Bajrami: VV-ja e ka reduktuar mungesën e institucioneve në problem të mbledhjes çdo 48 orë
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar për mungesë serioziteti dhe vullneti në procesin e konstituimit të Kuvendit.
Ajo ka bërë të ditur se kryesuesi i seancës që vjen nga VV-ja, Avni Dehari, kërkoi para seancës së sotme që takimet për përpjekje rreth konstituimit të mbahen vetëm një herë në javë, dhe jo çdo 48 orë siç është përcaktuar në Rregullore.
“E shohim si indikacion shtesë që VV-ja nuk është absolutisht e interesuar ta bëjë konstituimin e Kuvendit”, deklaroi Bajrami, duke shtuar se i ka bërë të qartë Vetëvendosjes se mund të propozojë edhe 47 kandidatë të tjerë për kryetar kuvendi “për të parë se cili prej tyre i merr votat”.
Sipas saj, Vetëvendosje po e redukton mungesën e institucioneve – një krizë politike serioze – në një problem teknik të ritmit të takimeve.
“Ata mungesën e institucioneve e kanë reduktuar në problem të mbledhjes çdo 48 orë. Natyrisht që u refuzua një kërkesë e tillë”, theksoi ajo.
Bajrami u shpreh e zhgënjyer me faktin që vendi ka hyrë në një cikël bllokues, ndërsa partitë nuk po arrijnë të merren vesh për zgjidhje.
“Është fatkeqësi që jemi mbledhur për herë të 17-të”, ka thënë ajo.