet shëndetësore”, tha grupi humanitar.
Të hënën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nisi të lejojë hyrjen e një numri të vogël të kamionëve me ndihma në Gazë për herë të parë pas 2 muajsh e gjysmë, duke thënë se ishte përballur me trysni për të hequr një bllokadë ndaj 2 milionë palestinezëve të territorit, që kishte nxitur frikë për zi buke.
Organizata e Kombeve të Bashkuara njoftoi të hënën se ishte lejuar të dërgonte ndihma për herë të parë prej kur Izraeli vendosi një bllokadë totale më 2 mars.
Izraeli tha se 93 kamionë ishin futur në Gazë nga territori i tij gjatë së martës, por OKB-ja njoftoi se ndihmat ishin bllokuar.
Agjencitë e OKB-së thanë se disa kamionë që kanë hyrë nuk janë as afër përmbushjes së nevojës masive për ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera.
Rreth 600 kamionë në dytë kishin hyrë gjatë një armëpushimi, më parë këtë vit.
Lufta në Gazë nisi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1.200 persona, kryesisht civilë, dhe duke marrë peng 251 të tjerë. Pjesëtarët e Hamasit janë ende duke i mbajtur 58 pengje që besohet të jenë gjallë, pasi shumica e pjesës tjetër janë liruar në kuadër të marrëveshjeve për armëpushim dhe të tjera.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit, e cila ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, ka vrarë mbi 53.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve në llogaritjet e saj.
Lufta ka zhvendosur rreth 90 për qind të popullatës së Gazës, shumicën prej tyre disa herë. /REL