Iu bashkua partisë “Guxo”, flet për herë të parë avokati Halilaj – tregon si erdhi deri te ky vendim
Së fundi, bashkëkryetari i “Guxo”, Faton Peci, njoftoi se avokati i njohur Gazmend Halilaj i është bashkuar kësaj partie politike.
“Dera jonë, në Partinë Guxo, është gjithmonë e hapur për profesionistë, idealistë, patriotë, për njerëz t’mirë t’këtij vendi, prandaj jemi të lumtur që avokati i njohur nga Drenasi, Gazmend Halilaj, po na bashkangjitet në rrugën tonë për një Kosovë çdo herë më të mirë e më të përparuar”, ka shkruar Peci në rrjetet e tij sociale.
E në lidhje me këtë aderim dhe vendimin për përfshirjen në politikë, në një intervistë për “Bota sot” ka folur avokati Halilaj.
Së pari, tregoi arsyet që e shtynë t’i hyjë rrugës së politikës, derisa foli edhe për platformën që ia ka ofruar “Guxo”.
“Perspektiva e Listës “Guxo” është premtuese, pavarësisht se është një parti e re. Qasja e saj mbi çështjet e drejtësisë, integritetit dhe reformave është ajo që i duhet vendit tonë. Me një qasje të hapur dhe të bazuar në vlera, besoj se do të zërë një vend të rëndësishëm në skenën politike”, tha ndër të tjera ai.
Halilaj tregoi se Gërvallën dhe Pecin, ka pasur bashkëpunim profesional edhe më parë, ku ndër të tjera theksoi se fusha e drejtësisë do jetë primare për të.
Po ashtu, avokati foli edhe për bllokadën institucionale, si dhe kërkesën e fundit të OVL-UÇK për zhbërjen e Speciale.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Z.Halilaj së fundi, iu bashkuat Listës “Guxo”, lajm të cilin e dhanë krytetarët e kësaj partie, çfarë ju shtyri t’i hyni politikës?
Gazmend Halilaj: Vendimi im për t’iu bashkuar Listës “Guxo” erdhi si rezultat i bindjes sime se është koha që njerëzit me përvojë, integritet dhe përkushtim të kontribuojnë drejtpërdrejt në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Lista “Guxo” më ofroi një platformë të hapur për të përfaqësuar vlerat progresive dhe për të qenë pjesë e një vizioni që synon ndryshime reale në shoqëri.
Gazeta “Bota sot”: A keni bashkëpunuar me parë me z.Peci dhe znj.Gërvalla? Si e shihni perspektivën e kësaj partie, pasi s’ka shumë kohë që është formuar?
Gazmend Halilaj: Po, kam pasur kontakte dhe bashkëpunim profesional me z. Peci dhe znj. Gërvalla në të kaluarën, sidomos në fusha që lidhen me drejtësinë dhe politikat publike. Qasja e saj mbi çështjet e drejtësisë, integritetit dhe reformave është ajo që i duhet vendit tonë. Me një qasje të hapur dhe të bazuar në vlera, besoj se do të zërë një vend të rëndësishëm në skenën politike.
Gazeta “Bota sot”: Cilat do jenë kontributet tuaja në këtë parti, besoj do fokusoheni të çështjet dhe temat e drejtësisë?
Gazmend Halilaj: Fokusimi im kryesor do të jetë drejtësia dhe sundimi i ligjit. Do të angazhohem për përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Përveç kësaj, do të punoj për çështje që prekin drejtpërdrejt qytetarin, si transparenca institucionale dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni bashkëpunimin e Guxo me LVV, këto vitet e fundit?
Gazmend Halilaj: Ky bashkëpunim ka qenë i rëndësishëm për realizimin e shumë reformave në vend. Lista “Guxo” ka kontribuar me ide dhe njerëz profesionistë në qeverisje. Sigurisht që çdo bashkëpunim ka sfidat e veta, por është e rëndësishme që qëllimi i përbashkët të jetë interesi i qytetarëve. E shoh si një aleancë funksionale që mund të forcohet më tej në të ardhmen.
Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni ngërçin që është krijuar me moskonstituimin e Kuvendit?
Gazmend Halilaj: Ngërçi institucional është gjithmonë shqetësues sepse cenon funksionimin demokratik të vendit. Është thelbësore që të gjitha palët politike të tregojnë përgjegjësi dhe të tejkalojnë interesat partiake për hir të stabilitetit të institucioneve. Kuvendi është themel i demokracisë dhe çdo vonesë dëmton qytetarët dhe proceset legjislative.
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni kërkesën e OVL-UÇK për zhbërjen e Speciales? Sa ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë në parim?
Gazmend Halilaj: Kërkesa për zhbërjen e Gjykatës Speciale është një çështje komplekse. Ajo është themeluar si rezultat i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare të Kosovës. Në parim, ndryshimi apo zhbërja e saj është shumë e vështirë dhe kërkon konsensus ndërkombëtar, që aktualisht nuk është i pranishëm. Megjithatë, duhet të kemi një diskutim të hapur për rolin e drejtësisë tranzicionale dhe për të garantuar një proces të drejtë për të gjithë.