Bllokada e Kuvendit, eksperti austriak befason me propozimin e tij: Kurti kryeministër, Osmani kryeparlamentare, president…!
As pas takimit të presidentes Vjosa Osmani me krerët e partive parlamentare të enjten, nuk është shënuar ndonjë përparim për zhbllokimin e ngërçit politik, i cili është shkaktuar nga dështimet e njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës tre muaj pas zgjedhjeve.
Presidentja Osmani tha pas takimit se nuk ka pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se ka parë një “disponim minimal” tek liderët partiak për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
Osmani tha se ky ishte vetëm takimi i parë dhe paralajmëroi se takimet do të vazhdojnë edhe javën tjetër me secilin lider veç e veç, nëse është e nevojshme.
E në lidhje me këtë takim, për “Bota sot” ka folur eksperti austriak, Gunther Fehlinger.
Së pari, ai përmendi disa nga dëmet që iu faturohen Kosovës, shkaku i bllokadës së krijuar.
Madje, eksperti austriak tha se tani është koha që të japë Osmani dorëheqje nga posti i presidentes dhe të bëhet kryetare e Kuvendit, pasi sipas tij ky do ishte një gjest fisnik dhe do ta nxirrte vendin nga kriza, ndonëse e vlerësoi punën e saj si presidente.
“Kriza dhe ngërçi aktual po i kushton shtrenjtë Kosovës. Vetë Presidentja vlerëson kostot deri në 900 milionë euro.
Edhe më të larta janë kostot politike për dëmtimin e reputacionit të Kosovës brenda BE-së dhe NATO-s, pasi Kosova shihet si kaos dhe jo si demokraci e pjekur dhe klasa politike si e papërgjegjshme dhe e papjekur.
Tani është koha që Vjosa Osmani të thyejë ngërçin dhe të tregojë se është më e pjekura dhe më e përgjegjshmja nga të gjithë udhëheqësit dhe të japë dorëheqjen nga Presidenca.
Ky është një gjest fisnik, por ka mbetur vetëm një vit në mandatin e saj dhe ajo nuk ka asnjë mënyrë për t’u rizgjedhur pavarësisht performancës së saj të shkëlqyer dhe reputacionit të shkëlqyer në Evropë, Amerikë dhe botë, siç e ka treguar pritja e saj e fundit triumfale në Azi, Austri dhe Amerikë”, deklaroi ai.
Fehlingeri konsideron se kjo do ishte një mundësi shumë e mirë për ta thyer ngërçin e krijuar politik, me Osmanin kryeparlamentare dhe me një qeveri të përbërë nga partitë shqiptare, e cola do e minonte ndikimin e Listës Serbe dhe presionin e Grenellit.